Zëvendëskryeministri Ilir Meta flet pas takimeve në Beograd

Marrëdhëniet mes dy vendeve, nën një vizion të ri, e ardhmja e Kosovës, njëlloj si e ardhmja e të gjithë rajonit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, ka dhënë një konferencë për shtyp në ambientet e ambasadës shqiptare në Beograd, pas përfundimit të takimeve të vizitës zyrtare në Serbi. Shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh se në tërësi janë zhvilluar bisedime konstruktive me krerët më të lartë të qeverisë dhe shtetit serb, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe nisjen e një udhe të re pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve. Meta u shpreh se një temë kryesore e bisedimeve ka qenë edhe çështja e Kosovës, për të cilën siç u shpreh Zëvendëskryeministri rruga e vetme është integrimit në strukturat ashtu si të gjitha vendet e rajonit. Në këtë aspekt Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, i ka konfirmuar zyrtarëve të lartë të Beogradit se statusi i Kosovës është një çështje e mbyllur dhe se është i nevojshëm konsolidimi i institucioneve të shtetit të ri shqiptar, për të bërë të mundur afrimin e mëtejshëm me Bashkimin Evropian.
“Dua të shpreh edhe njëherë kënaqësinë time që kam pasur një vizitë zyrtare në Beograd, e cila përfundon me këtë konferencë shtypi në Beograd dhe që vazhdon me vizitën që unë do të bëj sot në Luginën e Preshevës, ku së bashku me ministrin e pushtetit lokal, z. Markoviç, do të takohemi edhe me përfaqësues të pushtetit lokal atje dhe të komunitetit shqiptar. Unë jam shumë i kënaqur për këtë vizitë, sepse mendoj që kemi pasur bisedime konstruktive, në mënyrë të veçantë me Presidentin Tadiç, por edhe me kolegë të tjerë. Pavarësisht se gjatë kësaj vizite u nënshkruan vetëm dy marrëveshje, besoj se është hapur rruga për të nënshkruar edhe shumë marrëveshje të tjera shumë shpejt. Shtatë marrëveshje konkrete janë paraqitur nga pala shqiptare dhe çdo marrëveshje e paraqitur nga pala serbe do të ishte shumë e mirëpritur nga ne. Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme, jo vetëm në planin e bashkëpunimit dypalësh, por sidomos për bashkëpunimin rajonal, në funksion të stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të shpejtojmë integrimin evropian të Shqipërisë, Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Vizita ime përkon edhe me 7-vjetorin e vrasjes së ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Xhinxhiç, i cili ishte pikërisht ai politikan i jashtëzakonshëm dhe vizionar që hapi një erë të re për Serbinë demokratike dhe evropiane, por dhe që kuptoi rëndësinë e këtij partneriteti të rëndësishëm midis Shqipërisë dhe Serbisë, midis shqiptarëve dhe serbëve.
Kjo ishte arsyeja pse vizita ime nisi me homazhin në varrin e këtij njeriu të madh dhe besoj se kjo figurë e madhe do të vazhdojë të frymëzojë me vizionin dhe kurajën që tregoi të gjitha forcat progresiste dhe ‘pro’ evropiane në këtë vend, por edhe në rajonin tonë. Unë jam i bindur se marrëdhëniet bilateriale do të përparojnë, bashkëpunimi ynë në kuadrin rajonal do të përparojë. Sikurse e dini dhe e bëmë të qartë dhe në konferencën për shtyp, ne ndajmë në mënyrë serioze pikëpamje të ndryshme për çështjen e Kosovës, por njëkohësisht kemi vendosur që pavarësisht nga këto diferenca thelbësore, të mos e frenojmë dhe ngadalësojmë bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal, duke besuar që në këtë mënyrë të ndihmojmë dhe përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë dhe kudo në rajonin tonë, sepse pavarësisht nga dallimet thelbësore që kemi për Statusin e Kosovës, biem dakord që e ardhmja e saj është në BE, dhe kjo është çështje gjithnjë duhet adresuar në mënyrë konstruktive dhe evropiane. Për Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare është e nevojshme të çlirojmë sa më shumë energji pozitive dhe t’i përqendrojmë të gjitha drejt së ardhmes”, u shpreh Meta, gjatë konferencës për shtyp.
I pyetur nga gazetarët për qëllimin e vizitës në Serbi, Meta tha se arsyeja është shumë e qartë. Ai theksoi se ndodhej në Beograd sepse Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare në Bashkimin Evropian, ashtu siç të njëjtën gjë kërkon edhe Serbia.
Sipas tij, kjo mund të arrihet vetëm në sajë të konsolidimit, fuqizimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve midis dy shteteve të rajonit.
“Arsyeja e vizitës është shumë e qartë. Unë jam në Beograd sepse ne duam të jemi sa më shpejt në Bruksel jo si të ftuar, por si anëtarë të barabartë të BE-së dhe sikurse ju e dini, edhe Serbia kërkon të njëjtën gjë. Kjo natyrisht kërkon në radhë të parë një bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ky bashkëpunim është një utopi pa përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi dhe më gjerë, të shqiptarëve dhe serbëve, dhe akoma më gjerë të shqiptarëve dhe sllavëve në Ballkan. Dhe unë jam i bindur që pavarësisht se marrëdhëniet mund të kishin qenë më dinamike, unë besoj se kjo vizitë dhe vizita të tjera të nivelit të lartë midis dy vendeve do të sjellin një progres të shpejtë dhe të padiskutueshëm”, vijoi Meta.
Biseda telefonike me kryeministrin Thaçi
I pyetur nga gazetarët, Meta pranoi se përpara se të vizitonte Serbinë kishte pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Natyrisht që unë kam pasur një bisedë telefonike, thjesht duke bërë të njohur këtë vizitë dhe qëllimet e saj. Dhe natyrisht që lidershipi atje i mirëkupton këto qëllime, sepse absolutisht që Shqipëria dhe Serbia kanë një rol të pazëvendësueshëm për një pajtim të sinqertë, të qëndrueshëm dhe të përhershëm midis shqiptarëve dhe serbëve”, - nënvizoi Meta.
...