Libri “Kur heshtja flet”, për padrejtësitë e gjykimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë

PRISHTINË, 16 shkurt/ATSH/ Libri “Kur heshtja flet” i ish-diplomatit, Ahmet Shala që u promovua sot në Prishrtinë i kushtohet gjykimit në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe padrejtësive me të cilat ata janë përballur gjatë këtij procesit prej mëse pesë vitesh.
Në ceremoninë e promovimit merrnin pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe shumë të ftuar të tjerë.
Autori Ahmet Shala tha se librin e shkroi si një qytetar, që ka parë, ka dëgjuar, ka përjetuar vetë dhimbjen që nuk shuhet – drejtësinë e vonuar.
“Ky libër nuk lindi për të qenë thjeshtë një botim, lindi si nevojë e shpirtit tim, si një ndjenjë e thellë gjatë e ndrydhur dhe si një zë që shpërtheu fare spontanisht. Nuk shkrova si akademik, por si një njeri i thjeshtë i këtij vendi. Shkrova si një qytetar, qe ka parë, ka dëgjuar dhe ka përjetuar vetë dhimbjen që nuk shuhet, drejtësinë e vonuar. Flasin ata qe sot prehen në parajsë. Janë aty ku nuk duhet të ishin, heshtja i ka rënduar më shumë se çdo fjalë, heshtja jonë. Historia e Kosovës nuk ndahet në kapituj, sikurse historitë e botës. Është një e vetme, e pashkëputur”, u shpreh Shala.
Ndërsa, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se historia e vendit duhet të mbrohet në çdo vend e kohë dhe për ta mbrojtur duhet të shkruhet, siç ka bërë Ahmet Shala.
“Liria ishte më e shtrenjtë sesa vetë jeta. Këtë histori e të vërtetë ne duhet ta mbrojmë me krenari në çdo kohë e vend, kudo në botë, sepse UÇK-ja është ideali më i fuqishëm i ndërtuar nga shqiptarët ndër shekuj. Për ta mbrojtur të vërtetën ne duhet ta shkruajmë atë. Historia nuk flet domosdo gjithmonë me zë të lartë. Ai na sjellë përballë të vërtetën e Hagës, takimet me ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe vizitat duke kthyer heshtjen në zë të fuqishëm. Ky libër trajton jo vetëm rrëfimin personal të Shalës, por edhe gjykimin e padrejtë që po bëhet ndaj vetë proceseve tona jetike. Në libër përshkruhen pasojat e luftës nga masakra të shumta, plagë që koha nuk i shëron”, tha presidentja Osmani.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se karakteri i luftës së UÇK-së ishin arsye pse vendet që përfaqësojnë vlerat demokratike mbështetën luftën e drejtë të popullit tonë për liri.
“Është një libër që synon të ruajë historinë tonë nga tentativa për ta rishkruar atë. Jam i bindur se asnjë proces gjyqësor dhe asnjë tentativë për të dënuar muk do arrijë të bëj dhe as të ndryshojë natyrën e luftës sonë. Do të mbetet humane, e drejtë dhe e pastër, kurse karakteri i luftës sonë do të mbetet gjithmonë çlirimtare. Karakteri i luftës sonë ishin arsyej pse vendet që përfaqësojnë vlerat demokratike mbështetën luftën e drejtë të popullit tonë për liri. Qëndrojmë me shpresë se do t’i kemi së shpejti drejtuesit e UÇK-SË në mesin tonë”, shtoi Maqedonci.
Kryetari i BDI-së në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti tha se do të veprohet guximshëm për të vërtetën.
“Ti kishe përnetuar me humbjen e njerëzve më të dashur të gjakut tënd dhe flisje po ashtu me dhembshuri edhe për familjet e të rënëve të Kosovës dhe familjet e çlirimtarëve që padrejtësisht janë në pranga vetëm e vetëm se luftuan për liri dhe dinjitet të kombit që ata i takonin.. Të gjithë e dimë se këtu po bëhet një gjyq i padrejtë, akuza për vepra të pabëra vetëm e vetëm se ishin atdhetarë çlirimtarë dhe organizatorë për rezistencë e luftë. Ne nuk do thyhemi, ashtu siç nuk thyhen edhe familjet e shokëve tanë, bashkëluftëtarëve tanë, të cilët gjenden në Hagë. Ne do të veprojmë, guximshëm për të vërtetën”, shtoi ai. /Kosovapress/