Libri për Enverin, Fevziu përballë studentëve të UET
Emisioni ‘Opinion’ i gazetarit të njohur, Blendi Fevziu, kësaj jave ndryshoi formatin e tij të zakonshëm. Krejt ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim, Fevziu ishte vetë në rolin e të intervistuarit dhe kësaj radhe intervistuesit ishin studentë të Universitetit Europian të Tiranës, ku tema e bisedës ishte libri biografik për ish-udhëheqësin komunist, Enver Hoxha. Jo në studion klasike në televizionin “Klan”, por në një auditor të UET-it. Fevziu ishte përballë studentëve të këtij universiteti, të cilët për rreth dy orë i bënë atij pyetje nga më të ndryshmet rreth librit. Studentë të Juridikut, Shkencave Politike, Marrëdhënieve me Publikun dhe Komunikimit u njohën nga afër me projektin disamujor të gazetarit të mirënjohur. ‘Në fillim nisa të punoj për një dokumentar biografik rreth jetës së Enver Hoxhës, por më pas, për shkak se skenari ishte shumë i gjatë dhe arrinte në mbi gjashtë orë transmetim mendova ta bëj një libër. Një libër biografik”, - u tha Fevziu studentëve të UET-it. Ai rrëfeu punën e tij katërmujore për të mbledhur dhe shkruar librin. Fevziu theksoi se kishte konsultuar shumë arkiva; nga ai i Shtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, arkivat personale të shumë njerëzve të njohur dhe se gjithçka në libër vjen nga dokumente të verifikueshme. “Të gjitha janë fakte të konfirmuara dhe i kam shmangur komentet. Vetëm dy-tre paragrafët e fundit në libër janë komente të miat”, - tregoi ai. Gazetari i mirënjohur u tha studentëve se draftin e parë të librit ua kishte dërguar disa miqve të tij dhe personave që e kishin njohur Enver Hoxhën, ish-bashkëpunëtorë, si dhe bashkëkohës të tij. Ishin ata që kanë konfirmuar dhe rirregulluar disa fakte dhe sipas autorit, asgjë në libër nuk mund të kundërshtohet. Libri biografik për Enver Hoxhën, i bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe atyre që e njohën, i sjellë në treg për lexuesin nga botimet UET Press, tashmë është shndërruar në një best-seller jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Ky është një rast i rrallë që një libër nxit interes të madh edhe përtej kufijve. Kjo është hera e parë që lexuesit shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë njihen me disa anë të panjohura të Enver Hoxhës. Për shembull, në libër sillen dokumente, ku Hoxha me shkrim dore kërkon torturimin dhe ekzekutimin e shumë eksponentëve komunistë, të cilët i konsideronte si armiq të tij.