Libi, protesta për autonomi në Benghazi

Përleshje të dhunshme në një manifestim përmes të cilit kërkohej gjysmëautonomi për territorin në lindje të Libisë janë regjistruar në Bengazi, ku si pasojë një person ka humbur jetën. Dëshmitarët deklarojnë se një turmë që ngrinte parulla për gjysmëautonomi për rajonin Sirenaika u sulmua nga persona të armatosur, të cilët hapën zjarr. Plani në fjalë kërkon krijimin e një parlamenti rajonal me kontroll mbi policinë, por druhet se ai mund të ndajë Libinë. Plani ka shkaktuar kritika të ashpra nga shumë politikanë që mendojnë se ai mund të çojë në shpërbërjen e vendit, shkruan tch. Dhuna e së premtes erdhi pasi qindra persona marshuan në Sheshin e Lirisë, në Bengazi, ku Ahmed Zubair al Senussi, kryetar i këshillit rajonal që kërkon ndarjen, mbajti një fjalim. Dëshmitarët deklaruan se persona të armatosur me pushkë dhe thika kërcënuan turmën. Një protestues, Bashar al Denali, tha se personat e tubuar u trembën dhe braktisën sheshin, që u pushtua më pas nga personat e armatosur. Burime spitalore deklaruan se një person është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Milicitë ushtarake në Bengazi, që kanë qenë përgjegjëse për sigurinë në qytet që nga rënia e Muammar Gaddafi-t vitin e kaluar, përzunë agresorët dhe vendosën rendin, thanë disa dëshmitarë. Të premten e kaluar, demonstruesit mbushën rrugët e Tripolit dhe Bengazit për të protestuar kundër federalizmit. Pas pavarësisë në vitit 1951, tre rajonet e Libisë, Sirenaika, Tripolitania dhe Fezani gëzonin pushtet federal, derisa vendi u unifikua në një shtet të vetëm në vitin 1963.