E Diel, 1 Nëntor 2026

Leonora Laçi: Ja përse vendosa të kandidoj me partinë mbretërore shqiptare

22-05-2013 / Intervistoi Beqir Sina

Intervistë e znj. Leonora Laçi - kandidate e Partisë Lëvizja e Legalitetit PLL, në zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri, për Qarkun e Shkodrës
 
Edhe një muaj nga dita e zgjedhje në Shqipëri, kur fushata elektorale është në pikun e saj. Nëpërmjet sistemit online biseduam me kandidaten e re të partisë më të vjetër dhe tradicionale shqiptare, Partia Lëvizja e Legalitetit PLL, zonjushën Leonora Laçi. Zonjusha Laçi është pinjolle e kësaj familje pukjane me tradita të vyera kombëtare, patriote e zjarrtë, e cila i ka dhënë shumë kombit tonë. Ajo është e mbesa e Kolenelit të Mbretit të Shqiptarëve Xhemal Laçit. Kolonel XHemal Laçi është një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Shqipëris që dha kontribut në sferën politike, ku u dallua për përpjekjet e tij - për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri. Ai gjithë jetën ia dedikoi kombit, këtë e tregon fakti që dhe në emigrim ai punoi për të rrëzuar sistemin komuniste të instaluar pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen në vendin tonë të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, me qëllim për të vendosur sistemin demokratik në Shqipëri dhe lirinë e Shqiptarëve të roberuem. Rrugën e tij në dobi të Shqipërisë, duket se po e ndjek mbas kaq dekadash  duke u futur me guxim dhe largpamësi në politikë, edhe e mbesa e tij, 21 vjeçarja, studentja në degën e historisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, zonjusha Leonora Laçi, e cila ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e saj për një vend në Parlamentin e Shqipërisë, në zonën elektorale nga e ka edhe origjinën e saj në Pukë.

Kush është Leonora Laçi ?!
Jam e lindur  me 28 Janar 1992 në Shkodër, aktualisht studioi ne degën e historisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi “të Shkodrës. Origjina ime është nga Puka. Rrjedh nga një familje pukjane që mban histori të lavdishme mbi shpatulla, e cila i dha krahinës së Pukës e kombit shqiptar figura që ndritën atdheun me veprat e tyre.

Leonora Laçi kandidate për deputete në qarkun e Shkodrës. Çdo të thotë kjo për ju?
Kjo do të thotë shumëçka për mua. Qarku i Shkodrës përfshin Shkodrën, Pukën dhe Malësinë e Madhe dhe të përfaqësosh këtë qark kërkon vullnet, vendosmëri dhe aftësi.

Çfarë ju shtyu t’i futeshit rrugës së politikës?
Historia, dega që studioj, bën politikën e së kaluarës, ndërsa politika bën historinë e së tashmes e mendoj se janë të pandashme nga njëra-tjetra. Që t’i futem politikës më shtyu gjeni…Politika kërkon njerëz guximtar e mendoj se kjo cilësi nuk më mungon. Kush guxon del i fituar.

Pse zgjodhët pikërisht partinë mbretërore shqiptare - PLL-në?
Të zgjedh partinë Mbretërore nuk ishte një rastësi por një vazhdim i traditës familjare. Partia Lëvizja e Legalitetit nuk është një parti e formuar në tryezë të rrumbullakët dhe as një kërpudhë pas shiut, siç jemi mësuar tashmë të shohim parti të tjera. PLL ndjekëse e idealeve e vazhdim i Triumfit të Legalitetit të 1924. Ka një program të qartë, mbrojtëse e familjes së shëndoshë, mbrojtëse e idealeve kombëtare, mbrojtëse e pronës private si e drejte e ligjshme e çdokujt. Programi i PLL është ideali sesi duhet bërë Shqipëria e Shqiptarët. Atdheu qëndron mbi gjithçka, ky slogan duhet të na udhëheq në çdo hap të jetës, sepse duke dashur tokën mëmë mund të duam njeri-tjetrin. Pse PLL-të? Sepse nga Lacajt kanë dalë legalista të përbetuar që u vetëmohuan për hir të mbretërisë e kombit siç është Koloneli i karrierës Xhemal Laçi, i cili deri në frymën e fundit ndejti besnik i Mbretërisë. E ndjeva detyrë morale të jem një ndjekëse e denje e parimeve të tij.

Kush jua bëri propozimin për të kandiduar?
Propozimi m’u bë nga Legalistët siç është studiuesi Mjeshtër i Madh i Punës, Prof.Xhemal Meçi, ku në këshillin organizativ ishte lakuar emri im dhe pranuar njëzëri,

Pse zgjodhët pikërisht Pukën?
Në kuadër të qarkut të Shkodrës zgjodha Pukën sepse atje kam rrënjët e ngulura thellë ndër shekuj.

Çfarë do të bëni ju si deputete e ardhshme në parlamentin shqiptar, për këtë zonë?
Jo shumë ditë më parë vizitova Pukën dhe më të vërtete ai qytet ka aq shumë për të bërë saqë nuk di nga t’ja fillosh. Puka është një qytet i hershëm për nga historia që ka nevojë për investim, ti jepet rëndësi turizmit malor, njerëzit duhet të kenë më shumë mundësi punësimi duke hapur  fabrika e punishte. Ti jepet rëndësi pasurive minerale duke thithe investitorët e huaj e vendas që t’i shfrytëzojnë në dobi të qytetit pasuritë nëntokësore. Puka nuk duhet të lihet më si një qytet i harruar.

A do të jeni në krye të një fushate aktive?
Unë eci në një linjë me PLL, dhe gjithçka varet nga ata. Unë do punoj me të gjitha mundësitë.

Sa e vështirë sipas sistemit elektoral është për partitë e vogla?
E vështirë është por me votëbesimin e elektoratit do ja dalim mban e me sukses. PLL-ja nuk mund të krahasohet me partitë e tjera të vogla sepse nuk lindi kohët e fundit, ajo e ka dëshmuar veten në momentet kur kombi ka pasur më tepër nevoje. Partia Lëvizja Legalitetit ka nevojë për një frymë të re brenda saj për ta bërë sa me produktive dhe për të vazhduar TRADITËN e atyre që na e lanë amanet që ta mos shuhet.

Ku do ta përqendroni fushatën tuaj në programin e PLL apo premtimet tuaja?
Fushatën do ta përqendrojë në ndërthurje mes programit dhe mundësive reale e mjeteve që mund të kem në dore për të vepruar. Duhet vepruar dhe jo premtuar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›