E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i liqenit përmbyt disa lagje në Shkodër

Fryrja e lumit Buna dhe ngritja e nivelit të liqenit ka bërë që uji të vërshojë në disa lagje të qytetit Shkodër. Uji ka hyrë në katet e para të banesave dhe dyqaneve, ndërkohë që në mjaft shtëpi private niveli i ujërave ka arritur deri në 30 cm. Banorët kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë dhe policisë, e cila u është gjendur pranë me barka dhe motobarka për t’i evakuuar në drejtim të të afërmve apo në vendstrehimet e përcaktuara nga emergjencat civile. Ndërkohë që situata ka qenë e njëjtë apo drejt përmirësimit në disa komuna rreth Shkodrës, gjendja në brendësi të qytetit nuk është e njëjtë. Megjithatë, emergjencat civile i kanë paraprirë situatës, duke vënë në dispozicion të banorëve mjete dhe struktura për t’i ndihmuar. Gjithashtu, bëhet e ditur se strukturat ndihmëse të Emergjencave Civile nga Maqedonia dhe Kosova janë vënë në punë për thithjen e ujit që ka depërtuar në banesa me pompa. Por, edhe vetë banorët mësohet të kenë marrë masa paraprake për të evituar futjen e ujit në banesa apo dyqane. Disa prej tyre kanë vënë thasë rëre përpara dyerve apo portave. Në lagjet “Xhabije” dhe “Livade”, thellësia shkon nga 35 centimetra deri në gjysmë metri. Edhe lagjet “Bahçallëk” dhe “Ajasëm” vazhdojnë të jenë nën ujë. Një nga arsyet e shtimit të nivelit të ujit në brendësi të qytetit ka qenë bllokimi i kolektorëve shkarkues të ujërave të larta. Rritja e nivelit të liqenit të Shkodrës ka bllokuar kanalizimet, duke bërë që uji të vërshojë në qytet. Po punohet që me anë të pompave të hiqet uji në lagjen “Xhabije” si edhe në “Dobrac”. Ndërkohë që ushtria dhe policia janë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë banorëve, të cilët mund të kenë probleme. Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Brendshme, vazhdojnë që të jenë të përmbytura 10.400 hektarë tokë, ndërsa gjenden nën ujë 2.499 banesa. Probleme ka pasur në qytetin veriperëndimor, ku si pasojë e zgjerimit të liqenit, uji është futur edhe më në brendësi.

Inspektimet

Kryetari i Komitetit Ndërministror, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe anëtarët e tjerë të komitetit kanë qenë ditën e djeshme në Shkodër, ku kanë inspektuar kryerjen e detyrave nga strukturat e angazhuara për përballimin e emergjencës në të gjitha zonat e prekura nga përmbytja në këtë qark. Ministri i Brendshëm ka qenë në Dajç, ku ka parë punën e bërë në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet. Ditën e djeshme u dërguan me helikopterët italianë 10 ton ujë, 700 pako ushqimore, 5 ton koncentrat për bagëtinë, 100 pelerina, 50 çadra dhe 100 çizme ndihma për banorët e përmbytur. Gjithashtu, sipas informacioneve të marra nga Ministria e Brendshme në Pentar, Suka-Dajç, Samrisht dhe te kthesa Dajç janë stacionuar 4 motobarka të ushtrisë për shërbim transporti në dispozicion të Komunës Dajç dhe komunave të tjera fqinje. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka parë nga afër ditën e djeshme situatën në Velipojë. Për banorët e prekur u shpërndanë 400 pako me ushqime dhe u krye monitorimi për riforcimin e argjinaturës së Reçit nga ana e Forcave të Armatosura. Ministri Imami është shoqëruar dje edhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe ai i Shëndetësisë kanë qenë në Bushat. Nga informacionet e marra u dërguan 400 pako ushqimore, 3 ton koncentrat për bagëtinë, një gjenerator për 50 familje dhe do të jetë në dispozicion një lundër me motor. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, së bashku me zv.ministrin e Mbrojtjes, Arjan Starova, kanë qenë në Gur të Zi, ku gjithashtu po vijojnë veprimet për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe koncentratit për bagëtinë. Një kompani prej 40 ushtarësh në bashkëpunim me strukturat e tjera kreu punime për përforcimin e argjinaturës Dajç-Samrisht i Vjetër, si dhe punimet në kanalin ujitës të Trushit. Ndërkohë që ditën e djeshme një grup nga Kosova solli ndihma ushqimore për zonat e përmbytura, të cilat u magazinuan pranë rezervave të shtetit në Gjadër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›