E Diel, 1 Nëntor 2026

“Liberalizimi i vizave redukton aktivitetet e paligjshme dhe konsolidon sigurinë në rajon”

Kryeministri Berisha takon Ministrin e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihalis Kristoforidhis

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me ministrin e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihalis Kristoforidhis. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi protokollin e nënshkruar për bashkëpunimin në fushën e rendit publik midis dy vendeve, si një hap tjetër shumë të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ne fushën e rendit e sigurisë por edhe në konsolidimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy qeverive dhe të dy vendeve, në të gjitha fushat.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha rishprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të nënshkruar çdo marrëveshje, për të luftuar me efikasitet të plotë krimin, në dobi të forcimit të sigurisë dhe ruajtjes së rendit publik, si dhe jetës e pasurisë së qytetarëve të dy vendeve.

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihailis Kristoforidhis e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i transmetoi kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të kryeministrit grek Papandreu. Ministri grek vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis qeverive dhe të dy vendeve dhe i konfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe ne veçanti për heqjen sa më të shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë.

“Ne besojmë se liberalizmi i vizave për qytetarët shqiptarë për në hapësirat evropiane do të sjellë reduktim të mëtejshëm të aktiviteteve të paligjshme duke konsoliduar edhe më tej rendin e sigurinë në rajon”, u shpreh ministri grek. Në ketë kontekst, ministri Kristoforidhis e informoi kryeministrin Berisha për miratimin, në parlamentin grek, të ligjit, i cili lejon dhënien e shtetësisë për emigrantët e brezit të dytë, me banim të rregullt në Greqi, i cili pritet të sjellë një kontribut të rëndësishëm ne përmirësimin e mëtejshëm te kushteve te jetesës dhe për integrimin emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke

Kreu i qeverisë Berisha i shprehu ministrit grek mirënjohjen e qeverisë shqiptare dhe të mbarë shqiptarëve për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që vendi fqinj Greqia po i japin Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, në projektin madhor kombëtar për integrim në BE dhe në veçanti, në mbështetjen e Greqisë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Në takim u vlerësuan gjithashtu niveli shumë i lartë i shkëmbimeve ekonomike, pavarësisht krizës globale dhe në veçanti kontributi i investitorëve grekë në ekonominë shqiptare, përmes ndërmarrjes dhe realizimit të aktiviteteve seriozë ekonomikë, në sektorë shumë të rëndësishëm siç është ai i prodhimit të materialeve për ndërtim, sektorin financiar, ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore, etj.

Kryeministri Berisha dhe ministri grek Kristoforidhis rikonfirmuan vullnetin e të dy qeverive për të thelluar dhe zgjeruar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat ne dobi te interesit te ndërsjellë dhe te mirës se te dy popujve, miq e fqinj. Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit Kristoforidhis t’i ripohuar kryeministrit Papandreu dëshirën e tij për ta pritur së shpejti në Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›