Libi, atentat terrorist konsullatës së SHBA-ve në Bengazi, vdes ambasadori Kristofer Stivens
Vritet në Libi ambasadori amerikan dhe tre funksionarë të tjerë të misionit diplomatik amerikan në këtë vend. Mediat raportojnë se viktimat kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të kryera në konsullatën që ndodhet në Bengazi. Bëhet me dije se diplomati amerikan Chris Stevens, ka vdekur nga asfiksia, për shkak të tymit të krijuar nga flakët, pas zjarr të vënë nga protestuesit në konsullatë. Fillimisht u raportua se një zyrtar amerikan mbeti i vrarë pasi milicët sulmuan konsullatën amerikane në qytetin libian të Bengazit. Besohet se protesta u mbajt për një film të prodhimit amerikan që sipas protestuesve fyen Profetin Muhamed. Protesta janë mbajtur edhe në Ambasadën Amerikane në kryeqytetin egjiptian, Kajro. Të paktën 2.000 demonstrues u mblodhën jashtë ambasadës në kryeqytetin egjiptian. Disa protestues hypën mbi mur, ulën flamurin amerikan dhe e zëvendësuan atë me një flamur islamik. Nuk është e qartë nëse dy incidentet ishin të bashkërenduara. Raportet e mediave thonë se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit. Dëshmitarët thonë se protesta në Bengazi shkaktoi një konfrontim mes forcave qeveritare të sigurisë dhe milicisë së armatosur të njohur si brigada Ansar al-Sharia. Mediat raportuan se një turmë e zemëruar e mbledhur jashtë konsullatës i vuri zjarrin ndërtesës. Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi sulmin dhe tha se qeveria është duke punuar me libianët që të sigurojnë kompleksin. Me anë të një deklarate, Departamenti i Shtetit tha se SHBA dënon në termat më të ashpër këtë sulm në misionin diplomatik amerikan. Raportet e mediave thonë se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit. Protestat përkuan me 11 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Liderët botërorë dënojnë sulmin ndaj konsullatës amerikane
Kreu i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ku humbën jetën ambasadori i SHBA-së, Kristofer Stivens, dhe tre shtetas të tjerë amerikanë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka deklaruar se “një dhunë e tillë nuk mund të justifikohet kurrë”. Nga ana tjetër shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, e ka cilësuar sulmin si “të neveritshme”. Ky është krim i papranueshëm dhe i urryer, ka thënë presidenti i Francës, Fransua Holland, duke iu bërë thirrje autoriteteve libiane që “të hedhin dritë mbi ngjarjen”. Kreu i Asamblesë Kombëtare të Libisë, Muhamed Magarife, është zotuar se Tripoli do të sjellë autorët para drejtësisë. Sulmi në Bengazi thuhet se ka qenë reagim i zemëruar ndaj një filmi që “fyen” Profetin Muhamed. Filmi raportohet të jetë bërë nga një izraelito-amerikan, me emrin Sam Bacile. Disa orë para sulmit në Bengazi është sulmuar edhe kompleksi i Ambasadës së SHBA-së në Kajro, në shenjë proteste kundër filmit. Në Egjipt, Vëllazëria Myslimane ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të premten.
...