Libi, vritet djali i Gadafit

Djali i kolonel Gadafit, Hamis u vra gjatë një beteje pranë Tripolit, deklaroi një zyrtar i lartë i kryengritësve libianë.
Koloneli Al Mahdi al Harangi, i cili është përgjegjës për brigadën ushtarake të rebelëve në Tripoli, shtoi se e ka konfirmuar se Hamis u plagos rëndë në rajonin Ben Ualid dhe më pas u dërgua në spital ku edhe la frymën e fundit.
Më pas, siç shprehet Al Harangi, ai u varros në atë rajon, por nuk bëri të ditur se kur saktësisht u vra djali i kolonelit. Sidoqoftë deri në këto momente vdekja e tij nuk konfirmohet nga burime të pavaruara.
Ndërkaq Ministria e Jashtme e Algjerisë deklaroi se gruaja, vajza dhe dy djem të Muhamar Gadafit ndodhen në këtë vend. Por kryengritësit e konsideruan një veprim agresiv dhënien e strehimit për familjen e kolonelit si dhe deklaruan se do të kërkojnë ekstradimin e tyre në Libi.