Libreza shëndeti të përkohshme për banorët e evakuuar
Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor ka krijuar libreza shëndeti të përkohshme për banorët e evakuuar në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Librezat e përkohshme do të shpërndahen tek të gjithë të evakuuarit, me qëllim përfitimin prej tyre të shërbimit shëndetësor parësor falas në kushtet e emergjencës. Kjo risi u deklarua dje nga drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Elvana Hana. Ajo vizitoi gjatë orëve të paradites vendqëndrimet e banorëve të evakuuara nga zonat e përmbytura në zonën e Shkodrës, si dhe disa qendra shëndetësore të cilat prej ditësh, pas urdhrit të ISKSH-së, japin shërbim 24 orë. Znj. Hana vizitoi banorët e vendosur në shkollën industriale “Arben Broci” në Shkodër, ku është vendosur edhe një pikë shëndetësore, në të cilën shërbejnë pa ndërprerje mjekë dhe infermierë.
Situata
Mjekët u shprehën se po u shërbejnë banorëve me vizita dhe medikamente. Drejtoresha e ISKSH-së dha urdhër për përdorimin e librezave të përkohshme të shëndetit, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë banorët pa asnjë pengesë. “Do të shërbehet me çdo medikament të nevojshëm për të gjithë të evakuuarit dhe shërbimi do të vijojë të jetë 24 orë”, - tha znj. Hana.
Në shkollën industriale janë vendosur rreth 230 banorë të evakuuar. Më pas znj. Hana vizitoi qendrën shëndetësore të Oblikës, e cila është po ashtu në shërbim të pandërprerë për banorët. Mjeku i kësaj qendre u shpreh se ka pasur disa raste që ka kryer vizita dhe ka dërguar medikamentet me rimbursim në zonën e Oblikës. Gjatë gjithë këtyre ditëve të përmbytjeve në komunat që ndodhen në qarqet e Lezhës dhe të Shkodrës, mjekët kanë ofruar shërbim shëndetësor 24 orë në 24, për të gjithë ata që kanë pasur nevojë. Për më tepër, me strukturën që ngriti në mënyrë emergjente ISKSH-ja, shërbimi shëndetësor nisi të shpërndahej edhe në banorët e ndodhur brenda shtëpive të izoluara prej ujit.
Shërbimi falas
Pajisja e të gjithë qytetarëve të kësaj zone, të evakuuar në objekte të vendosura në dispozicion nga shtabi i emergjencës, bëhet me qëllim përftimin e të gjitha nevojave të shërbimit parësor, pra në ambulanca dhe poliklinika pa paguar tarifat e parapërcaktuara, deri në përfundim të emergjencës. Sipas znj. Hana, në të gjitha këto zona do të ketë në mënyrë të vazhdueshme mbikëqyrje shëndetësore dhe për më tepër nuk do të mungojnë për asnjë çast medikamentet e nevojshme, sikundër edhe të gjitha kushtet e nevojshme për ofrimin e shërbimit shëndetësor parësor. Në të njëjtën kohë, edhe shërbimi shëndetësor më i specializuar, pra nëpër spitalet dytësore, apo në atë terciar, QSU në Tiranë, të evakuuarit do të përfitojnë sërish shërbim shëndetësor falas, sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë. Këto masa janë të përkohshme deri në kthimin e situatës në normalitet.