E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferaj, memorandum mirëkuptimi me Drejtorinë e Korpusit Amerikan të Paqes

Në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Riniseë dhe Sporteve. Ministri, Xhaferaj nënshkroi një Memorandum të ri Mirëkuptimi me Drejtorinë e Korpusit Amerikan të Paqes, përfaqësuar nga z. Hill Denham. Korpusi i Paqes u themelua në vitin 1961 nga presidenti

John F. Kennedy. Qëllimi i Korpusit të Paqes është të promovoje një kuptim dhe njohje dypalëshe midis popullit amerikan dhe popujve të kombeve të tjera si dhe të kontribuojë në adresimin e nevojave për zhvillim të vendeve pritëse. Korpusi Amerikan i Paqes në Shqipëri ka rreth 100 vullnetarë të vendosur në mbarë vendin të cilët punojnë në programet e Zhvillimit Komunitar dhe Organizativ, Edukimit Shëndetësor dhe Mësimdhënies se Gjuhës Angleze. Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Korpusit të Paqes dhe MTKRS përbën një rast të shënuar jo vetëm të forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA-së por edhe të iniciativave konkrete të cilat ofrojnë mbështetje për institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, pjesëtarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri do të kenë mundësi të përdorin aftësitë dhe kontributin e tyre vullnetar në ndihmë të përkrahjes së: zhvillimit lokal përmes nxitjes së turizmit, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe  promovimit të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. Vullneti dhe dëshira e tyre, në dobi të mbështetjes së komuniteteve lokale në të gjithë vendin, përkon mjaft mirë me filozofinë dhe interesin e qeverisë e veçanërisht të MTKRS për të përcjellë idenë e ndryshimit, duke rivënë në punë energjitë e aftësitë e njerëzve që punojnë në njësitë vendore me potenciale turistike. Qëllimi i programit të Zhvillimit Komunitar dhe Organizativ është të zhvillojë komunitete dhe organizata në Shqipëri. Vullnetarët në këtë program janë caktuar të punojnë me njësitë e pushtetit vendor, OJQ-të, shoqatat e biznesit, Drejtoritë e Monumenteve të Kulturës në rrethe dhe po punojnë për të promovuar ngritjen e kapaciteteve në këto institucione dhe për të rritur bashkëpunimin ndërmjet pushtetit vendor dhe qytetarëve. Ky memorandum mirëkuptimi është rinovimi i një memorandumi të mëparshëm i cili njeh bashkëpunimin dhe mbështet përfshirjen e Vullnetarëve të Korpusit të Paqes për të ndihmuar organizatat dhe anëtarët e komuniteteve shqiptare në procesin e zhvillimit të fushave të: Turizmit (zhvillimin dhe promovimin e turizmit, mobilizimin e anëtarëve të komuniteteve dhe bizneseve lokale në përmirësimin e shërbimeve turistike, promovimin e turizmit komunitar, ndihmë zyrave të informacionit për turizëm, etj); Rinisë (promovimin e zhvillimit të rinisë nëpërmjet mësimit të gjuhës angleze, kompjuterit, lidershipit dhe aftësimit për jetën dhe promovimin e vullnetarizimit); Ruajtjen e trashëgimisë kulturore (ndihmë në mobilizimin e komuniteteve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në restaurimin e tyre; në organizimin e evenimenteve, në vendosjen e kontakteve midis anëtarëve lokalë dhe donatorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë. E veçanta e kësaj marrëveshjeje është tek fakti, se në të, ndihma financiare e drejtpërdrejtë, e cila qëndron pas marrëveshjeve të tilla, është zëvendësuar me aftësitë, dëshirën, vullnetin dhe pasionin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes, të cilët presin të punojnë drejtpërdrejt me njerëzit dhe institucionet lokale të kulturës e turizmit, jo vetëm për të ringjallur e forcuar tek ata përpjekjet për një turizëm sa më cilësor e në dobi të ekonomisë së tyre por edhe për të ndërtuar marrëdhënie njerëzore që forcojnë miqësinë tonë. Ish-presidenti Xhon Kenedi, një ndër iniciatorët dhe themeluesit e Korpusit të Paqes, në fjalimin e tij inauguruese si presidenti i SHBA do të shprehej se mos pyet se çfarë bën vendi për ty, por se çfarë bën ti për vendin.

Ura e Velabishtit në Berat, në projektet restauruese
Në qytetin e Beratit pritet të nisë së shpejti restaurimi i një prej monumenteve kulturore, që nuk janë të pakta në këtë qytet. Ura e Velabishtit, së shpejti do t'i nënshtrohet restaurimit, pasi prej vitesh ajo ishte lënë në mëshirë të fatit, ku ajo do të restaurohet nga specialistë të monumenteve të kulturës. Projekti për shpëtimin e vlerave muzeale në këtë qytet, parashikon dhe ndërtimin e një tjetër ure në fshatin Velabisht, gjë e cila do të mundësojë qarkullimin e mjeteve në zonën ku ndodhet.  Për restaurimin e Urës së Velabishtit, është mundësuar lëvrimi i një fondi prej 250 milionë lekësh të vjetra për ndërtimin e një ure të re dhe restaurimin e urës aktuale. Në bashkëpunim me Komunën Velabisht, me një pjesë të këtij fondi të akorduar nga Fondi i Zhvillimit, do të ndërtohet një ure e re në këtë fshat, ndërkohë që një pjesë tjetër do t'i kalojë Monumenteve të Kulturës për të restauruar urën aktuale. Projekti i hartuar nga Monumentet e Kulturës parashikon restaurimin e plotë të saj, ndërkohë që punimet pritet të fillojnë së shpejti.   Ndërkaq që nuk do të ketë më kalime mbi urë të mjeteve të tonazhit të rëndë, pasi kjo do të sillte sërish rrënimin e saj edhe pas restaurimit.

Pjetër Vukaj, me punime artizanale në Muzeun Kombëtar
Punime të veçanta artizanale vijnë para publikut, të cilat janë punuar me shumë pasion nga një prej mjeshtrave më të mëdhenj të artizanatit shqiptar. Në vijim të ekspozitave që janë hapur në Muzeun Historik Kombëtar dje u hap dhe ekspozita e mjeshtrit artizan, Pjetër Vukaj. Për publikun janë shtatëdhjetë punime në teknikën e gërvishtjes në lëkurë dhe gdhendjes në dru. Druri dhe lëkura e dhenve kthehet nga duart e artistit në mjet me të cilin ai shprehet me plot origjinalitet, duke sjellë krijime të bukura artistike. Vukaj në këtë ekspozitë ka prezantuar kompozime të figurave historike dhe portrete femrash. Ndër veprat e ekspozuara, është edhe një lahutë e gjatë 2 metra e 40 centimetra, e cila është realizuar me dru arre. Autori Pjetër Vukaj, pas viteve '90, ka hapur disa ekspozita personale brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ekspozita me 70-të punime, do të qëndrojë e hapur, edhe sot për të gjithë artdashësit.

Last Updated on E Merkure, 07 Korrik 2010 18:13

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›