E Diel, 1 Nëntor 2026

Theodhosi, rrugëtimi nga jeta e Bllokut në minierën e Kurbneshit



alma mile

Ai nuk dëshiron shumë të flitet për jetën e tij si “çun Blloku”. “Njerëzit janë velur me historitë e ‘Bllokut’”, thotë Arben Theodhosi, ndonëse miqtë e tij vazhdimisht kuriozë, e ngacmojnë t’u tregojë ndonjë histori nga ato të rinisë së tij. Në një kohë kur nuk ka mbetur më kush pa treguar qoftë edhe ndonjë histori nga diktatura, ai mendon se tanimë janë të tepërta. është e vërtetë se 22 vitet e jetës së tij i kaloi në një nga vilat në qendër të lagjes së udhëheqësve, aq sa është e vërtetë që 14 vite të tjera i kaloi në Kurbnesh, duke punuar në minierë. As të parën dhe as të dytën jetë, Arben Theodhosi nuk i zgjodhi vetë. Qëlloi të ishte i biri i Koço Theodhosit, inxhinier e ministër e si rezultat gëzoi ca favore, por pikërisht si biri i Koço Theodhosit iu desh të kalonte vitet e rinisë së tij në atë qytezë “aliene” siç e quan ai, duke rrëmuar bakër në minierë. E kjo pjesë jete sigurisht që mbahet mend ca më tepër se ajo në vilën e bllokut. Por as për këtë të dytën piktori nuk do të flasë shumë. Nuk do që të duket vanitoz. Jo se e shqetëson shumë mendimi i të tjerëve. Ai gjithnjë ka qenë një thyes rregullash, edhe kur jetonte mes lagjes me postbllok, por nuk dëshiron që të duket si ata njerëzit që duan të bien në sy me çdo kusht. I mjafton arti që bën. Ai që i ka mbushur jetën edhe në vitet e rinisë moskokëçarëse, kur i mbante flokët e gjatë, edhe pse vazhdimisht ishte në qendër të kritikave, edhe atëherë, kur i këputur nga puna në tunele shijonte këngën e Marka çunit, malësorit nga fshati Bardhaj, apo vargjet e Fishtës që Prenga nga fshati Kumbull recitonte përmendësh. Dy ditë më parë piktori promovoi botimin e tij të katërt, të titulluar “Në stacionin e shtatë”. E ka titulluar kështu, sepse shtatë janë atelietë që ai ka ndërruar prej vitit 1990. çdo njëri stacion ka historinë e vet, miqtë, pikturat, që lidhen ngushtë me historinë e vendit në tranzicion. Një periudhë jo pak e vështirë, por e mbushur me krijimtari. Pas 14 viteve shkëputjeje nga jeta artistike kolektive, rinis të marrë pjesë në ngjarjet kulturore të kohës. Në vitin 1991 merr pjesë në ekspozitën “Forbidden Art” në Vjenë, ndërsa një vit më vonë hap një ekspozitë vetiake në Galerinë Kombëtare të Arteve me 40 punime në vaj, të realizuara kryesisht gjatë viteve të internimit. Në vitin ’93 përfundon në Akademinë e Arteve studimet e ndërprera, kur ai ishte në vitin e tretë. Prej asaj kohe ka hapur ekspozita vetiake e në grup, në Shqipëri e vende të tjera, si në Greqi, ku jetoi dy vjet si emigrant, Itali, Holandë, etj. Ka fituar edhe çmime kombëtare si “Onufri ‘95". Shumë piktura të tij gjenden në koleksione private në shumë vende të Evropës dhe në SHBA. Një ndër veprat më të vlerësuara është piktura në vaj “Purple Crucifix”, e cila bën pjesë në koleksionin e artit modern të Muzeut dioqezan “Albino Luciani” në Vittorio Veneto (Itali).
Nuk u ka vënë numra atelieve në vilën e bllokut dhe as asaj të improvizuar në apartamentin e Kurbneshit, ndonëse nuk i ka përjashtuar nga botimi i tij. Sigurisht që hapësira më e madhe e katalogut i kushtohet pikturës. Ka përzgjedhur disa nga punimet e tij të realizuara gjatë viteve 2000-2010. Një pjesë të tyre i ekspozoi ditën e promovimit të katalogut në galerinë “Coli’s”. Një rast i mirë për të mbledhur miqtë, për të pirë një gotë verë dhe për të folur për artin. Kjo është edhe tema e parapëlqyer e tij. Pa dëshirën e piktorit, kemi shkëputur disa pjesëza nga botimi i tij, ku rrëfen për atelienë e tij të parë, atë të bllokut dhe përballjen me një realitet të ri, në qytezën e bakrit. Nuk ka asgjë vanitoze në përshkrimin e Theodhosit. Përkundrazi është një përshkrim tepër human, që nuk u ngjan historive të zakonshme të diktaturës.
Pjesë nga botimi
Në fillimin e viteve ’70 atelieja ime e pikturës u ndërtua në qoshen e lulishtes që rrethonte vilën ku banoja. Dhoma e gjumit nuk mund të shërbente si atelie pikture, ndaj familja vendosi të modifikonte godinën modeste të lavanderisë, në qoshen verilindore të lulishtes. Tani që mbi këto memorie punon analiza e tridhjetë viteve, mund të them se atë atelie, prindërit e mi e ndërtuan në atë qoshe si për ta larguar edhe 10 metra më shumë nga shtëpia e komshiut Enver Hoxha, 10 metra larg sikletit! Në atelie bënin figurë të veçantë varësja vertikale e rrobave, ose “prifti”, siç e quanin me kënaqësi për hir të homonimit të mistershëm, vetrata e serës së luleve që zëvendësonte murin jugor të ateliesë, oxhaku rrethor, që i ngjante zgavrës së një peme gjigante dhe këmbaleci i pikturës. Kur nuk disponojmë veglat dhe përvojën e marangozit, ne gjithnjë mund të sajojmë një këmbalec pikture të veçantë.

* * *
Pikturat i përgjigjeshin aq pak orientimit zyrtar të asaj kohe, saqë shumica e vizitorëve e konsideronin këtë pjesë të ateliesë si një trill rinor, që do të “riparohej” me kalimin e kohës. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në shtëpitë e pushtetarëve rrjedha e kohës ndryshonte mjaft nga rrjedha e kohës në pjesën tjetër të qytetit. Mes vilave të “Bllokut të udhëheqjes” koha mund të rridhte krejt pa kuptim, mund të ndërpritej papritur në mënyra të mistershme ose, në rastin fatlum, mund t’i vërtitej asaj rrjedhës së ashpër popullore, që të përbrendshmet e vilave të “Bllokut” e urrenin për vdekje. Megjithatë, pavarësisht nga këshillat e historisë apo nga ndjesitë e pakëndshme, banorët e “Bllokut”, ku doja s’doja, bëja pjesë edhe unë, nuk deshifronin dot këto alternativa brenda fatit të vet.
Arsyeja pse i gëzohesha ateliesë ishte komoditeti që ajo më ofronte në marrëdhëniet intime me artin dhe me rrethin e ngushtë të miqve. Me ose pa vetëdije, unë shfrytëzoja tolerancën e mjedisit servil për t’iu shmangur përkushtimeve të etikës socialiste-proletare, bëja çmos për t’u marrë kryesisht me art dhe shijoja larminë e miqve, pa u mërzitur shumë nga motivet ordinere, utilitare, për të cilat disa syresh afroheshin. Nuk e kisha programuar vetë jetën time, por isha me fat: arti më pasuronte ndjesitë, ndërsa kontakti me miq të shumtë më shpaloste pamjet e çmuara të universit.

* * *
Orari i punës në atelie ishte tepër i çrregullt, sepse ndikohej nga vizitat e miqve, të cilët përfaqësonin periudha të ndryshme historike, shtresa të ndryshme shoqërore, mosha dhe profesione që nuk i përngjanin njëri-tjetrit. Ky realitet më gëzonte! Sa më shumë lidhje miqësore krijojmë me individët përreth, aq më e pasur bëhet njohja jonë në gjirin e universit. çdo individ përfaqëson një koncept dhe një realitet më vete, ka yjësinë e vet të referencave dhe e reflekton hapësirën kozmike në një mënyrë origjinale...
... tek individët që më ofronin miqësinë, koha mishërohej dukshëm në mënyrat më të ndryshme dhe me të gjithë larminë e vet, do të ndërtonte një raport krejt origjinal me atelienë time. Kjo atelie në qendër të “Bllokut” i përkiste “Bllokut” dhe nuk i përkiste “Bllokut”. Pesha e misterit që diktonte vendbanimi i pushtetarëve, fashitej si me magji sapo që miku vizitor shtynte nga pas derën e ateliesë dhe përballej me interierin, me muret e pikturuara, me telajot, drutë, oxhakun, revistat e artit, muzikën dhe me mua. Gjithçka ishte një rrëmujë e ndaluar! Sipas një shakaje të Bertolës, edhe vetë unë isha i ndaluar, paçka se hë për hë s’më preknin dot.
Bertola ishte një ndër miqtë e mi më ekstravagantë. Më bënte vizita në orët e vona, lëshonte batuta të fantaksura dhe ndonjëherë e zinte gjumi në atelie. Në vitin 1975, kur komshiu ynë, gjeneral Beqir Balluku, u akuzua si armik i popullit dhe u dëbua nga “Blloku”, Bertola ma tha si me përtaci e duke iu hapur goja: “të gjithë do ta hani, njëri pas tjetrit!” dhe u shtri pastaj pas oxhakut me sytë gati për gjumë, duke hulumtuar edhe për pak çaste nënqeshjen time aprovuese. Aprovuese, jo sepse besoja në fjalët e Bertolës, askush nuk e beson tërmetin brenda fatit të vet përpara se ta ndiejë, por sepse fjalët e Bertolës kësaj here përmbushnin një komunikim brenda llojit me atelienë e ndaluar, me atelienë që ishte, por edhe mund të mos ishte. Bertola jetonte si nëpër ëndërr dhe insinuata e kësaj situate të ateliesë harmonizohej në polifoni të përkryer me origjinalitetin e tipit të tij.

* * *
Profecia e Bertolës: “Të gjithë do ta hani, njëri pas tjetrit”, rezultonte gjithnjë e më e saktë. Në vitin 1975 unë njoha “tërmetin”, kur im atë u akuzua për veprimtari armiqësore ndaj shtetit të Diktaturës së Proletariatit. Në qershor të atij viti u ndava nga atelieja e “Bllokut”, pasi e pastrova sa munda, brenda një nate nga “njollat e ndaluara”. Për 14 vite rresht nuk do ta takoja më “fantazmën”. Atelieja ime do të improvizohej në dhomën e gjumit, brenda një godine të zakonshme të qytezës së minatorëve, ndërsa kontaktet e lakmuara me individë të periudhave historike, shkollave dhe profesioneve të ndryshme, do të realizoheshin në minierë dhe në mjediset e varfra të qytezës.
Kur iu afrova për herë të parë, qyteza e internimit më ngjau si një vendbanim i mistershëm alien, i rrethuar nga unazat malore të drunjtë halorë. Ishte si grykë vullkani. Por ideja e peizazheve mahnitëse të mëmëdheut funksionoi vetëm pjesërisht. Duke zbritur në kraterin e vullkanit të stërmadh, imazhi i vendbanimit alien u shndërrua në kulla të zymta guri, në oborre të rrethuara me gardhe armiqësore, në fshatarë me opinga tërë baltë dhe me fëmijë me qyre. Në sytë e këtyre të fundit shquaja sakaq dëshirat e realizuara mos më keq për ushqimin, për edukatën dhe argëtimin. Portreti i vendbanimit alien ishte një grumbull rrudhash, ku gjilpëra e gramafonit do të lexonte veç qarje dhe rënkim.
Vendbanimi alien ishte ndërtuar enkas për të mos rënë në sy. Familje pushtetarësh që kishin drejtuar vendin për dhjetëra vjet, syrgjynoseshin papritmas në kraterin e fshehtë për të qenë kështu sa më të “sigurta”, për të mos u larguar dot përtej kufijve të mëmëdheut dhe për të shtuar rrudhat e rënkimeve të vendbanimit alien.
Banesat ku strehoheshin të syrgjynosurit ishin një përzierje monstruoze e kullës së malësisë dhe apartamentit të arkitekturës socialiste. Alienët e parë që takova ishin mikërpitës. Kishin marrë urdhër për të qenë mikpritës, kishin marrë urdhër për të na ndihmuar edhe në transportin e orendive. Nga kamionët deri në banesën e caktuar për familjen time, alienët nuk e ndjenë aspak lodhjen; ata soditën gjithçka me vëmendje, ata prekën me kureshtje çdo orendi dhe çdo herë i bënë shenja kuptimplote njëri-tjetrit: orenditë nuk i përkisnin aspak botës së tyre. Alienët që më ofron kujtesa e ditëve të para ishin Nazifi, Prenga, Marka çuni dhe Ndue Stojani. Nuk jetojnë më.

* * *
... Alienët ishin të vëmendshëm përkundrejt të huajve. Ata krijuan bindjen se konstrukti im ishte mjaft i përshtatshëm për minierën. Disa mendonin se unë duhej të bëja madje dyfishin e punës së tyre, por të tjerë s’ishin të të njëjtit mendim dhe më trajtonin si veten. Vitet e fundit të qëndrimit tim në qytezë, Marka çuni ulej shpesh pranë meje, kruante paksa faqet e parruara, mbështetej pas trarëve të ngrohtë të armaturës së galerisë dhe më ngacmonte me dashamirësi: “Aha, e di unë, si e ke qefin ti!”. Pastaj merrte aprovimin tim, ngjeshte gishtin pas veshit dhe me kokën mënjanë ëndërronte nën tingujt e vet olimpikë, shumicën e rasteve në tone të ulëta, sepse brigadieri nuk kishte vesh për muzikë.
Për mbarëvajtjen e shëndetit mendor të një të huaji të internuar, kontakti me familjarët, me median, apo me librin brenda mureve të apartamentit do të ishte krejt i pamjaftueshëm. Gjatë viteve të qytezës, ky problem do të grihej për mua si një shaka e rëndë e fatit dhe do të zgjidhej në mënyrë të detyruar, përmes punës së detyruar. Në vendbanimin alien hapi më i rëndësishëm ishte “gjuha”. Përderisa 8 orë në minierë nënkuptonin vetëm punë intensive, unë nuk e kisha mësuar gjuhën. Vetëm pasi mësohet gjuha, të huajt mund të kuptojnë dramën, humorin, përvojën e njëri-tjetrit. Ndihmoja ndonjë shëndetlig ose të moshuar dhe ne pushonim kur doja unë, pinim duhan kur doja unë ose kuvendonim rreth ngjarjeve që dëshiroja unë.

Kthimi
Nuk do të ishte i lehtë. Pas 15 vjetësh isha kthyer më së fundi në qytetin e lindjes, por që të arrija në truallin e artit të lirë më duhej akoma të endesha pa fund. Pas betejave të mëdha, jo të gjithë njerëzit ishin kthyer në vendlindje. Shumë herë, ata kishin ndryshuar drejtimin e udhëtimit të tyre për t’u siguruar një vendlindje të re fëmijëve të tyre. Por unë kërkoja vendlindjen e artit të lirë, i cili nuk kishte lidhje me ndonjë truall zyrtar. Ai kishte lindur shumë kohë para shtetit, për të migruar ku më shumë e ku më pak, në të gjitha trojet e rruzullit. Arti i lirë nuk lindte në shtete të lira, arti i lirë lindte në njerëz të lirë.
Gjeografikisht vendlindja e artit tim të lirë ndodhej në një truall dikur të ndaluar për shumicën e qytetarëve, ndodhej në atelienë e “lagjes së ndaluar”, në mjediset e Tiranës elitare të periudhës diktatoriale. Banorëve të atij trualli u lejohej kultura dhe informacioni perëndimor, por nuk u lejohej të mendonin dhe të drejtonin si në perëndim. Me gjithë aparencën e qetë, trualli i ndaluar gjithnjë kishte përjetuar trazira: shumëkush atje mendonte ndryshe, shumëkush mendohej për keq edhe nëse nuk mendonte ndryshe. Në atë truall të çuditshëm kisha shfrytëzuar tolerancën e mjedisit servil për t’iu shmangur etikës socialiste-proletare dhe deri diku të kisha dalë: Im atë bënte pjesë ndër 12 pushtetarët e truallit të ndaluar, por ishte edukuar në familjen e epitropit, kishte studiuar në universitetet e Belgjikës dhe Francës, dhe në atelie trokiste vetëm për të më pyetur nëse doja të luaja tenis...
Trualli i ndaluar ishte asgjësuar më në fund së bashku me shtetin e diktaturës dhe për artin e lirë nuk kishte më barriera. Por duhej të udhëtoja për të kërkuar jashtë dhe brenda vetes, i bindur se arti i lirë nuk kishte asnjë lidhje me gjeografinë.

Si e mori lajmin e dënimit të babait
Në verën e ‘75-ës përfundova në minierë. Do të rezistoja atje për 14 vjet. Në vitin 1977 babai u dënua me vdekje. Ishte ndër ato raste kur lajmi përbënte arritje të komunizmit dhe bëhej publik përmes buletinesh të nënshkruara “sekret”. Në një sallë të ndërtuar enkas për mbledhje të bujshme, minatorëve u lexohej buletini “sekret” i farsës gjyqësore. Nuk dija gjë të saktë për gjyqin, sepse isha atje, mes minatorëve të djersitur, që pas rënkimeve të nëndheshme, brohorisnin “të rejat e mëmëdheut”. Buletini u lexua, armiqtë ishin ekzekutuar dhe salla brohoriti furishëm. Në mes të gjëmimit isha i vetëm, isha vrima e zezë që duhej të gëlltiste vështrimet e absurditetit të kobshëm njerëzor. Pashë tavanin, pashë dyshemenë, pashë muret dhe njerëzit që peshonin mbi gjoksin tim. Pakkush mundi ta kthejë kokën nga unë; kushdo që e bëri, e bëri tinës e si me frikë. Isha një statujë e një statujë diç fsheh përbrenda; një statujë nuk mund të qajë, nuk mund të bërtasë, apo të lëvizë sepse dreqi ta hajë, herë-herë mirë e bën, është vetëm një statujë. Ndërsa ata mavritë, të sjellshëm, apo të pasjellshëm, ata ishin aktorë, sepse kishin fëmijë, kishin motra, kishin vëllezër e prindër... Bërtasin gjithnjë, i dëgjon? Bërtasin krijesat kur kanë frikë, kur mbahet një fjalim, kur merret një vendim, apo kur bëhen tufë... dhe janë gjithnjë aktorë. (marrë nga botimi i tretë i Arben Theodhosit “Sfidë ndaj kufijve”).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›