E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Shqipëria, nivel të ulët ndërgjegjësimi mbi diskriminimin

Raporti i fundit për Shqipërinë i komisionit kundër racizmit dhe intolerancës në Këshillin e Evropës ka pasur mjaft kritika për situatën e komuniteteve rome e egjiptiane. Pasi evidentonte një sërë përmirësimesh në legjislacion, si dhe marrjen e disa masave në trajtimin e tyre, raporti thotë se në vend ndërgjegjësimi mbi diskriminimin mbetet në tërësi në nivel të ulët.

Gjithashtu, vihet në dukje se nuk ka një strukturë në Shqipëri që ka shprehur përgjegjësinë për të luftuar diskriminimin racial. Duke ju referuar gjendjes së romëve dhe egjiptianëve komisioni kundër racizmit dhe intolerancës pranë Këshillit të Europës arrin në konkluzionin se ata vazhdojnë të përballen me vështirësi serioze sociale dhe ekonomike, me nivele më të larta papunësie në krahasim me pjesën tjetër të popullatës dhe kushte jetese jashtëzakonisht të pasigurta. Ka një raport të lartë të zhdrejtë në lidhje me braktisjen e shkollës në këto komunitete, i cili e rrit cënueshmërinë e tyre nga trafikimi. Sipas raportit të komisionit kundër racizmit dhe intolerancës pranë KE, megjithëse Komiteti Shtetëror për Minoritetet në Shqipëri ka përfituar eksperiencë, ai prapë kritikohet për mungesën e efektivitetit dhe për faktin që në të nuk përfaqësohen të gjitha grupet minoritare. Një prej këtyre grupimeve të papërfaqësuara është dhe komuniteti ballkano egjiptian. Komisioni kundër racizmit dhe intolerancës në rastin e Shqipërisë ka rekomanduar që brenda dy viteve të ardhshme të prezantohet nga autoritetet legjislacioni i plotë civil e administrativ antidiskriminim i drejtpërdrejtë e indirekt. Gjithashtu të vendosen objektiva të qartë në sigurimin e aksesit të përshtatshëm në strehim. Të sigurohet mbështetje me gjuhën shqipe të fëmijëve romë përpara hyrjes së tyre në shkollën fillore etj. Z. Pëllumb Fortuna, kryetar i shoqatës "Romani Baxt Albania", tregon se komuniteti rom me rreth 120 mijë vetë vuan shumë në tre aspekte kryesore, arsimim, punësim dhe strehim. Sipas Fortunës, gjithçka nis nga arsimimi jo i mirë i fëmijëve dhe të rinjve të komunitetit. Niveli arsimor i romëve është 84 për qind analfabetë dhe 16 për qind të arsimuar. Nëse do ti referohemi sërish shifrave, në të gjithë vendin janë gjithsej 22 maturantë dhe nuk janë më shumë se  9 vetë që ndjekin universitetin shtetëror dhe ato private. Ky është niveli arsimor i romëve në Shqipëri, vë në dukje Fortuna. Më tej, ai thotë se nga vetë komuniteti ka përpjekje për të bërë diçka që të ndryshojë gjendjen: Që ta nisim nga sistemi parashkollor e në vazhdim në mënyrë që të forcojmë çdo hallkë. Për të mos i djegur kot bursat që ofrohen falas për fëmijët dhe të rinjtë tanë, shton ai. Ndërsa z. Behar Sadiku, kryetar i shoqatës "Nefreta", i ballkano-egjiptianëve prej më shumë se një dekade thotë se gjithçka fillon nga mungesa e të dhënave statistikore zyrtare për numrin e ballkano egjiptianëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›