Liberalizimi i Vizave, delegacioni i KE-se sot ne Kosove
PRISHTINE-Një delegacioini i Komisionit Europian mbërrin sot në Prishtinë për cështjen e liberalizimit të vizave. Radio Europa e lirë shkruan sot se Komisioni Evropian nuk e interpreton si nisje të dialogut për liberalizimin e vizave këtë takim i cili do të zhvillohet mes ekspertëve të këtij komisioni dhe Qeverisë së Kosovës.Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke u bazuar në temat e parapara për diskutim, e kanë quajtur, këtë takim treditor si një nisje të dialogut për liberalizimin e vizave.Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Maja Pavlovic, tha se takimi është një hap para drejt procesit të liberalizimit, meqë diskutohen temat që hyjnë në këtë fushë, por me të nuk nis procesi i liberalizimit.“është një hap përpara, sepse temat që do të diskutohen, temat mbi punët e brendshme, si riatdhesimi, riintegrimi, regjistrimi civil, menaxhimi i integruar i kufijve, janë të njëjtat që do diskutohen edhe kur të nisë procesi i liberalizimit të vizave”.“Ekspertët e Komisionit kur të vijnë në Kosovë, në kohën kur të nisë procesi, sigurisht se do ta vlerësojnë situatën edhe mbi bazë të konkluzioneve të takimit të sotëm. Pra, në njëfarë forme, është një lidhje, por, sërish, sot nuk nisim procesin e liberalizimit të vizave”, tha zëdhënësja Maja Pavlovic.Nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave në fund të janarit ose në shkurt u paralajmërua dhe nga vetë raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek.Parlamenti Evropian rekomandoi vitin e kaluar Komisionin Evropian që të nisë këtë dialog, në mënyrë që të mos mbetet vetëm Kosova jashtë këtij procesi. Maja Pavlovic tha se procesi nis këtë vit, por pa dhënë data të sakta.“Presim që ta nisim diku në 2010-ën, por nuk mund të japim datë të saktë”, tha Pavlovic.Për të mos mbetur jashtë këtij procesi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar njëanshëm një udhërrëfyes, për t’i plotësuar kriteret e kërkuara për liberalizim vizash.Sipas Pavlovic takimet do të zgjasin deri të premten. Tema që do të diskutohen janë: çështjet e brendshme, lufta kundër korrupsionit, juridiksioni dhe fuqizimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të komuniteteve(s.g/BalkanWeb)