E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi, frikë për të ngujuarit

Drejtoresha në Ministrinë e Jashtme Ilda Zhulali, pohon se personat e ngujuar janë problem: "Duhet të dinë se largimi nga Shqipëria nuk është zgjidhja"


Ka një kategori tek e cila pak është përqëndruar vëmendje këto ditë. Të ngujuarit nga gjakmarrja. Kjo kategori personash mund ta shfrytëzojnë liberalizimin e vizave për tu larguar njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së për ti shpëtuar hakmarrjes.


Ilda Zhulali, drejtore në Ministrinë e Punëve të Jashtme shpjegoi procesin e liberalizimi të vizave dhe dha sqarime përsa i takon kësaj kategorie. Në një tryezë të rrumbullakët me gazetarët për Liberalizimin e Vizave organizuar nga Instituti i Medias dhe Fondacioni Konrad Adenauer, ndodheshin dje zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, dhe përfaqësues të ambasadës Gjermane dhe shoqërisë civile.


Të ngujuarit apo personat që janë në gjak ishin në qendër të vëmendjes. "Familjet e ngujuara janë vërtet një problem për ne. Fatkeqësisht ende nuk është bërë diçka për këtë njerëz dhe frika e largimit të tyre nga Shqipëria me liberalizimin e vizave ekziston. Kemi kërkuar që të bëhet një listë me të gjithë personave që janë të ngujuar në mënyrë që të shohim se çfarë të bëjmë.


Megjithatë rregullat e liberalizimit të vizave duhet të ndiqen nga të gjithë në të kundërt ndëshkimet do të jenë të njëjta për të gjithë", - theksoi Zhulali duke shtuar se ata mund ta shohin largimin nga Shqipëria si një zgjidhje të lehtë por në fakt nuk është aspak kështu. Ndërkohë ajo theksoi se kanë bërë kërkesë vendeve të Bashkimit Evropian që të marrin të dhënat e të gjithë atyre personave që kanë kërkuar azil në këtë shtete.


 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›