Librat mësimorë do të shpërndahen nga shkollat
Ministria e Arsimit ka bërë një seri me ndryshime edhe në procesin e Altertekstit ose hartimit dhe përzgjedhjes së teksteve shkollore për nxënësit e sistemit parauniversitar. Mes këtyre ndryshimeve të bëra të ditura personalisht nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, është ai që lidhet me vendin e shpërndarjes së librave shkollorë.
Tekstet shkollore, për vitin 2010-2011, do të shpërndahen në shkolla dhe jo më në libraritë që kontraktoheshin nga Ministria e Arsimit dhe shtëpitë botuese. Përmes këtij ndryshimi në reformën e Altertekstit, sipas kreut të MASH, synohet që të shmangen radhët e gjata që kanë shkaktuar çdo vit pakënaqësi te prindërit dhe vonesa në shpërndarjen e teksteve. Kjo, sipas Tafajt, do të eliminojë radhët e gjata dhe do të sigurojë një mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga Drejtoria e Shkollës për librat që shiten.
“Kjo është çështje krejtësisht e botuesit, e cila kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet, theksoi Tafaj, pasi vetë botuesit do ta çojnë librin në shkollë, por Drejtoria e Shkollës ka mundësinë të mbikëqyrë direkt procesin brenda saj”.
Ministri i Arsimit, Tafaj, ka theksuar, gjithashtu, se do të eliminohen edhe shitjet informale të fletoreve të punës apo librave, pasi ato do të jenë të gjitha të certifikuara.
“Libri do të shitet direkt në shkollë. Shkollat do të vënë në dispozicion një ose dy mjedise për të gjithë botuesit që kanë fituar të drejtën e çuarjes së librit në atë shkollë mbi bazën e përzgjedhjes. Nuk do të hyjë asnjë libër i pacertifikuar, asnjë fletore pune e pacertifikuar, asnjë libër ushtrimesh i pacertifikuar”, premtoi ministri Tafaj.
AutorëtHartuesit e teksteve shkollore, që do të kontraktohen nga shtëpitë botuese, do të luajnë një rol të rëndësishëm këtë vit në përzgjedhjen e librave që do të shpallen fitues nga Ministria e Arsimit. CV-të e tyre do të vlejnë më shumë këtë vit për faktin se ministria ka vendosur që t’i kushtojë përparësi emrave të njohur në fushën e botimit të teksteve shkollore në raport me të rinj të panjohur në këtë fushë.
Kështu, në përzgjedhjen e teksteve alternative, MASH bëri të ditur se nëpërmjet një komisioni të veçantë të ngritur posaçërisht për këtë qëllim do të vlerësojë dhe autorët e teksteve. Ky proces është anonim, ka shpjeguar më tej ministri Tafaj, i cili ka vijuar duke treguar edhe disa nga detajet. “Në momentin kur teksti është certifikuar dhe shpallet emri, deri në këtë moment ka qenë çdo gjë anonime, parametri i parë që provohet është CV e grupit të autorëve që janë në një zarf dhe krahasohen të dhënat që janë në CV me të dhënat që janë në këto formularë pa emër. Në rast se janë plotësisht të njëjta, vazhdon procesi më tej, përndryshe që këtu libri eliminohet për shkak se të dhënat janë jo të sakta”, tha Tafaj. Kreu i Arsimit tha se grupi i autorëve vihet në fokus të vlerësimit të cilësisë së tekstit. Deri tani, Alterteksti ka vënë në plan të parë botuesin. Këtë vit, për herë të parë, çdo shtëpi botuese, librin, do ta dërgojë në komision me dy recenca anonime që nuk kanë emër, të cilat duhet të jenë nga dy personalitete të njohur në fushë që japin një vlerësim për tekstin që paraqitet në konkurrim. MASH i ka kushtuar rëndësi parësore punës së autorëve. “Unë i ftoj studiuesit, pedagogët dhe mësuesit më të talentuar të Shqipërisë të kontribuojnë në këtë proces kaq të rëndësishëm për shkollën, siç është teksti”, u shpreh Tafaj. Ndërsa, për tekste që shoqërohen me fletore pune ose libër ushtrimesh, do të përdoret modeli i paketës. Teksti do të vlerësohet së bashku me fletoren ose librin e ushtrimeve dhe do të dërgohet në shkollë për shitje vetëm në këtë formë.
Një risi tjetër në paketën informuese “ALTERTEKST 2010-2011” është shpallja për herë të parë e tre teksteve për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare”, një libër për ciklin e ulët nga klasa I-V, një për ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare nga klasa e VI-IX dhe një libër i tretë për shkollën e mesme.
Në fund, ministri Tafaj u ndal në procesin e subvencionimit të librit shkollor, duke shpjeguar se masa e rimbursimit për këtë vit do të jetë 100% për nxënësit e familjeve që marrin ndihmë ekonomike, 50% për nxënësit, kryefamiljarët e të cilëve kanë një pagë mujore nën 30 mijë lekë dhe për nxënësit e minoriteteve librat do të jenë falas.
#