Përmbyllet dita e gjashtë e procesit në Hagë, Prokuroria: Mbrojtja i paraqiti klientët si me qëllime të mira

PRISHTINË, 16 shkurt/ATSH/ Dita e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë përfundoi të hënën me kërkesën e Prokurorisë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen fajtorë.
Prokurori Mettheë Holing në fjalën përmbyllëse tha se dokumentacioni gjyqësor i kësaj çështjeje tregon historinë se të akuzuar, duke e bërë atë që kishin thënë se do ta bënin, e kanë shtyrë Prokurorinë të kërkojë që ata të shpallen fajtorë “dhe janë fajtorë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
“I gjithë dokumentacioni gjyqësor i çështjes tregon se të akuzuarit, përmes abuzimit të pozitës dhe strukturave që kanë drejtuar, kanë vepruar me qëllim të përbashkët kriminal”, tha ai.
Sipas tij, ata “kanë ruajtur dhe avancuar fokusin e viteve të mëhershme të UÇK-së se kundërshtarët po u kushtonin shumë atyre, në kuptimin që nuk po i lejonin kontroll në Kosovë. Ata kanë nxjerrë deklarata që kanë dënuar e kërcënuar dhe që janë zotuar për t’i ndëshkuar kundërshtarët dhe në fund këta kundërshtarë u ndëshkuan, natyrisht”.
Anëtarë të tjerë të prokurorisë u përpoqën t’i hedhin poshtë argumentet e mbrojtjes lidhur më të akuzuarit duke sjellë kundërargumente.
Për pjesën më të madhe të seancës, mbrojtja e Jakup Krasniqit argumentoi se Prokuroria në mënyrë të gabuar bëri përpjekje ta lidhte praninë e Krasniqit në disa vende krimesh të pretenduara, me kryerjen e krimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve.
Mbrojtja e Krasniqit shtoi se pretendimi i Prokurorisë se ai dhe anëtarë tjerë të UÇK-së ndanin qëllimin e përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën, përmes kryerjes së krimeve, nuk qëndron kur të analizohen të gjitha provat.
Ndërkohë, avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq argumentoi se Prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë se deklarata e UÇK-së i ka nxitur njerëzit apo individët të kryejnë krime në Kosovë.
Mishetiq tha: “Po themi që duhet të vërtetojnë diçka, që deklaratat janë përkthyer në efekt, kanë pasur ndikim, të paktën për ndonjë nga krimet e përmendura në aktakuzë. Përndryshe po flasim teorikisht”.
Prokurori Holding nga ana e tij u shpreh se shtabi i Përgjithshëm përcolli qëllimin e përbashkët kriminal
Prokurori Mettheë Holing tha se i hedh poshtë argumentet e mbrojtjes së Hashim Thaçit se Prokuroria nuk ka prova të ndonjë urdhri apo komunikimi të drejtpërdrejtë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që ta përcillte qëllimin e përbashkët kriminal të pretenduar.
Ai shtoi se provat përmbajnë një diskutim lidhur me “ekzekutimin masiv të të ndaluarve”.
Holing tha se kritika e mbrojtjes së Prokuroria po mbështetet në prova vetëm inkriminuese dhe jo shfajësuese, nuk qëndron.
“Në dosjen tonë gjeni shpjegime të hollësishme pse dëshmitarët janë të besueshëm. Provat shfajësuese nuk u rrëzuan asnjëherë pse ishin të tilla, prandaj disa pretendime që ishin bërë më herët, u modifikuan ose nuk i kemi marrë më për bazë”, tha ai.
Prokurori James Pache argumentoi se mbrojtja e Thaçit ka bërë përpjekje “të dështuara” për ta legjitimuar ndalimin e dy gazetarëve serbë dhe një delegacioni të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1998.
“Parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit për ta bërë të ligjshme paraburgosjen e delegacionit parlamentar [të Lidhjes Demokratike] në Qirez më 1998, janë të dështuara po ashtu”, tha Pache.
“Gjatë argumenteve mbrojtja e Thaçit pretendoi se UÇK-ja ka pasur arsye ushtarake për të ndaluar dhe pyetur anëtarët e delegacionit në Qirez. Një dëshmitar kishte thënë se dikush kishte ardhur në Qirez për të kërkuar çarmatosjen e UÇK-së”.
Prokurori Tieger tha se mbrojtja u përpoq ta shmangte rolin e vërtetë të të akuzuarve
Prokurori Alan Tieger ka nisur parashtrimet e Prokurorisë, duke thënë se mbrojtja e të akuzuarve ka bërë përpjekje t’i paraqesë ata si njerëz me qëllime të mira dhe pa pushtet e motive.
Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën në mëngjes.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit. /rel/