Apple iPhone, Telefoni i mençur më i shitur në Japoni
Qëkur ka nisur shitjen në këtë treg të Lindjes së Largët, “Apple iPhone” po shënon vetëm rezultate të mira. Rezultatet janë aq të mira sa që kjo pajisje e ka përfunduar vitin fiskal duke qenë në vendin e parë të telefonave të mençur më të shitur në Japoni. Sipas të dhënave më të reja të institutit “MM Research Institute” Apple në fund të vitit fiskal, i cili ka përfunduar më 31 mars të këtij viti, në tregun japonez ka shitur 1.69 milionë iPhone, që kompanisë i ka sjellë pjesëmarrje prej 72 për qind në këtë pjesë të tregut. Vendin e dytë në listën e telefonave të mençur më të shitur në Japoni e mban kompania tajvaneze HTC, me pjesëmarrje prej 11 për qind, derisa në vendin e tretë është klasifikuar Toshiba me 6.8 për qind pjesëmarrje. Në tokën japoneze gjatë këtij viti fiskal është dyfishuar shitja e telefonave të mençur, e gjithsej janë shitur 2.34 milionë të tillë. Shitja e pajisjeve klasike për telefoni ka rënë për katër për qind, e gjithsej janë shitur 34.4 milionë njësi.
Virusi Zeus
Kujdes nga “Mozilla Firefox” dhe “Internet Explorer”
Virusi me emrin “Zeus” i cili vjedh të dhënat bankare të përdoruesve nga kompjuterët e të cilëve ai i infekton është më i fuqishëm se kurdoherë më parë, thonë nga Agjencia për sigurinë e internetit. Zeus 1.6 hyn në kompjuterë nëpërmes shfletuesve më të popullarizuar të internetit Mozilla Firefox e Internet Explorer, shkruan transmetuesi britanik BBC. Virusi vjedh informacionet në atë mënyrë që regjistron prekjet në tastierë të përdoruesve në faqet e sulmuara të internetit. Faqet e internetit të bankave dhe institucioneve tjera financiare janë cak i virusit të rrezikshëm dhe të fuqishëm Zeus. Të dhënat e vjedhura dërgohen në server ku kriminelët i përdorin dhe i shesin ato informata. “Pritet që versioni i ri i Zeus do të rrisë dukshëm keqpërdorimet, sepse pothuajse 30 për qind e përdoruesve të internetit në banka përdorin pikërisht shfletuesin Firefox, e virusi po shpërndahet më shpejt se kurdoherë më parë”, ka thënë Amit Klein, drejtor për teknologji në kompaninë “Trusteer”.
Lenovo ThinkPad L
Sjell dy modele të reja laptopësh
Lenovo ka paraqitur dy laptopë në linjën e re ThinkPad L. Laptopët vijnë me diagonale të ekraneve 14 e 15 inç. Me rastin e përpunimit të laptopëve prodhuesi është përkujdesur që të ofrojë qëndrueshmëri të vet kompjuterëve, ashtu edhe baterisë. Përveçse ofron qëndrueshmëri më të madhe në goditje, shtëpiza e laptopëve është rezistuese edhe ndaj dridhjeve dhe lagështisë, ndërsa kohëzgjatja e baterisë është deklaruar tetë orë punë. Pesha e modelit më të vogël L412 është 2.31 kilogramë, ndërsa ai më i madh, me shenjën dalluese L512, peshon 2.58 kilogramë. Veç kësaj, prodhuesi mund të lavdërohet edhe për faktin se laptopët janë përgatitur nga 30 për qind të materialeve të ricikluara, e krahasuar me modelet më të hershme ThinkPad këta janë 40 për qind më efikas nga pikëpamja energjetike. Çmimi fillestar i laptopëve në SHBA është 650 dollarë, e në përzgjedhje janë një varg i gjerë komponentësh.
24 Prill 2010