E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot shënohet dita ndërkombëtare e refugjatëve

Sot në të gjithë botën shënohet Dita e Refugjatëve. Në këtë ditë të rëndësishme, vëmendja përqendrohet tek numri në rritje i civilëve që kanë marrë arratinë për t`i shpëtuar dhunës në botën arabe. Protestat anti-qeveritare po shtypen me forcë në vende si Libia dhe Siria, duke detyruar dhjetëra mijëra vetë të largohen drejt një të ardhmeje të panjohur. Shumë refugjatë nuk kanë shumë shpresa të kthehen në atdheun e tyre të mëparshëm.
Kampi i refugjatëve Yayladagi në afërsi të kufirit turk me Sirinë është ngritur në rrënojat e një fabrike duhani. Aktualisht atje ka rreth 3500 refugjatë; përditë arrijnë familje të tjera. Banorët e rinj të kampit kanë braktisur shtëpitë dhe pronat në terror.
Ata përfaqësojnë dallgën e refugjatëve sirianë që largohen për t`i shpëtuar shtypjes qeveritare të protestave pro-demokracisë. Mans Nyberg me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se fati i tyre vë në pah vuajtjet e të gjithë refugjatëve.
“Është në fakt hapi i fundit i dëshpëruar që ndërmerr një individ, kur s`i kanë mbetur opsione të tjera. Kur të digjet shtëpia, kur ushtarët të sulmojnë qytetin, të duhet të ikësh” theksoi Nyberg.

Në kampin e refugjatëve Shousha në kufirin e Tunizisë me Libinë ka filluar një stuhi rëre. Qindra mijëra refugjatë kanë kaluar në këtë pikë-kalim që kur filloi konflikti në Libi në muajin shkurt. Shumë nga refugjatët janë punëtorë sezonalë nga vende të tjera afrikane. Dhuna në kamp ndërmjet kombësive të ndryshme është shkallëzuar gjatë javëve të fundit. Dhjetëra refugjatë u vranë kur një pjese të kampit iu vu zjarri.
Për dhjetëra mijëra njerëz që largohen nga Libia me premtimin e një jete të re në Evropë, trafikantët kërkojnë 1500 dollarë për një udhëtim përmes Mesdheut. Disa qindra refugjatë mendohet se janë mbytur gjatë muajve të fundit në përpjekje për t’u larguar nga Libia.
Kombet e Bashkuara përllogarisin se aktualisht ka rreth 43 milionë vetë të zhvendosur. E vetmja zgjidhje afat-gjatë, thotë organizata, është t`u jepet fund konflikteve që i detyrojnë njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre për një të ardhme të panjohur.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›