Liberalizimi i vizave, Basha përshëndet hapjen e dialogut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha përshëndeti nga Bullgaria hapjen e dialogut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e vizave me këto vende. Ministri Basha, kryesoi delegacionin e vendit tonë në Samitin e Kryetarëve të Shteteve e të Qeverive të vendeve anëtare të SEECP dhe në punimet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), që u zhvillua në Pomorie të Bullgarisë, në datat 20-21 maj 2008. Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha theksoi në fjalën e tij se proçeset integruese nuk janë të plota pa lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. “Konkretizimi i këtij procesi duhet të vazhdojë të mbetet prioritet i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, nënvizoi ministri Basha duke përshëndetur nga Bullgaria hapjen e dialogut mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e vizave me këto vende”, tha ai. Duke evidentuar zhvillimet pozitive në rajonin tonë, Basha theksoi se “ftesa që NATO i bëri Shqipërisë e Kroacisë në Samitin e Bukureshtit është vlerësim i progresit të reformave në vendet tona dhe një hap i rëndësishëm për mbarë rajonin që ndikon për konsolidimin e sigurisë dhe stabilitetit”. Ministri Basha shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ecur përpara në procesin e reformave që bënë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ai shprehu bindjen se procesi i negociatave do të mbyllet me sukses duke mundësuar nënshkrimin e protokollit të aderimit të Shqipërisë në NATO brenda një kohe të shkurtër. “Shtrirja e NATO-s në Ballkan është zgjerim i hapësirave të sigurisë, stabilitetit e të zhvillimit, me anë të së cilës vendet e aleancës më të madhe të lirisë e demokracisë, demonstruan rëndësinë e rajonit të Europës Juglindore për stabilitetin e kontinentit europian e më gjerë”, nënvizoi ministri i Jashtëm. Më tej, kreu i diplomacisë shqiptare u ndal dhe tek shpallja e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008, që sipas tij shërben për të konsoliduar paqen dhe sigurinë në rajon. Ai siguroi se Shqipëria është e vendosur t’i japë mbështetjen maksimale realitetit të ri dhe proçeseve tashmë të pakthyeshme në Kosovë, me qëllim konsolidimin e një shteti të lirë, të pavarur, demokratik e plotësisht funksionues, që garanton dhe respekton të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Ministri Basha kërkoi përfshirjen e plotë të Kosovës në të gjitha strukturat dhe forumet e SEECP dhe organizatave të tjera të bashkëpunimit rajonal. Për herë të parë, Kosova u përfaqësua në këtë forum nga Ministri i Jashtëm, z. Skënder Hyseni. Në fjalën e tij, Ministri Hyseni konfirmoi vullnetin e Kosovës për të kontribuar në bashkëpunimin rajonal në Europën Juglindore dhe në forcimin e perspektivës europiane dhe euro-atlantike të gjithë rajonit. Ministri i Jashtëm kosovar bëri thirrje për bashkëpunim intensiv në fushën ekonomike dhe të investimeve të huaja në Kosovë, si dhe shprehu vullnetin e qeverisë për përfshirje të plotë në të gjitha strukturat dhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal. Fjala e Ministrit të Jashtëm kosovar u prit me interes nga pjesëmarrësit dhe media, ndërkohë që delegacioni serb i kryesuar nga presidenti Tadic dhe Ministri i Jashtëm Jeremic u larguan nga salla e samitit në shenjë proteste kundër përfaqësimit të Kosovës nga Ministri Hyseni. Gjatë zhvillimit të punimeve të Samitit, ministri Basha u takua dhe bisedoi me homologët e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme bullgar, Ivailo Kalfin, Ministrin e Punëve të Jashtme turk, Ali Babaxhan, Ministren e Punëve të Jashtme greke, Dora Bakojanis, Ministrin e Jashtëm rumun, Lazar Comanescu, Zëvendësministrja kroate, Jadranka Kosor, Kryeministrin malazez, Milo Djukanovic, etj.