E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberman: Të ndërpriten marrëdhëniet me Palestinën

Autoritetet palestineze planifikojnë “gjakderdhje të paparë” në demonstratat masive muajin e ardhshëm, pas mbështetjes së pritur të Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e shtetit palestinez, deklaroi ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Liberman. Ai nuk ka dhënë dëshmi për një pohim të tillë, por kërkoi nga shteti i tij që të ashpërsojë dhe të ndërpresë marrëdhëniet me qeverinë palestineze në Bregun Perëndimor. “Ata thonë se nuk duan dhunë, por autoritetet palestineze planifikojnë një gjakderdhje të paparë. Do të dërgojnë shumë njerëz për të sulmuar punktet e bllokadës së rrugëve”, tha Liberman. Zëdhënësi i MPJ-së izraelite tha se shefi i diplomacisë i ka nxjerrë këto konkluzione nga raportet e shërbimeve të zbulimit dhe deklaratave të zyrtarëve palestinezë. Ndërkaq autoritetet palestineze mohuan se janë duke u përgatitur për dhunë. “Parashikimet e Izraelit se do të ketë dhunë nuk janë të vërteta. Izraeli po përpiqet të krijojë imazh të rremë për atë që do të ndodhë në shtator”, tha zëdhënësi Gasan Katib. “Ne do të kërkojmë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, nga Kombet e Bashkuara, në përputhje me ligjin, që të na ndihmojnë për të përfunduar okupimin ilegal. Ajo që është ilegale është okupimi, e jo përpjekjet për të përfunduar okupimin”, shtoi ai.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›