Liberalizohen universitetet, trefishohet numri i studentëve në universitetet publike
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka pohuar se këtë vit do të trefishohet numri i studentëve që do të arsimohen në universitet publike. Kryeministri Berisha bëri të ditur se këtë vit akademik (2010- 2011) do të ketë një
rritje prej 11 % të pranimeve në universitete publike të vendit krahasuar me një vit më parë. Kjo përbën një hap të madh përpara objektivit të qeverisë që tre vitet që vijnë të arrihet në 150 mijë studentë në shkollat publike dhe private të vendit. Për kuotat e pranimit në institucionet publike, cikli i parë i studimeve me kohë të plotë, si dhe për tarifat e shkollimit, për vitin akademik 2010- 2011, ka thënë Berisha duke shtuar se në universitete publike do të pranohen 23534 studentë në 181 degë dhe profile të këtyre shkollave. Ndërkohë Berisha ka njoftuar se krahasuar me një vit më parë, do të rritet pothuajse tre herë pranimet në ICT, në shkencat e shoqërisë së informacionit dhe teknologjisë së lartë. Një rritje e domosdoshme kjo në kuadrin e ndërtimit të Shqipërisë dixhitale. Gjatë këtij viti është rritur në 17 numri i shkollave profesionale që ka degë të ICT, por gjatë këtij viti pothuaj trefishohet numri i studentëve, të cilët pranohen në degët e teknologjisë së informacionit. Në 20 degë të kësaj teknologjie pranohen këtë vit në sektorin publik 4170 studentë dhe kjo përbën një numër të konsiderueshëm, ka thënë Berisha. Sipas Berishës është një përpjekje serioze për tu përshtatur me kushtet e tregut duke ju kërkuar universiteteve private për të rritur pranimet, por duke plotësuar kushtet njëherë. Gjatë këtij viti është rritur numri i shkollave profesionale, numër ky që ka shkuar në 17, që ka degë të ICT, në këtë vit sipas statistikave të bëra me dije nga Qeveria kjo është trefishuar. Në 20 degë të kësaj teknologjie pranohen këtë vit, në sektorin publik, 4170 studentë dhe kjo përbën një numër të konsiderueshëm, ka thënë Berisha duke shtuar se mbi 20 % e pranimeve janë në biznes, menaxhim, në fushën e ekonomisë. Gjuhët e huaja zënë rreth 7 % dhe rreth 70 % e tyre i përkasin gjuhës angleze, ka bërë me dije Berisha, duke shtuar se në rast se këtë vit, në universitetet publike nisin studimet për fushën e teknologjisë së informacionit, 4170 studentë atëherë, qoftë 1500 apo 2000 studentë, do të mund të nisnin në sektorin privat dhe kjo do të ishte një përgjigje akoma më agresive ndaj nevojave gjithnjë në rritje të Shqipërisë dixhitale, për shkollimin e rinisë, në këtë fushë. Sikundër,ka thënë ai, do të kërkoja zoti Ministër të shqyrtohej mundësia që edhe në shtimin e pranimeve në gjuhët e huaja, gjuha angleze të përparësojë edhe më shumë, në përputhje me objektivin tonë madhor. E ndërsa ka vënë theksin tek ndryshimi i teksteve Berisha i ka kërkuar Ministrit të Arsimit të marrë masa për të ndryshuar menjëherë tekstet që po i përdorim për një kohë të gjatë, dhe që kanë prejardhje nga koha komuniste, e cila na la të ngujuar edhe me tekstet. Është e domosdoshme të marrësh direkt kontakt me Ministrin e Arsimit të Maqedonisë dhe Ministrin e Arsimit të Kosovës , sepse tekstet janë edhe treg dhe ky fakt nuk mund të injorohet. Një ditë takova një botues të këtyre teksteve, i cili punonte duke marrë tekste të përkthyera në shqip, në universitetet e Maqedonisë dhe më shpjegoi se si po e redaktonte me specialistë që e njohin shumë mirë gjuhën. Kjo kërkon një punë shumë serioze, ka thënë Berisha duke shtuar se është e domosdoshme që fakultetet të përcaktojnë tekstet që do të përkthejnë. Në vitet, kur unë kam dhënë mësim ka qenë e qartë se ka patur tekste, në një fushë të caktuar që nuk krahasohej me asnjë tjetër, por në atë kohë nuk lejohej përkthimi, ka përfunduar ai.
Berisha: Të dalin nga qarkullimi tekstet që na mbyllën me botën
Kryeministri ka theksuar sërish në mbledhjen e Qeverisë, problemin e teksteve të universiteteve. Berisha ka pohuar se duhet të ikin nga qarkullimi librat e huaj që kanë që në kohën e komunizmit, libra të cilët na mbyllën me botën. Në këtë kontekst, Berisha kërkoi që në bashkëpunim me shoqatën e rektorëve të përgatitet një vendim, i cili do ti çlirojë studentët nga një mori tekstesh të mykura, të cilat datojnë, në raste të caktuara në vitet 70, duke bërë zëvendësimin e tyre me tekstet më të reja moderne e bashkëkohore. Kryeministri garantoi se në buxhetin e këtij viti, zëri i teksteve shkollore do të jetë më i rëndësishmi. E ndërsa ka theksuar se universitetet do të pajisen me librarinë dixhitale. Kryeministri u shpreh se nëpërmjet Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe në bashkëpunim me rektoratet duhet të shqyrtohet seriozisht ky problem. Është e domosdoshme dhe me përparësi të madhe që ose në librarinë e universitetit, ose mbi bazë departamentesh dhe fakultetesh të sigurohet libraria dixhitale në të cilën studiuesit të kenë dhe të gjejnë titujt kryesorë të periodikut të tyre në Evropë dhe në botë, ka theksuar ai. Tekstet serioze, tekstet më të mira janë jetike, në radhë të parë për përgatitjen e pedagogëve. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe, sepse në qoftë se tekstet trajtojnë të vërteta shkencore, nuk është e vërtetë se secili që shkruan tekstin ka të njëjtën aftësi, për ta paraqitur, konturuar dhe servirur atë, ka thënë kryeministri duke shtuar se në buxhetin e këtij viti zëri i teksteve, do të jetë një nga zërat më të rëndësishëm. Së bashku me Shoqatën e Rektorëve unë kërkoj që të përgatitet një vendim, i cili t'i çlirojë studentët nga një mori tekstesh të mykura, të cilat datojnë, në disa raste, në vitet 70, në kohën kur na detyronin të shkruanim tekste sepse nuk duhet të futeshin tekstet e huaja, ka thënë Berisha duke pohuar se këto libra nuk duhet të na kujtojnë politikën e mbylljes së Shqipërisë. Tekstet fatmirësisht kanë një situatë mjaft pozitive në universitetet e Maqedonisë. Ne mund t'i marrim ato dhe krijohet kështu një treg në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Për hir të tregut, të bashkërendohet përkthimi dhe kjo i shërben shumë rritjes së cilësisë së mësimdhënies, formimit, azhornimit të pedagogëve, doktorëve, asistentëve, studentëve."
Ambasada Italiane publikon datat dhe procedurat për aplikantët për studime
Duke filluar nga data 12 korrik 2010 deri me datën e pakthyeshme të 30 korrikut 2010 studentët që kanë paraqitur kërkesën për regjistrim pranë Ambasadës italiane në Tiranë mund ti drejtohen agjencisë me të afërt të Albanian Courier Union Net e cila do të realizojë dërgimin në Ambasadën italiane në Tiranë të dokumentacionit shkollor, dokumentacionit për lëshimin e vizës për studim/Universitet dhe pasaportën. Në vijim të verifikimit për plotësimin e kritereve të parashikuara nga normativa dhe të konfirmimit nga ana e Universiteteve italiane, Ambasada Italiane do të lëshojë vizat hyrëse për Studim/Universitet. Në bazë të normativës në fuqi, vizat për Studim/Universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri me 31 janar 2011. Pasaporta do tu kthehet të interesuarve me anë të korrierit postar Albanian Courier, bashkë me dokumentacionin që studentët duhet të paraqesin në origjinal pranë Universitetit ne Itali. Për ridorëzimin e dokumenteve studentët duhet ti paguajnë korrierit një tarife prej 198 lekësh (përfshirë TVSH) nëse banojnë në Tiranë, 300 lekë (përfshirë TVSH) nëse banojnë në qytete të tjera. Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumenteve të legalizuar do të kryhet nga data 18 deri më 21 gusht 2010. Nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë. Për të ditur zyrën e korrierit Albanian Courier Union Net më të afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni në numrat e telefonit 04 2357976 dhe 04 2357977 ose me e-mail
This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it
. Te gjithë modulet e nevojshme shpërndahen falas pranë Ambasadës italiane, pranë zyrave të Albanian Courier Union Net dhe mund të shkarkohen nga faqja e internetit ëëë.ambtirana.esteri.it .