E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, shembet banesa, rrezikohen kalimtarët

Shembja e baneses / Foto Anila Dushi

Shembja e një pjese të një banese të vjetër ka rrezikuar jetën e kalimtarëve në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.10 në lagjen Tre Heronjtë, në fillim të rrugës mes Famullisë së Shkodrës dhe banesave në anën tjetër të saj, rrugë që përfundon tek vendi i quajtur Ura e Thive.

Pikërisht në të djathtë të rrugicës, sapo përfundojnë pallatet, një banesë e vjetër, gjysma e së cilës e pabanuar, është shembur. Shembja ka ndodhur në mes të godinës, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve që lëvizin në këtë rrugë, ndërsa një mjet, autoveturë e bardhë me targë AA 486 BA, ka pësuar dëmtime.

Mjeti ka qenë i parkuar në hije, pranë banesës dhe drejtuesi i saj ka shpëtuar sepse ka dalë me shpejtësi nga mjeti. Sipas dëshmitarëve okularë, shembja e banesës së vjetër ka qenë e menjëhershme. Drejtuesi i autoveturës e ka parkuar atë dhe sapo ka qenë duke dalë prej saj, ka dëgjuar zhurmën e shembjes, ndërsa pluhuri ka mbuluar zonën përreth. Ai ka mundur të largohet ndërsa policia ka mbërritur menjëherë dhe ka bërë bllokimin e rrugës pasi shembja mund të vazhdonte.

Mjeti ka pësuar dëmtime në pjesën e përparme të tij. Sipas banorëve, në shtëpinë e vjetër nuk ja jetuar njeri prej shumë kohësh, ndërsa në pjesën e prapme të saj ka familje që jetojnë. Ndonëse pa pasoja, shembja e banesës në anë të rrugës ka paraqitur rrezik për kalimtarët e rastësishëm, ndërsa vazhdon të jetë me rrezik, pasi shembja ka ndodhur në mesin e saj,dhe dy anët janë thuajse duke rënë.

Nuk dihet nëse do merren masa për ta shembur apo do të ndërhyhet në mënyra të tjera, ndërsa policia ka bërë rrethimin e vendit, në mënyrë që të mos kalohet dhe të rrezikohen njerëzit. / Anila Dushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›