Liberalizimi i Vizave me SHBA, premtim realist dhe objektiv

Flet Kreshnik Çollaku, zv/ministri i Punëve të Jashtme
Liberalizmi i vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një nga premtimet kryesore të Kryeministrit Sali Berisha, për mandatin e ardhshëm qeverisës, 4 vjeçar. Ky premtim shihet si realist dhe objektiv nga zv/ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku, që shprehet në një prononcime për mediat se, “Shqipëria dhe shqiptarët i kanë absolutisht të gjitha shanset për të arritur liberalizmin e vizave me SHBA-të, brenda 4 viteve të ardhshme. “Premtimi i Kryeminsitrit Berisha është realist dhe objektiv. Shqiptarët absolutisht brenda 4 viteve të ardhshëm të mandatit të PD-së, do të kenë edhe liberalizimin e vizave me SHBA. Këto janë deklarata të qarta, të përgjegjshme, me të cilat do të ballafaqohemi para publikut dhe shqiptarëve me sy hapur. Do të jetë një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë Berisha dhe i Kryeministrit", u shpreh Çollaku. Për Çollakun, “edhe një qytetar i thjeshtë ka arsye për të provuar se zoti Berisha, në thelb të aktivitetit të tij politik ka fjalën e mbajtur”. "Ka shumë fakte të mëdha në Shqipëri, të cilat kur janë hedhur për herë të parë, nga vizioni i Sali Berishës, nga pala që e ka kundërshtuar, janë parë me skepticizëm, janë dukur gati ëndrra, por në fakt ato janë të realizuara", shprehet Çollaku. E tillë, argumenton ai, "ishte rruga e Kombit. Kur zoti Berisha hodhi idenë e rrugës së Kombit, gjysma e opozitës shqiptare e kritikonte. Kur, ai premtoi liberalizimin e vizave me Europën pati shumë njerëz të opozitës, por edhe njerëz jashtë që e shikonin me skepticizëm apo dhe e kundërshtonin. Në fakt shqiptarët sot lëvizin me viza në të gjithë Europën dhe ky është një fakt". Si ish-diplomat në SHBA, Çollaku thotë se, “në pikëpamjen teknike dhe këtë ua konfirmoj, jo si pozicioni i Ministrisë së Jashtme, por si një ish-diplomat dhe ndershmërisht në atë që kam pasur eksperiencën time në SHBA, administrata amerikane vlerësonte si elementin kryesor për liberalizimin e vizave me SHBA, kontrollin e kufijve dhe lëshimin e pasaportave biometrike të një cilësie e garancie të lartë". Në këtë pikëpamje, thekson ai, “Shqipëria falë reformave shumë të efektshme që u bënë me pajisjen e pasaportave biometrike dhe sistemimi i kontrollit të kufijve, kategorizohej një ndër vendet më kampione në rajon, por edhe pse jo, më mirë se disa vende të BE. Ka vende të BE-së që tani sapo kanë filluar ta kryejnë këtë proces, natyrisht që Shqipëria e ka implementuar me sukses dhe natyrisht për këtë mori edhe shpërblimin mbi të gjitha dhe liberalizimin e vizave me BE. Por natyrisht pjesa kryesore, jetike, thelbësore e këtij procesi është pasaporta biometrike, cilësia e lartë dhe kontrolli i kufirit”.