Libia, skadon afati për të kërkuar autorizim nga Kongresi
Administrata Obama vazhdon t`i dalë në mbrojtje ligjshmërisë së angazhimit ushtarak amerikan në Libi, ndërkohë që skadoi afati prej 90 ditësh për të marrë miratimin e Kongresit për operacionet.
Dje u mbushën 90 ditë që kur Presidenti Barak Obama njoftoi Kongresin për përdorimin e forcës ushtarake amerikane mbi qiejt e Libisë. Ndërkohë Nato vazhdon operacionet për të mbrojtur civilët dhe me shpresën se Moamar Gadafi do të detyrohet të largohet nga pushteti.
Sipas një ligji të vitit 1973, presidentët amerikanë kanë 60 ditë për të marrë autorizim nga Kongresi për angazhime madhore ushtarake jashtë vendit, dhe 30 ditë shtesë për t`u tërhequr nëse nuk jepet autorizimi dhe nuk miratohet një zgjatje e afatit maksimal.
Kongresi as nuk ka miratuar veprimet në Libi, as nuk i ka dhënë Presidentit Obama kohë shtesë për të përmbushur kushtet e ligjit.
Administrata argumenton se po luan një rol mbështetës për operacionet e NATO-s dhe nuk ka dërguar trupa tokësore prandaj nuk është e nevojshme të kërkojë miratimin e Kongresit. Por kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Xhon Bejnër e sfidoi këtë argument.
"Ne bëjmë pjesë në përpjekjet që po hedhin bomba mbi kompleksin e Gadafit. Nuk më duket si logjikë e shëndoshë të themi se nuk jemi angazhuar në konflikt” theksoi Bejnër.
Disa nga aleatët demokratë të presidentit në Kongres u janë bashkuar përpjekjeve për të ndalur fushatën në Libi. Por ka edhe anëtarë të tjerë të Kongresit të cilët nuk e mbështesin këtë ligj, duke thënë se kufizon rolin e presidentit si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.
Shtetet e Bashkuara kanë përdorur forcë ushtarake përmes avionëve të telekomanduar edhe mbi Pakistan dhe Jemen.
Muajin e kaluar, Senatori demokrat Xhon Keri dhe Senatori republikan Xhon Mekein paraqitën një resolute dypartiake ku shprehej mbështetje nga Kongresi për veprimet ushtarake në Libi. Ky propozim nuk është hedhur ende në votë, por administrata Obama ka thënë se e përshëndet një rezolutë të tillë.