Tokat djerrë me qira, rrezik lufte në fshat
“Kryetari i komunës ka shumë mundësi të humbasë jetën që javën e parë të zbatimit të ligjit të ri të qeverisë për tokën e papunueshme bujqësore”. Ky qe komenti i një eksperti të bujqësisë pasi lexoi propozimin e ri të qeverisë për të ngritur një mekanizëm qiradhënieje të detyruar me çmim të ulët për të gjithë fshatarët që e lënë tokën e tyre djerrë. “Sekretari i kadastrës, si edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë ndoshta shpëtojnë, sepse fshatarët nuk do të arrijnë t’i kapin”, vijon ai.
Afro dy vite më parë, Kryeministri Berisha inicioi një fushatë deklaratash, ku kërkohej që toka bujqësore në të gjithë vendin të punohej dhe ku kërcënoheshin fshatarët se do ta humbitnin tokën nëse nuk e punonin. Pas debateve të vakëta publike mbi faktin se e drejta e pronësisë nuk lejon qeverinë të diskutojë nëse fshatari do ta punojë apo jo tokën bujqësore, qeveria ka dërguar në Parlament një propozim konkret: Sipas projektligjit, kryetarët e komunave dhe disa zyrtarë të tjerë do të identifikojnë tokat e lëna djerrë, do të publikojnë listat me këto toka në qendrat e komunave dhe do t’ia ofrojnë tokën me qira për pesë vjet kujtdo që do të interesohet për ta marrë me qira. Vlera e qirasë sipas ligjit do të jetë 30 për qind më e ulët se sa vlera e tregut.
“Ky projektligj nuk e merr parasysh se sa e luhatshme dhe e pasigurt ka qenë pronësia mbi tokën bujqësore gjatë dekadave të fundit, nuk merr parasysh marrëdhëniet tradicionale të fshatit shqiptar dhe nëse zbatohet, mund të krijojë një situatë shpërthyese”, tha një ekspert i bujqësisë që punon në një nga agjencitë ndërkombëtare të asistencës teknike dhe që nuk mund të identifikohet me emër, për shkak se nuk është i autorizuar nga punëdhënësi i vet të diskutojë politikat bujqësore të qeverisë në publik.
E drejta zakonore shqiptare thotë se një sipërfaqe toke mund t’i ofrohet për shitje apo për qira fillimisht njerëzve të familjeve, pastaj njerëzve të fisit e më vonë, njerëzve të të njëjtit fshat. Për më tepër, toka bujqësore në Shqipëri është e ndarë në afërsisht 1.5 milionë ngastra me madhësi mesatare prej vetëm 0.3 ha për ngastër. Në këto kushte, nga pikëpamja praktike, ka pak gjasa që kryetari i komunës të arrijë të gjejë qiramarrës sipas kushteve të përcaktuara nga ligji i ri.
Shkelje e së drejtës së pronësisëProjektligji i propozuar nga qeveria ka shumë gjasa të jetë antikushtetues, pasi cenon të drejtën e fshatarëve për të përcaktuar fatin e pronës së tyre me vullnet të lirë. Fshatarët detyrohen të nënshkruajnë një kontratë edhe kur ata nuk janë dakord, gjë që bie ndesh me parimin bazë të kontratës, të cilën palët duhet ta nënshkruajnë me vullnet të lirë. Sipas ligjit të qeverisë, fshatari jo vetëm që detyrohet ta japë tokën me qira, por detyrohet ta japë atë minimalisht 30 për qind më lirë se sa vlera e tregut, si dhe të paguajë 20 për qind të të ardhurave të siguruara nga qiraja si kosto administrative të procesit. Propozimi i qeverisë nuk respekton as konceptin “çmim tregu”.
Fshatari shqiptar e humbi pronësinë mbi tokën në vitet e komunizmit dhe kur iu rikthye në vitin 1991, një pafundësi problemesh lindën kur qeveria vendosi të zbatojë ligjin 7501, i cili i jepte një fshatari tokën që e kishte pasur dikur gjyshi i tjetrit. Debatet e pafundme nëse ligji 7501 duhej të shfuqizohej apo jo, bënë që për dy dekada fshatarët të ndiheshin të pasigurt për pronësinë dhe investuan pak ose aspak për zhvillimin e saj. Përmes propozimit të fundit, qeveria duket se po i bind fshatarët se është e aftë t’ia marrë sërish tokën në çdo kohë.
Nga 490 mijë hektarë tokë e punueshme që ekziston në Shqipëri, 350 mijë është punuar gjatë vitit 2008. Pjesa tjetër konsiderohet si tokë djerrë. Pavarësisht se konsiderohet e tillë, një pjesë e fshatarëve e përdor atë për kullotje bagëtie. Në total, arsyet se pse fshatarët shqiptarë nuk e punojnë një pjesë të tokës janë të thjeshta: nuk ka leverdi ekonomike. Parcela të vogla toke të cilësisë së ulët mbeten të papunuara veçanërisht kur fshatarët i kanë larg vendbanimit.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se projektligji i qeverisë ka diçka pozitive: mundet që komunat të krijojnë një listë me tokat e lira dhe me emrat e pronarëve, në mënyrë që zyra e komunës të shërbejë si një lloj “burse toke”, ku çdo i interesuar do ta ketë të lehtë të gjejë se kush disponon tokë për ta dhënë me qira e se çfarë cilësie ka kjo tokë. Projektligji i qeverisë ka harruar të sqarojë edhe një detaj të parëndësishëm: kush do ta paguajë taksën e tokës, qiramarrësi apo qiradhënësi.