E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakër e ushtrisë në Siri, 300 të vdekur në 3 ditë

Rreth 25 viktima të tjera i janë shtuar gjakderdhjes në Siri, pas vazhdimit të protestave antiqeveritare që kërkojnë largimin Presidentit Bashar Al Asad. Që të premten, e cila ishte dita më e përgjakshme në historinë e protestave në Siri, ku u shënuan 120 të vdekur, numri i viktimave brenda këtyre tri ditëve ka arritur në 300 vetë. Të paktën 25 u vranë dje vetëm në Daraa, në jug të vendit. Sipas dëshmitarëve për televizionin al Arabiya, të vdekurit mund të jenë shumë më tepër. Ka viktima nëpër rrugë dhe forcat e ushtrisë po vazhdojnë të qëllojnë qendrat e banuara me plumba mortaje. Mjetet e blinduara godasin shtëpitë. Sipas shënimeve në rrjetin Tweeter, zona e Daraas mbetet plotësisht e izoluar dhe nuk ka as rrjet celular funksional. Dëshmitarët kanë treguar se tetë tanke dhe dy mjete të blinduara po qëndrojnë në sheshin historik të këtij qyteti. Sulmet e ushtrisë kanë nisur menjëherë pas përfundimit të lutjes së agimit, ku të shtënat e tyre kanë qenë sipas rastit, pa marrë parasysh kë kishin përpara. Ka raportime se edhe ata persona të cilët ishin të plagosur, nuk mundje të merreshin për tu dërguar në spital, pasi mjetet e blinduara nuk lejonin askënd të qarkullonte. Ndërkohë, Siria ka mbyllur të gjitha kalimet në kufi me Jordaninë, pas ofensivës në Daraa. Burime diplomatike nga qyteti i Amanit njoftuan se kalimi tranzit në pikat kufitare të Daraas dhe Nasibit është bllokuar. Ndërkohë, nga ndërhyrja e 3 mijë trupave ushtarake me tanke të blinduara në Daraa, numri i viktimave pritet të shtohet. Qyteti jugor tashmë është kthyer në epiqendër të protestave dhe qeveria ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme. Raportohet se ushtria ka hyrë me forcë në disa shtëpi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›