E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferri te Barcelona dhe “ik mbushu” Guardiolas, Ibra tregon jetën e tij

SHKRUAN: Jeton Selimi 04-11-2011 13:14

Libri do të dalë në shitje javën e ardhshme. Ibrahimoviç shpjegon raportin me Guardiolan: “Preferoi të kënaqte Mesin, mua as më shikonte. Isha një Ferrari që drejtohej si një Fiat. Mendova ta lë futbollin”

Një ferr i vërtetë. Sezoni 2009/2010 që kaloi te Barcelona e ka bërë Zllatan Ibrahimoviçin që të ndjehet kaq keq, sa ka menduar edhe ta braktiste futbollin. Në atë periudhë, në një moment të caktuar suedezi shpërtheu duke i thënë atë që mendonte Pep Guardiolas, trajnerit blaugrana: “Nuk je burrë. E bën në brekë përpara Murinjos! Ik mbushu…!”

Zllatan lakuriq

Kështu, pa terma të mesëm (“Tregoj gjithçka, zhvishem lakuriq”), sulmuesi i Milanit ka prezantuar librin e tij, që do të dalë në treg pas gati dy javësh në Suedi dhe në Itali. Edhe është e vërtetë se është zhveshur lakuriq, sepse tregon gjithçka. Aftonbladet, gazeta kryesore në Suedi, ka publikuar si ekskluzive kapitullin e parë të librit, në të cilin Zllatan flet për vitin që ka kaluar te Barcelona. Vizioni i tij për skuadrën që konsiderohet nga më të shumtit si më e shkëlqyera, nuk është më e mira. Suedezi përshkruan atë që ndjeu kur firmosi “sikur po ecte mbi re”, gëzimin e madh në verën e vitit 2009. Por që nga takimi i parë, raporti me Guardiolan ngec. Trajneri i thotë se te Barcelona duhet të qëndrojë me “këmbët përtokë”, se klubi nuk do që lojtarët të ngasin Porsche apo Ferrari që të shkojnë në stërvitje dhe se duhet të mbajnë një stil jetese të ulët. Zllatan pranon, por me një farë bezdie: përse duhet të jetë klubi ai që duhet të vendosë se çfarë makine duhet të drejtojë?

Shpejtësi skëterrë

“Ngas si i çmendur. Kam ngarë me 325 kilometra në orë duke lënë pas policinë. Kam bërë kaq shumë trapllëqe sa nuk guxoj t’i mendoj”, shkruan Ibrahimoviç në libër. Një në Spanjë kishte rënë dëborë dhe ai përplaset me një mur. Në muajt spanjollë, raporti i tij me Guardiolan vijon të përkeqësohet. Ai i përshkruan dhomat e zhveshjes së Barcelonës si një vend ku të gjithë rrinin urtë, thuajse të nënshtruar: Mesi, Ksavi dhe Injesta ishin si nxënësit e një shkolle që bindeshin për gjithçka pa protestuar kurrë. “Por unë jam një djalë që i pëlqen shumë tipat që kalojnë me semafor të kuq”, i bie shkurt Ibrahimoviç. Tregon se në vend që të luftonte, mundohej të përshtatej dhe arriti deri në një moment sa nuk po e njihte më veten e tij. Një ndryshim personaliteti: “Po bëhesha shumë i mirë”, shpjegon Ibra, që po shikonte t’i shuhej ajo forcë që e bëri lider në skuadrat e tjera.

Ferrari apo Fiat

Në Krishtlindjen e vitit 2009, Zllatan është në Are, në Zvicër, me familjen e tij. Gjatë atyre ditëve është gati në depresion për situatën te Barcelona. Arriti deri aty sa mendoi që ta braktiste futbollin sepse në fillim aventura me Barçan kishte nisur mirë, por kur “Mesi filloi të fliste duke kërkuar një rol tjetër, gjërat ndryshuar. Guardiola vendosi të kënaqte atë”. Pas pak kohësh, Ibra kërkoi një takim me Guardiolan duke i thënë: “Unë jam një Ferrari, por ti po më nget sikur të isha një Fiat”. Pas atij takimi, gjërat morën edhe më keq. Guardiola nuk i hedh më as vështrimin. Tierri Henri që e kishte kuptuar situatën, një ditë i kishte thënë me shaka: “ǒkemi Zllatan, të ka parë sot?”. Ibra iu përgjigj: “Jo, por e pashë nga pas”. Francezi e mbylli duke i thënë: “Epo urime, gjërat po përmirësohen!”.

Buka thyhet

Ibrahimoviç, i mësuar me suksese në skuadrat e tij, po ndjehej gjithnjë e më keq: “zieja përbrenda”, lexohet në biografi. Telefononte miqtë e tij të vjetër të lagjes Rosengard në Malmo për t’u kërkuar këshilla. Njëri madje i kishte propozuar se do të shkonte në Spanjë për të “thyer disa gjëra”. “Ishin të sjellshëm – bën shaka Zllatan – por le ta themi se nuk do të ishte kjo situata e duhur”. Në atë periudhë të zezë, sulmuesi e gjeti prehjen te bashkëshortja Helena dhe te familja. Ibra tregon edhe vlerësimin për Murinjon, të kundërtën që ndjen për Guardiolan. Raportin me spanjollin e mbylli përfundimisht duke i bërtitur: “Ti nuk je burrë. E bën në brekë përpara Murinjos! Ik mbushu…!”. Në atë pikë, lamtumira u bë e pashmangshme dhe mbërritën kontaktet e para me Milanin, ku Ibrahimoviç erdhi në gushtin e vitit 2010 dhe ku tani ndjehet “në shtëpi”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›