“Shqipëria” e Blushit bëhet triptik në MAPO Editions
Rrëfim magjepsës, galeri personazhesh, si Lekë Dukagjini, Mehmeti, Enveri, krijimi i një bote krejt të re utopike ... ky është romani i ri i Ben Blushit , “Shqipëria”, botuar nga Mapo Editions dhe që vjen si një metaforë e Shqipërisë totalitare. MAPO risjell edhe ”Të jetosh në ishull” e “Otello...” duke plotësuar triptikun Blushi.
Një botë pa Zot, pa para, pa seks, pa dashuri, pa pronë, pa atdhe, pa familje... Kjo është befasia e re që sjell për lexuesin Ben Blushi. “Shqipëria” është romani i ri i tij, i cili promovohet sot në mbrëmje në shoqërinë e miqve dhe kolegëve në mjediset e hotel “Sheraton”, nën logon “Mapo Editions”. Përmes personazhit kryesor, shkrimtari, duke vërejtur të papërsosurat dhe gjërat që nuk i pëlqejnë, mëton ta rikrijojë botën.
Ai strukturon një rrëfenjë intriguese, sjell një galeri personazhesh, si Lekë Dukagjini, Mehmeti, Enveri e shumë të tjerë. Kështu, ai ndërton një botë krejt imagjinare, që mbart kundërshtinë dhe revoltën e qenies, njerëzve ndaj ligësive që qytetërimi i ka shndërruar në të natyrshme. E përmbys botën ekzistuese dhe krijon utopiken. Një metaforë e Shqipërisë totalitare, ku eksperimenti me këtë popull nuk është larg imagjinatës, por, e lexuar në një utopi letrare, vjen këndshëm. Autori mbështetet në tekstin filozofik, një karakteristikë e përbashkët me dy romanet e tij të mëparshme “Të jetosh në Ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, të cilat vijnë edhe njëherë për lexuesin, tanimë bashkë me krijimin e ri “Shqipëria” formojnë një triptik të botimeve “Mapo”.
“Botimeve ‘Mapo’, ky roman, por edhe letërsia, i rri mirë. Kjo edhe për një arsye tjetër, sepse duke u bashkëngjitur edhe me shtypin e përditshëm, letërsia ka një komunikim periodik intensiv me lexuesin”, shprehet botuesi Henri Çili.
Pas suksesit të bujshëm që autori korri me dy romanet e parë, pritshmëritë janë të larta edhe për romanin “Shqipëria”, aq sa botuesi Henri Çili ka bindjen se shumë shpejt Ben Blushi do të ketë njohje dhe audiencë ndërkombëtare.
“Ben Blushi ka premisat për t’u shndërruar në një tjetër shkrimtar shqiptar ndërkombëtar. Letërsia e tij kap tema universale, i kontekstualizon me mikrobotën shqiptare dhe ai mund të ishte mjaft interesant për botuesit ndërkombëtarë. Ne do të punojmë fort në këtë drejtim pasi botimet ‘Mapo’ kanë marrë të drejtën e botimit edhe për dy romanet e para të Blushit. Sot ekzistojnë të gjitha mundësitë e mjetet bashkëkohore që të çahet në skenën ndërkombëtare me një shkrimtar tjetër që i ka të gjitha potencialet. Dhe ky është rasti i Blushit”, është i mendimit Çili.
Blushi, si shkrimtar, me romanin e tij të parë dhe surprizë “Të jetosh në ishull” tronditi skenën letrare shqiptare. Dhjetëra mijëra kopje të shitura, debati i padëgjuar më parë në media dhe qarqet letrare, e bëri atë shkrimtarin me numrin më të madh të kopjeve të shitura për libër gjatë 20 viteve të fundit.
Befasia në stil, në ndërtimin e rrëfimit, në strukturën e gjithë veprës në tre romanet e tij është kontributi për një kthim të shijes së letërsisë.
“Shqipëria” utopike, Lekë Dukagjini, Mehmeti, Enveri, revolta njerëzore, përpjekja për të krijuar një botë të re ku nuk ka më para, pronë, seks, dashuri premton të ngjallë debat, po aq sa edhe të shënojë shifra të larta në tirazh.