E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i Spartak Ngjelës: Enveri ngarkoi Ramizin me krijimin e Internacionales së re

Projekti i Hoxhës për skizëm duke krijuar ‘partitë marksiste- leniniste të së vërtetës’. Përdorte paratë e Tiranës dhe Pekinit. Në Klubin e Partisë fliste vetëm për fatet e komunzimit botëror. Zef Mala e shihte këtë si megalomani të Enverit.

Me paratë e Shqipërisë dhe sidomos të Kinës, Enver Hoxha nisi të krijonte shizmën e dytë të komunizmit, duke krijuar “partitë marksiste-leniniste të së vërtetës” nëpër të gjithë botën, por sidomos në Perëndim. Kuptohet se logjikisht kjo ndërmarrje e mbyllte krejt qarkun e veprës së tij, e cila kishte nisur me shkëputjen nga Bashkimi Sovjetik, ngaqë, sidomos, kjo i duhej për të treguar se, jo vetëm që nuk ishte një luftëtar i vetmuar, por ishte edhe një njeri i madh dhe i vetmi revolucionar në botë. Ishte natyra e tij e vjetër që e shtynte të mendonte se mund të drejtonte gjithë njerëzimin. Kjo natyrë e një deliri të tillë, dallohej veçanërisht gjatë bisedave të çdo mbrëmjeje, kur ai bënte në Klubin e Partisë me njerëzit e vet të Rrethit të Parë, të cilëve tani vetëm u fliste për fatet e botës e të komunizmit dhe nuk i linte më të thoshin asnjë fjalë. Por, me Shehun dhe me Kapon, tregohej disi më ndryshe, si të ishin tre mosketierë të një qëllimi të madh. “E pyeta Mehmetin” – mbaj mend që më tha Ladi atë kohë kur po lindnin partitë e Hoxhës – “madje e pyeta disa herë, por ai nuk donte të përgjigjej”. Kështu gjersa e ëma, Fiqreti, ia kishte bërë me shenjë për t’i thënë që ta linte atë muhabet. Kurse ne, në rrethin tonë qeshnim duke e konsideruar këtë ndërmarrje të ethshme të Hoxhës si një marrëzi që e kishte ndërmarrë për të treguar qetësi ndaj vetes dhe një hakmarrje ndaj kundërshtarit. Por idenë e perandorisë, në fakt ma analizoi sak Zef Mala, në kohën që rrinim dendur bashkë në Burgun e Ballshit.

Zefi e shihte tendencën e Hoxhës si një “propensitet natyror” të tipit të tij megaloman dhe që mendonte se duke hyrë në Perëndim me partitë dhe me gazetat e tij, sikur e rriste tej mase territorin e vogël dhe popullsinë e vogël të shtetit që drejtonte. “I duhet për të realizuar disi delirin e tij, sepse dëshira për perandori është ende prezente në arketipat njerëzorë që ai përfaqëson” – theksonte Zef Mala atëherë, dhe tek e kujtoj edhe kohën, edhe të gjithë lëvizjen jam i bindur se kjo gjendje psikike e ngarkuar nga inkoshienti i perandorit, ishte natyrë qendrore e Hoxhës në ato vite kur, në një krah ushtronte të gjithë forcën politike dhe demagogjike për izolimin e Shqipërisë, dhe, nga ana tjetër, shtonte radhët e partive të vogla që nuk kishin asnjë vlerë për të ardhmen politike të vendeve të tyre. Hoxhës, në fakt, i dukej sikur po ndërtonte edhe ai një Internacionale Socialiste a Komuniste, ashtu siç kishte bërë Marksi me Leninin, por në të njëjtën kohë gjente edhe alibinë e shëmtuar duke dhënë një “provë” se nuk ishte i izoluar, por përkundrazi, kishte miq të shumtë në të tërë botën dhe bota e kishte vështrimin nga ai. Çështjen e izolimit të Shqipërisë, ai e ndiente që ishte një veprim ahistorik dhe kthim në otomanizëm dhe prandaj e paraqiste lëvizjen marksiste-leniniste si një lloj europianizmi të ri. Ai ishte diabolik deri në fund sepse kërkonte ta shkallmonte përfundimisht kulturën europiane të shqiptarëve, duke intriguar me faktin e ri të revolucionit proletar.

Këtë gjë, më parë e kishte ndërmarrë Lenini, kur u shkëput nga Internacionalia e Dytë Socialiste dhe krijoji Kominternin, e cili s’ishte gjë tjetër veçse një Internacionale e Tretë. Por edhe Trocki pasi u dëbua nga Rusia, krijoi internacionalen e tij komuniste për t’iu kundërvënë Kominternit dhe partisë së Stalinit, por Hoxha kam përshtypjen se nuk e dinte fare këtë fakt. Të gjithëve ne, kjo vepër e re e Hoxhës na u duk si një marrëzi shqiptare, kurse vetë Enver Hoxha na ngjasonte me një mashtrues që tallej me viktimat e tij. Në Broduej talleshin hapur me të gjitha lajmet e Radio Tiranës e të gazetës “Zëri i Popullit”, kur bëhej fjalë për krijimin dhe aktivitetin e partive marksiste-leniniste në Perëndim. Befas, madje, filluan të dilnin e të propagandoheshin si figura, edhe emra si Zhak Gripa, Kryetari i Partisë Marksiste-Leniniste në Belgjikë, Reixh Bërxh në Angli, Uillkoks në Australi, Frans Strobël në Austri, Fosko di Nuci në Itali e turlifarëlloj emrash; të gjithë aventurierë që vinin këtu të merrnin ndonjë dollar, por Hoxhës aq i bënte, sepse i duheshin për qëllimin që folëm. Enver Hoxhës, perandoria i duhej mbi të gjitha, për të ushtruar propagandën e tij në popull, e sidomos me ata të rinjtë që kishte marrë nga puna e rëndomtë e po i ngjiste në udhëheqjen e Partisë dhe të cilët ende nuk dinin përse kishin ardhur, pse i kishin thirrur dhe çfarë duhej të bënin.

Ndërkohë, ne që jetonim pranë oborrit të Enver Hoxhës, konstatuam saktë se e gjithë garda e vjetër që jetonte përreth tij nuk ishte fare entuziaste për partitë marksiste- leniniste të Perëndimit. Nuk bindeshin dhe kishte ndodhur e kundërta: në vend që ta merrnin këtë si një shenjë të “madhështisë” së Enver Hoxhës si doktrinar, e kishin marrë si shenjë të dobësisë së tij për një vepër të dështuar. Këtë e vura re edhe tek im atë. Kiçoja nuk kishte fare qejf të fliste për to dhe unë e kuptoja se i dukeshin qesharake. Këtë e pashë vetë, sidomos kur nuk kishte qejf fare të rrinte me belgun Zhak Gripa, ndërsa ai pushonte familjarisht, si edhe ne, në Dhërmi të Himarës. E shihja që nuk e përfillte fare dhe i shmangej takimit me të.

“ǒështë ky? Çfarë përfaqëson” – e pyeti Vera Kiçon për Zhak Gripën, një natë kur ishim duke luajtur me letra, por Kiçoja iu shmang në fillim duke ngritur vetëm supet. Ndërsa Vera nuk ndaloi dhe mandej i tha: “Ti ke ndenjur shpesh me të, prandaj dhe të pyes”. Atëherë Kiçoja u përgjigj duke psherëtirë: “E ç’më pyet, moj Verë, nuk e ke parë që nuk di asgjë, ai nuk di as sa anëtarë ka partia e tij”.

Kjo ishte e gjitha, pra, brezi i Kiços nuk ia pranonte fare Hoxhës këtë nismë, por ai as që çante kokën, sepse kishte krijuar grupin e Ramiz Alisë dhe paguante e paguante për të krijuar një si internacionale komuniste, por pa e quajtur të tillë. Kjo pra ishte perandoria e tij qesharake, por ai e donte. Madje, nëse nuk ka qenë një lojë demagogjike, dhe e ka besuar vërtet, atëherë sëmundja e tij ka qenë tepër e rëndë. Kam përshtypjen se edhe mund të jetë bindur dikur se e ka formuar më në fund perandorinë e tij, sepse, që nga fundi i viteve ‘60 e deri në vitin 1976, ai sillej në media si një perandor i revolucionit, si lider i të gjitha lëvizjeve progresiste në botë dhe si udhëheqës shpirtëror i rreth dyzet partive marksiste-leniniste që i mbante vetë me para. Kurse hordhitë që dolën nga 6 shkurti i vitit 1967 bërtisnin e sokëllinin për sukseset e partive marksiste–leniniste dhe për dominimin e botës mbarë nga Enver Hoxha. Ne nuk arrinim të kuptonim nëse këta njerëz i besonin apo jo ato që thoshin, por dhe pse qeshnim me të madhe me ta, prapë ishim të mërzitur. Ne e kuptonim atëherë se do të vinte një ditë që e gjithë jeta politike, morale, ekonomike e shoqërore në përgjithësi do të binte në duart e tyre. “O Zot! - thoshte shpesh e më shpesh një shoku im në ato kohëra. -Çfarë të kemi bërë që po na torturon për të na shtypur me anë të injorancës!”.

Pse Qemal Stafa i shmangej Enver Hoxhës

Fjalët e fundit të Qemal Stafës për Kiço Ngjelën pas një përplasjeje të tij me Enver Hoxhën. Tipi i Enverit sipas bashkëkohësve: nuk të shihte në sy, kishte gjithmonë frikë dhe mendonte se ishte njeri i madh.

Në të njëjtën kohë, Enver Hoxha kishte nisur punën për krijimin e perandorisë së tij, e cila pa dyshim që do të ishte marksiste–leniniste. Atij do t’i hante rreth dhjetë vjetë kohë që ta stabilizonte plotësisht këtë “perandori”. Nuk kuptohet se cila shtysë psikologjike e ka nxitur drejt këtij vendimi. E tërë historia e ideologjive është histori shizmash, prandaj, deri këtu, gjithçka duket se ecën brenda një rrjedhe historike normale për llojin e vet. Dihet se, gjithmonë, në të gjitha shizmat ka pasur interesa krerësh. Të shumtë kanë qenë ata krerë dogmatikë që kanë ushtruar tmerrin kundrejt shoqërisë në emër të ideologjisë apo të fesë që kanë drejtuar, edhe pse e kanë besuar më pak nga të gjithë atë fe apo atë ideologji. Kjo është historia e trishtë e mendjes joracionale njerëzore dhe e pushteteve që janë mbështetur gjithmonë te pjesa fanatike e shoqërisë, domethënë, te ajo pjesë që nuk ka ditur asgjë rreth vetes dhe botës. Enver Hoxha s’mund të ishte përfaqësues i ndonjë krahu real në lëvizjen komuniste botërore. Ai ishte një mendje e shkathët politike në lojën për pushtet, dhe, si themeluesi i një lëvizjeje ideologjike, për interesin e tij, ia arriti ta shkëpuste “kishën” e vet nga Moska. Pastaj, me ndihmën e të tremburve dhe të të nënshtruarëve të tij, ai mendoi që ta mbante “kishën” vetëm për vete dhe ta trajtonte atë si një objekt të shenjtë e të pacënuar, sepse këtu e kishte burimin e pushtetit politik.

Lëvizja komuniste botërore u ngrit me shpresën e një revolucioni për barazi shoqërore, por praktikisht ajo përfundoi në atë përzierje të humanizmit me terrorin, të cilën e kemi përmendur edhe më sipër gjatë këtij libri. Në këtë përzierje, ata që kishin qenë humanistë sui generis dhe që besuan realisht tek ajo doktrinë ranë viktima të terrorit që ushtruan krerët e tyre, të cilët, në më të shumtën e herëve, nuk kishin lidhje as me humanizmin dhe as me doktrinën. Kështu që, edhe për këtë rast, Hoxha e nisi veprën e vet për krijimin e një “perandorie marksiste-leniniste”, duke përdorur gjithashtu tezën e një revolucioni proletar botëror. Kjo ishte një alibi që Hoxha e krijoi për t’i dhënë vërtetësi lëvizjes së vet, si dhe për të krijuar “doktrinën” e shkëputjes nga kampi socialist. Për këtë arsye, alibia duhej të kishte përdorim dyfish: edhe përballë politikës sovjetike, por edhe përpara komunistëve shqiptarë e sidomos atyre që ishin rreth tij e që në fakt kishte vendosur t’i skartonte.

Unë nuk e kam përjashtuar asnjëherë idenë se drejt këtij pasioni steril për perandori, Hoxhën mund ta ketë shtyrë edhe paranoja, sepse herë-herë, Hoxha ka dhënë shenja se e besonte të qenët e tij një njeri i madh. Këtë ma kanë pohuar edhe shumë të tjerë që kanë jetuar pranë tij në ato çaste, kurse Kiçoja theksonte gjithmonë se delirin e të qenit “njeri i madh” dhe “frikën permanente”, ai i kishte natyrë të tij, edhe para sesa të vinte në pushtet. “Ishte gjithmonë i fshehtë”, - thoshte Kiçoja dhe vazhdonte: “Në ato kohëra të vështira në Tiranë, ai asnjëherë nuk të shihte në sy, ose edhe kur të shihte të këqyrte për të parë nëse mund të të besonte ose jo, ndonëse ai kurrë nuk besonte njeri. Por kishte maninë për të folur si njeri i madh që dinte të jepte direktiva dhe, qëkurse ishte 34 vjeç, tentonte të fliste si një i moshuar. Kishte një ngërç në të folur dhe bisedën e bënte me hope, por gjithmonë ishte shumë i vëmendshëm dhe, me njeriun që ishte afër, përdorte me sukses metodën e të treguarit se e kishte shumë përzemër... I pari që ia kapi këtë natyrë ishte Qemal Stafa. Ai e kuptoi dhe muajt e fundit donte t’i shmangej gjithmonë. Ka tepër mundësi që të kenë pasur ndonjë përplasje të ashpër me njëri-tjetrin, sepse në këtë kohë, ndoshta një muaj para se të vritej, Qemal Stafa më tha: ‘Kiço, unë jam i vetmuar dhe që të gjithë jeni të rrezikuar’... Nuk e kuptova dot asnjëherë këtë bisedë të fundit me Qemal Stafën dhe, pas vrasjes së tij, asnjëherë nuk e largova nga mendja”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›