Libri i Papa Benediktit të XVI vjen në shqip
Ndonëse detyra e një Pape është pikërisht përhapja e fjalës së Zotit, nuk kishte ndodhur që një syresh të shkruante një libër për Jezu Krishtin. Dhe kur kjo ndodhi, ai u kthye menjëherë në një “best seller”. Shtëpia Botuese “55”, në bashkëpunim me Rektoratin e Tiranës si dhe Nuciaturën Apostolike në Shqipëri, promovon sot një nga librat best-seller të Papa Benediktit të XVI “Jezu krishti i Nazaretit”. Libri është përkthyer në shqip nga Ferdinand Leka. Tre vjet më parë, më 13 prill 2007, u paraqit zyrtarisht në Sallën e Sinodit, në Qytetin e Vatikanit, libri me titull “Gesù di Nazaret – Jezusi i Nazaretit”, shkruar nga Joseph Ratzinger-Benedikti XVI. Libraria Botuese e Vatikanit, që e kishte shtypur librin, e vetëdijshme për rëndësinë botërore që do të kishte botimi, ia kishte kaluar të drejtat e përkthimit, shpërndarjes dhe të shitjes në të gjithë botën Shtëpisë Botuese “Rizzoli”, e cila, nga ana e saj, ia kishte transferuar “Herder Verlag” të drejtat e përkthimit për Gjermaninë. Tri ditë mbas paraqitjes zyrtare, më 16 prill, datë në të cilën autori i librit “Jezusi i Nazaretit” kapërcente pragun e 80-vjetorit të lindjes, më shumë se gjysmë milioni kopjesh, në gjuhën italiane, gjermane dhe polake, ishin tashmë në dispozicion të publikut, ndërsa 22 botime në gjuhë të tjera ishin në proces. Tetë muaj më vonë, në fillim të vitit 2008, numëroheshin mbi 40 botime të librit dhe ishin shitur tashmë më shumë se dy milionë kopje. “Jezusi i Nazaretit” ishte bërë një “best seller”. Vëllimi i botuar deri tani, është pjesa e parë e librit Jezusi i Nazaretit dhe nuk bëhet fjalë në mënyrë të mirëfilltë për një biografi të Jezusit sipas stilit klasik. Në këtë vëllim, autori kufizohet vetëm me analizimin e disa momenteve themelore të jetës së Jezusit, që i korrespondojnë periudhës mes pagëzimit në lumin Jordan dhe shndërrimit në malin Tabor. Gjithsej janë dhjetë momente, mbi të cilët autori reflekton në po aq kapituj: Pagëzimi i Jezusit; tundimet; “predikimi në mal”; lutja e Zotit (Ati Ynë); nxënësit; mesazhi i shëmbëlltyrave: simbolet e mëdha të shën Gjonit apostull; rrëfimi i Pjetrit, shndërrimi dhe pohimet e Jezusit për vetveten. Pjesa e dytë e librit (vëllimi i dytë), tashmë i lajmëruar, do të flasë për fëmijërinë e Jezusit dhe për mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e tij.