Librat e MASHT-it shiten me metër katrorë

Që pesë vite i marrinë falas, por filloristët e Gjilanit nuk janë aq të kujdesshëm me librat. Komuna e Qemail Mustafes në mungesë të arkivave i ka nxjerrë në treg disa nga librat që Ministria e Arsimit i’a dha falas kësaj komune.
Madje, duke mos parë ndonjë praktikë të deritashme të shitjes së librit në ankand publik, prokurimi ka vendosur që ato ti shet me sasi në m2.
Fiks 542.60 m2 është sasia e të gjitha librave që Komuna e Gjilanit do ti qet në ankand publik me 25 mars.
Komuna, ankandin e ka titulluar “Autoriteti kontraktues ka për qëllim shitjen e teksteve mësimore të vjetra shkollore në Institucionet Edukativo – Arsimore në arsimin fillor dhe të mesëm”.
Udhëheqës të komunës thonë së bëhet fjalë për ushtrimoret e shfrytëzuara, por dhe librat e vjetruar që nuk janë ruajtur nga nxënësit në këto pesë vitet e fundit që ua ka dhuruar MASHT-i.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit Bujar Nevzadi, tha për Indeksonline se “Shkollat nuk po kanë vende të mjaftueshme që ti mbajnë ato libra”. Nevzadi tha se behët fjalë kryesisht për ushtrimore që janë të pa shfrytëzuara, dhe libra që janë vjetruar.
Edhe pse librat nuk i kanë blerë vetë, komuna paratë e shitjes së tyre do ti mbajë për vete.
“Nuk është e precizuar se ku duhet të shkojnë ato para, që komuna po i shet. Por, ato para gjithsesi që duhet të shfrytëzohen për arsimin”, thotë Ragip Gjoshi, këshilltarë i ministrit Ramë Buja.
Gjoshi tregon se më herët Ministria e Arsimit, librat donacion i ka dërguar vetë neper komuna, por tash i ka kontraktuar dy kompani për shpërndarje.
Ai thotë se librat që nuk janë dëmtuar duhet ti kthehen ministrisë.
“Ne më parë i kemi shpërndarë vetë librat, por vitin e kaluar kemi angazhuar dy kompani që të bëjnë shpërndarjen. Kemi vlerësuar që fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën janë më të pakujdesshëm, kështu që, librat nga klasa e gjashtë deri në të nëntën duhet të na kthehen në ministri, ato që nuk janë të dëmtuara”, tha Gjoshi.
E, shkolla fillore “Musa Zajmi” në Gjilan ka nxjerr në treg më së shumti libra, saktë 64.00 m2, ndërkohë që pas saj edhe 21 shkolla kanë shprehë nevojën që të heqin këto libra.
Oferta është e hapur për të gjithë, për personat individual (fizik), por edhe për bizneset (operatorët ekonomik). Kurse, malli i cili është për shitje do të shitet si tërësi, nuk ndahet në pjesë. /Indeksonline/