Libi, dorëzohet kryespiuni i Gedafit

Abdullah Al Sanusi
Lajmi për kapjen e Saif Al Islam Gedafi, djalit të Muamar Gedafit, bëri që të dorëzohet kreu i shërbimeve sekrete të Libisë, 62 vjeçari Abdullah Al Sanusi.
Agjencia e lajmeve Reuters, raporton se kryespiuni libian u gjet në shtëpinë e së motrës në jug të vendit. Sanusi, kunati i kolonelit dhe një prej miqve të tij më të ngushtë, ishte i fundit në listën e të akuzuarve për krime lufte, nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Ndërkohë që Saif Al Islam pritet të merret në pyetje nga prokurorët libiane, në një vend të mbajtur deri tani sekret, që besohet se është në qytetin perëndimor të Zintanit.
Sanusi akuzohet gjithashtu edhe për abuzim të të drejtave të njeriut, si dhe përfshirjen në masakrën e vitit 1996, të mbi 1000 të burgosurve në burgun e Tripolit.