E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libi, NATO i bombardon rezidencën, Gedafi nuk ikën

Forcat e NATO-s gjatë natës kanë bombarduar zyrat qendrore të kolonel Gedafit, në Tripoli, duke shkatërruar disa nga dhomat e përdorura për mbledhje emergjencash, pranë bunkerit ku strehohet ai dhe familja e tij.Sipas një zëdhënësi të qeverisë, ndërhyrja ka shkaktuar tre të vdekur dhe 45 të plagosur. Por Gedafi nuk ka pësuar asgjë nga ky sulm, edhe pse zyra e tij e shtypit e paraqiti këtë bombardim si një përpjekje për të vrarë vetë kolonelin. Sulmi ka ardhur pas raportimeve të disa mediave, se perëndimi tani po kërkon nga NATO-ja që Muamar Gedafi të bëhet një shënjestër reale e bombardimeve. Madje, ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hague, tha se mund të përdoren avionët e telekomanduar amerikanë Predator, për të kryer këtë akt. Sipas burimeve mediatike libiane, bombardimet e NATO-s kanë vrarë edhe disa fëmijë. Dëmet më të rënda janë kryer në kompleksin Bab al-Aziziyah në Tripoli, në një ndërtesë që shërbente si bibliotekë dhe zyrë për Gedafin, e cila është shkatërruar tërësisht, dhe po ashtu është dëmtuar pjesërisht edhe një ndërtesë tjetër, ku Gedafi priste personalitetet e larta. Pas këtij sulmi të NATO-s, i cili ishte më i afërti me vetë Gedafin, qindra mbështetës të tij janë ngjitur mbi gërmadhat e ndërtesës së shkatërruar, duke bërtitur Sulmues të NATO-s, keni vrarë edhe fëmijë. Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet e qeverisë libiane për të arritur një plan paqeje me rebelët. Ministri i Jashtëm libian, Abdelati Obeidi, ka udhëtuar për në Adis Abeba, për të diskutuar planin e paqes të propozuar nga Unioni Afrikan për ti dhënë fund krizës që nis më 17 shkurt 2011 me revoltën popullore kundër Gedafit. Zëdhënësi i qeverisë libiane, Musa Ibrahim, ka konfirmuar se edhe Maroku është përfshirë në sforcimet për të gjetur një zgjidhje për këtë luftë. Kështu janë shtuar palët që po diskutojnë një plan paqeje, ku deri tani ishin përfshirë Rusia, Greqia, Turqia dhe qeveritë e Amerikës Latine. Qeveria libiane e ka pranuar planin e paqes së propozuar nga Unioni Afrikan në fillim të muajit prill, por ai nuk është mbështetur nga Këshilli Nacional Tranzicional i opozitës. Në tekstin e dokumentit flitet për armëpushim të menjëhershëm dhe mbrojtje të civilëve, por jo dorëheqje të Gedafit.

Plani Britani-SHBA

Britania dhe SHBA-ja sot do të ekzaminojnë mënyra të reja për të rrëzuar forcat e Muamar Gedafit brenda Libisë, duke parë si mundësi ndërprerjen e furnizimit me karburant për forcat e  armatosura të liderit libian në terren. Ndërsa NATO do të vazhdojë bombardimet, pritet që Britania dhe SHBA-ja të shfrytëzojnë mundësinë për të vendosur një bllokadë marine mbi furnizimin për regjimin. Liam Foks, Sekretari britanik i Mbrojtjes, do të takohet sot me homologun e tij amerikan Robert Gejts në Uashington për të diskutuar mbi konfliktin. Ata do të diskutojnë në formatin dy plus dy me Gjeneralin Sër David Riçards, kreu i stafit britanik të mbrojtjes dhe Admiralin Majk Mullen, kryetari i stafit të përbashkët amerikan.

Sulme të ashpra në Qytetin Martir

Në Misrata, qendra e vetme perëndimore në duart e rebelëve,  vazhdojnë sulmet e forcave besnike të Gedafit. Sipas disa dëshmive në TV Al Arabiya, gjatë sulmeve në këtë qytet prej forcave të Gedafit, kanë mbetur të vrarë 30 veta dhe rreth 60 të tjerë janë plagosur. Ahmed al Qadi, një inxhinier që punon për një radio disidente tha se Misrata ka marrë emrin Qyteti Martir dhe se aty aktualisht vazhdojnë bombardime intensive mbi zona të banuara. Tani trupat e djegur dërgohen nëpër spitale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›