Ca shembuj korrektese nga Mal’Osmani
alma mile
Ajo çka e bënte atë të ndryshëm nga të tjerët ishte korrektësia deri në mani. Ndërsa dëgjojmë vazhdimisht për marrëdhëniet deri diku konfliktuale mes botuesve, autorëve, apo përkthyesve, për shkelje të drejtash autori, apo për pagesa të pashlyera, nuk ka sesi të mos mbetesh pa fjalë teksa shfleton një botim të “Kasolles” të Ibanezit, botuar në shtypshkronjën “Gutenberg” të Ismail Mal’ Osmanit, ku në anën e brendshme të kapakut të librit ishte shtypur marrëveshja mes botuesit dhe përkthyesit, në këtë rast, Fan Noli. Dhe nuk ishte një rast i veçuar e njëjta gjë haset edhe në botimet e veprave të Migjenit, pas vdekjes së shkrimtarit, Postolit, etj. Ismail Mal’Osmani ishte një nga botuesit më të njohur në Shqipëri në vitet ’30-’40, shquhej për kërkesa të larta, një ndjeshmëri të hollë karshi titujve dhe një korrektesë për t’u marrë shembull në marrëdhënie me bashkëpunëtorët. Janë këto arsye pse në Bibliotekën Kombëtare, Dita Botërore e librit do të festohet me një aktivitet përkujtimor kushtuar botuesit Ismail Mal’Osmanit, në 100-vjetorin e lindjes së tij. Do të promovohet një libër kushtuar tij, me autor Spiro Mëhillin, “Ismail Mal’Osmani- Njeriu i Librit”, si dhe një ekspozitë me rreth 45 botime që mbajnë vulën e shtypshkronjës së tij, pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Për drejtorin e BK-së, Aurel Plasari, Osmani është një botues tejet interesant. “Kishte miqësi të ngushtë me Kutelin dhe intelektualë të tjerë të kohës. Kuneli kujton se ai kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe si duket, kjo aftësi i mprehu edhe nuhatjen karshi titujve të mirë. Kishte shumë kërkesa karshi botimeve të tij dhe aq sa të shumta ishin botimet e tij, po aq ishin edhe titujt që kthente pas”, thotë Plasari. Për specialistët e Bibliotekës Kombëtare Maksim Gjinaj dhe Ramazan Vozga, Osmani ia doli të ngrejë një ent botues të modelit perëndimor, rreth të cilit arriti të mbledhë si bashkëpunëtorë intelektualë të shquar të kohës, shkrimtarë, publicistë, etj. Falë këtij rrethi bashkëpunëtorësh, botuesi Mal’ Osmani bëri zgjedhje cilësore të veprave që u ofroi për lexim lexuesve shqiptarë të kohës. Nga literatura e huaj zgjodhi dhe botoi vepra letrare dhe filozofike, juridike, etj., që përcillnin jo vetëm vlera artistike, botëkuptimore, etj., por që, në të njëjtën kohë, trajtonin probleme që ishin në rezonancë me shqetësimet dhe hallet e shoqërisë shqiptare të kohës. “Përsa i përket dorëshkrimeve të autorëve shqiptarë Mal’Osmani, duke zbatuar kritere të larta vlerësimi për kohën, përzgjodhi vepra që synonin edukimin e shijeve estetike dhe formimin e gjithanshëm të shqiptarëve të kohës së vet. Në të dy planet kriteret përzgjedhëse të dorëshkrimeve që paraqiteshin për botim ishin të larta dhe të sakta për kohën”. Në ekspozitën që do të hapet ditën e premte e botime të shtypshkronjës “Gutenberg”, do të veçonim vepra të autorëve shqiptarë si Migjeni, Foqion Postoli, Mehdi Frashëri, Jakov Milaj, Nonda Bulka, Injaz Xamputi, Sejfulla Malëshova, Mustafa Greblleshi, etj., për të vijuar me mera të mëdhenj të letërsisë botërore si Leëis Carroll me “Liza në botën e çudirave”, Ibanez me “Kasollja”, Ibsen me “Armiku i Popullit”, Daudet, Chateaubriant, Gorki, etj.
Marrëdhëniet me bashkëpunëtorët
Në ditën kushtuar librit, botuesit shqiptarë kanë se çmësojnë nga Ismail Mal’ Osmani. U bënë vite që ai është ndarë nga jeta, por ka lënë pas ca shembuj të vyer. Duke qenë një njeri që kishte punuar shumë për të arritur atë çka kishte, ish-tipografi, më tej pronari i shtypshkronjës “Gutenberg” dhe botuesi Mal Osmani, nuk donte t’i hante hakun kujt. Madje dukej se në këtë pikë nuk të falte. “Veprimtaria botuese e Ismail Mal’Osmanit shquhet edhe për korrektësinë në marrëdhëniet me autorët dhe përkthyesit në planin moral, por edhe financiar. Veprimtaria e tij ishte transparente dhe respektonte në maksimum të drejtën e autorit të veprave që botonte”, thonë specialistët.
Shumë prej librave të botuara prej tij ai i ka shoqëruar edhe me kopjen e marrëveshjes së lidhur me autorin, apo përkthyesin, sidomos kur ata jetonin larg Shqipërisë, apo ishin ndarë nga jeta. Të tilla janë rastet e veprave të përkthyera nga Noli, i cili aso kohe jetonte në Amerikë. Pasi shkruan datën e lidhjes së marrëveshjes, numrin e kopjeve të botuara e të tjera detaje si këto, Mal Osmani shkruan se “Për këtë ribotim si të drejtë përkthenjësi botonjësi z. Mal Osmani vë menjëherë në dispozicion të imzot Fan S. Noli gjysmën e fitimit neto që kap shumën prej 7300 lekë (sipas pasqyrë llogarisë si më poshtë). Kjo shumë do të derdhet në Bankën Kombëtare në emër të Fan S. Nolit.
Ky vendim u morr që të jetë në rregull editori kundrejt përkthenjësit në mungesë të tij nga Atdheu”. Më tej vijon tabela me të gjitha shpenzimet e bëra për librin, që nga mbuloja, palosja, qepja, radhimi, etj. Gjithçka e mbajtur shënim dhe e llogaritur deri në qindarkën e fundit. Dhe këto detaje i ofroheshin edhe lexuesit. Që nga koha e lidhjes së kësaj marrëveshjeje, që daton 12 shkurt 1944, kanë kaluar plot 66 vjet, megjithatë dëshmia ka ardhur deri në ditët tona. Tek veprat e Migjenit, botuar pas vdekjes së tij, nuk harronte të shkruante se të “ardhurat i shkonin familjarëve të autorit”. Një korrektesë të tillë zor se e gjen sot mes botuesve shqiptarë, ndaj dhe organizatorët e ekspozitës me botimet e Mal Osmanit do të vendosin këto kopje marrëveshjesh me formate të mëdha, që të mund të shihen sa më mirë nga vizitorët, mes tyre, pse jo, dhe botues. Pas librit, pranë çmimit shkruhej se ai ishte x lekë “në gjithë Shqipërinë”. Pas çdo botimi të ri, Mal Osmani njoftonte dhe botimet e ardhshme, apo ato që ishin në qarkullim, duke e mbajtur lexuesin gjithnjë të informuar mbi librat më të fundit që do të hidheshin në treg.