E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së

Amendimet e ligjit të SHISH, reagon Partia Demokratike

Partia Demokratike reagon zyrtarisht ndaj pretendimeve të opozitës dhe të eksponentëve të afërt me të, mbi ligjin e SHISH-it, duke konfirmuar se çdo fjalë dhe çdo germë e këtij ligji pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së.

PD, si partia më e madhe e mazhorancës i bën thirrje Edvin Kristaq Ramës, që të dërgojë anëtarët socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe të paraqesë atje çështjet e ngritura dhe jo të flasë dhe të manipulojë opinionin publik, përmes deklaratave të paqarta mediatike. “Komentet mbi Ligjin e SHISH, të cilat Rama i bën pa e lexuar ligjin, Partia Demokratike qartëson se çdo germë, çdo fjalë e çdo fjali rreth këtij ligji është marrë dhe pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së. Njëkohësisht Partia Demokratike e fton Edi Ramën të dërgojë anëtarët e vetë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ku do të diskutohet ligji, dhe të paraqesë atje të gjitha vërejtjet që ka, por është e sigurt se s’ka për të pasur asnjë vërejtje”, u shpreh zëdhënësja e PD-së.

Partia Demokratike dënoi edhe shpifjeve e Edvinit dhe ndjekësve të tij për Institutin e Statistikave. Zëdhënësja e PD-së, u shpreh se sulmet fondamentale të Edvinit nuk do të pengojnë politikën e qeverisë për rritjen e investimeve dhe të zhvillimit ekonomik.

“Përsëri Edvin Kristaq Kriza, me shpifje e trillime të ulëta u përpoq t’i kundërvihej politikave sociale të qeverisë, rritjes së rrogave dhe pensioneve, rritjes së punësimit, rritjes së investimeve. Ndërkohë që dje si një fondamentalist i vërtetë sulmoi institutin e statistikave, të dhënat e të cilit kanë marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga institucionet më serioze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo dhe nga institucione të tjera nga e mbarë bota. Ndërsa në Korçë, Edvin 2 K (Kristaq Kriza) u ngrit sërish kundër investimeve të mëdha të qeverisë në këtë rreth, autostradës Qafë Plloçë - Qukës dhe Boshtit të Jugut, vetëm e vetëm se e di mirë se këto investime rrënojnë të ardhmen e tij politike të bazuar në kriza imagjinare , në shpifje e trillime”, deklaroi më tej zëdhënësja e PD-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›