E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat e rinj në libraritë e kryeqytetit

Stendat e librarive të kryeqytetit janë pasuruar me një numër librash të rinj, të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Disa prej tyre janë:
"Lugina e kukullave" është romani më i ri që prezantohet dhe në shqip nga autorja Jacquelinë Susann. Ky roman vjen si botim i shtëpisë botuese Omsca-1. "Lugina e kukullave" është klasifikuar si një ndër dhjetë librat më të shitur të të gjitha kohërave. Në të trajtohet lakuriqësia e një dashurie të vërtetë e cila vjen për lexuesin më se reale dhe pa zbukurime. Ky roman kushton 1100 lekë.
"Tempulli i dashurisë" është libri më i ri që sjell në gjuhën shqipe autori Timeri Murari. Në këtë libër të botuar nga shtëpia botuese Almera, sillet për lexuesin historia e një tempulli të lashtë në zonat e thella të Gangut, i cili ruhet si përmendore e një dashurie të zjarrtë. Historia indiane e kësaj dashurie të mbushur me pasion dhe intriga zbulon për lexuesit shumë të fshehta të pallatit mbretëror dhe luftrave për pushtet. Ky libër kushton 900 lekë.
"Rruga" është romani më i ri që sjell autori Cormac Mc Carthy. Në këtë roman të botuar në shtëpinë botuese "Dudaj", trajtohet historia e një burri që së bashku me djalin e tij marrin rrugën për t'u arratisur nga një qytet i shkatërruar. Duke u endur mes aventurave pafund, shpresa e tyre për të gjetur një vend më të mirë shuhet, në momentin kur ata kuptojnë se e gjithë bota është e shkatërruar dhe asgjëkundi nuk mund të gjendet një vend ideal për ta. Romani kushton 700 lekë.
"Lidhjet e rrezikshme" është një tjetër roman interesant i autorit Chaderlos de Leclos. Në këtë roman të botuar nga shtëpia botuese Dituria sillet për lexuesin historia e një djali idealist i cili ngatërrohet në një histori dashurie të vështirë, pasi është kthyer nga një tjetër mentalitet, ai i rretheve artistike të Parisit. Ky libër kushton 750 lekë.
"Si punova me tre ministra" është libri më i ri i shkruar nga Jonida Azizaj. Ky libër i trajtuar si një rrëfim personal vjen i botuar nga shtëpia botuese Infinity. Në këtë libër të veçantë në llojin e vet, autorja e re sjell një sërë materialesh të pathëna të ministrive. Ky libër kushton 600 lekë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›