E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave në qendër të bisedimeve me krerët e shtetit

12/04/2010 Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini viziton sot Tiranën

Zyrtari i lartë italian njihet si mbështetës i Shqipërisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, mbërrin sot në Tiranë, për të diskutuar me krerët më të lartë të shtetit shqiptar në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit evropian. Pritet që gjatë këtyre takimeve të jepet një mesazh i qartë në mbështetje ndaj vendit tonë dhe të heqjes së vizave nga ana e institucioneve më të larta evropiane. Shefi i diplomacisë italiane njihet si një ndër mbështetësit kryesorë të Shqipërisë dhe njëri ndër diplomatët e lartë, i cili ka lobuar për vendin tonë. Në axhendën e përcaktuar të kësaj vizite disaorëshe, Fratini do të ketë në fillim një takim pune kokë më kokë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta. Pas këtij takimi, mësohet se do të mbajnë një konferencë për shtyp. Më pas, ministri italian do t’i drejtohet selisë së Kryeministrisë, ku do të pritet në një takim të veçantë nga Kryeministri Sali Berisha. Edhe pas këtij takimi do të zhvillohet një konferencë për shtyp, ku do të përcillen rezultatet e bisedimeve. Ministri i Jashtëm italian do të vijojë vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar me takimin që i është rezervuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ky takim është parashikuar të zhvillohet rreth orës 13.00. Vizita e shefit të diplomacisë italiane shihet si një shenjë mbështetjeje ndaj heqjes së vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët shqiptarë. Vendi fqinjë ka mbajtur një pozitë të qartë si përkrahës i aspiratave integruese të Shqipërisë. Vetë Fratini ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë aspekt që prej kohës kur mbante pozitën e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Drejtësisë. Me këtë status, në vizitën që zhvilloi në Shqipëri më 7 mars 2008, deklaroi zyrtarisht hapjen e dialogut politik mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë për liberalizimin e regjimit të vizave.

Franko Fratini

Qëndrimet e ministrit italian kanë qenë gjithnjë të hapura e të qarta, duke luajtur rolin e avokatit të interesave evropiane të Shqipërinë në institucionet më të larta të BE-së. Më 27 tetor 2008, Franco Frattini vizitoi vendin tonë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Italisë. Gjatë kësaj vizite u nënshkruan edhe 5 marrëveshje të rëndësishme ekonomike dhe kontrata bashkëpunimi mes dy vendeve, dhe ai do të shprehte përkrahjen që vendi i tij i jep Shqipërisë. “Italia do të vazhdojë të mbështesë me bindje dhe me një energji akoma dhe më të madhe rrugën e integrimit euroatlantik të Shqipërisë”, deklaroi Fratini gjatë asaj vizite. Megjithatë, ai ka vënë theksin se ecuria e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë varet nga reformat dhe rezultatet që Shqipëria do të dijë të arrijë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›