E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në kërkim të arkivave rus të viteve ’50-‘60

SHKRUAN: Aida TUCI 06-10-2011 13:03

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Studio Qendrore e Filmit Dokumentar në Moskë i Federatës Ruse zhvillojnë «Javën e filmit shqiptar» në Moskë nga data 8-14 tetor.

Zv.drejtori i Arkivit, Flori Balliu: Misioni ynë në Moskë është edhe kërkimi i materialeve arkivore që arkivi rus ka për Shqipërinë

“Java e filmit shqiptar”, që do të zhvillohet në Moskë nga data 8-14 tetor në kinoklubin "Miqësia e Popujve", në Universitetin e Moskës, do të shërbejë ndër të tjera për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Studion Qendrore të Filmit Dokumentar në Moskë si një “ekspeditë kërkimore” e materialeve arkivore të periudhës së miqësisë së ngushtë mes dy vendeve komuniste. Një delegacion nga AQSHF, kryesuar nga drejtoresha Elvira Diamanti, do të jetë i pranishëm gjatë ditëve të shfaqjeve të filmave shqiptarë me misionin e posaçëm për të zhvilluar takime me drejtuesit e Studios Qendrore të filmit dokumentar në Moske, institucion me të cilin AQSHF ka një protokoll bashkëpunimi që në vitin 2010. Pjesë e vizitës së delegacionit tonë është edhe konkretizimi i projektit ”Shqipëria dhe Rusia në filmin dokumentar të viteve ‘50-të”. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në fund të vitit 2010 mes dy vendeve, institucionet e arkivit të filmit do të bashkëpunojnë mes tyre për shkëmbimin dhe propagandimit e filmit dokumentar e kronikal që ka të bëjë me Shqipërinë dhe Rusinë në periudhën që shtrihet nga viti 1945-1961. Marrëveshja që është nënshkruar për një periudhë 4-vjeçare parashikon organizimin e shfaqjeve të përbashkëta, siç është zhivllimi i “Javës së filmit shqiptar”, nga data 8-14 tetor, si dhe takime, shkëmbime materialesh dhe organizimin e aktiviteteve të tjera kulturore, por pika kryesore e bashkëpunimit mes AQSHF dhe Studios Qendrore të Filmit Dokumentar e Federatës Ruse është aksesi që dy institucionet do të kenë në fondet reciproke dhe burimet e tjera të informacionit për studiuesit. Të dyja palët në Moskë do të paraqesin listën e materialeve filmike që disponojnë. Arkivi Shtetëror i Filmit në kohën e marrëdhënieve të mira me Rusinë u detyrua të importonte sidomos filma artistikë, por edhe dokumentarë nga Rusia. Një pjesë e këtyre filmave dhe dokumentarëve është në listën që arkivi i filmit shqiptar do t’u ofrojë rusëve në shkëmbim të materialeve që ata disponojnë për Shqipërinë në atë periudhë. Siç thotë dhe zv.drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Flori Balliu, në intervistën e tij për MAPO-n, në këtë pikë më shumë interes ka pala shqiptare sesa ajo ruse.

Cili është misioni i delegacionit shqiptar të AQSHF-së në Moskë?

Vizita e delegacionit shqiptar, kryesuar nga drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti, zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit mes Arkivit Shtetëror të Filmit dhe Studios Qendrore të Filmit Dokumentar në Moskë. Ky bashkëpunim ka një vit që ka marrë udhë, falë edhe mbështetjes së ambasadës sonë në Moskë e konkretisht të ambasadorit tonë atje Sokol Gjoka. Kështu, përveç se do të zhvillohet “Java e filmit shqiptar”, ku do të shfaqim filma të ndryshëm shqiptarë, dokumentarë etj., ne do të kërkojmë në arkivat rus dhe të shohim mundësinë e shkëmbimit të një sërë materialesh arkivore që disponojmë dy arkivat: ai shqiptar për Rusinë dhe anasjelltas.

Fillimisht çfarë disponojmë ne në arkivat tanë, që mund të ketë interes për palën tjetër?

Ne kemi gjetur disa materiale të asaj kohe, që mund t’u interesojnë në Studion Qendrore të Filmit Dokumentar në Moskë. Në akrivat tanë ne kemi disa filma artistikë nga regjisorë të njohur rus. Filma të regjisorit rus Grigori Chukhrai, që u bë shumë i njohur në perëndim me filmin “Balada e Ushtarit”, prodhim i vitit 1959; filmi “Zonja me kone”, e po këtij viti, e regjisorit Josif Krefits; por gjithashtu në arkiv ndodhen dhe filma të regjisorit tjetër rus Mikhail Kalatozov, si dhe një sërë ekranizimesh të veprave të kompozitorëve dhe shkrimtarëve të njohur rus, siç është filmi “Bija e kapitenit”, prodhim i vitit 1959, i cili bazohet në romanin e fundit të shkruar nga Aleksandër Pushkin, me regji të Vladimir Kaplunovskijt, skenar të Nikolai Kovarskit. Gjithashtu, në arkiv nuk mungojnë dhe materiale kronikash nga vizitat e delegacioneve ruse në Shqipëri dhe anasjelltas. Gjithë materialet që do të shkëmbehen (kopje) mes dy vendeve do të jepen në formë elektronike DVD. Ne kemi përgatitur një listë të disa filmave.

Po Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, për çfarë konkretisht interesohet të gjejë në arkivat rus?

Dua të shpjegoj diçka në këtë pikë. Çdo delegacion rus që ka ardhur për vizitë në Shqipëri në ato vite ka qenë i shoqëruar me një staf xhirimi dhe një pjesë e kronikave që ne disponojmë për ta ata i kanë në arkivat e tyre. Në një farë mënyre, më nevojë kemi ne për arkivin e tyre, sesa anasjelltas. Gjithsesi, ne do t’u ofrojmë gjithçka që kemi. Përsa i përket interesit tonë, sigurisht që ai i përket periudhës së mes viteve 1945-1961, miqësisë sonë me rusët. Por interes të veçantë kemi sidomos edhe për çfarë mund të ketë në këta arkiva për shqiptarët që kanë studiuar në atë periudhë në Rusi. Kemi informacion se në arkivat rus janë të ruajtura punimet e diplomave të shumë studentëve shqiptarë që kanë studiuar në Moskë apo në qytete të tjera të Rusisë, të cilat u arkivuan sidomos pas prishjes së miqësisë mes Shqipërisë komuniste dhe Rusisë. Një nga qëllimet e vizitës së delegacionit tonë është dhe që të shkojmë të shohim këta arkiva dhe të përzgjedhim ato që na interesojnë më shumë dhe që kanë vlera arkivore. Interesohemi gjithashtu edhe për dokumentarët apo kronikat që mund të gjenden në këta arkiva të vizitës së Enver Hoxhës në Moskë apo dhe takimi i tij me Stalinin. Pra, siç shpjegova dhe më lart, interesi ynë është shumë i madh për këtë bashkëpunim dypalësh.

Këto materiale do blihen nga ana jonë?

Një pjesë e tyre do na falet, sipas dhe marrëveshjes së bashkëpunimit që kemi mes dy vendeve, kurse për një pjesë tjetër do të shohim mundësinë e blerjes.

Filmat shqiptarë që do të shfaqen në Moskë

8 tetor

“Shqipëria turistike”, dokumentar

“Skënderbeu”, prodhim shqiptaro-rus në gjuhën ruse

9 tetor

“Dashuri në kohë diktaturash”, Dokumentar mbi martesat shqiptaro-ruse nga Genta Popa, 2009

“Nëntori i Dytë”, Kinostudio “Shqipëria e re”, 1982

10 tetor

Dokumentar promovues

“Parullat”, nga Gjergj Xhuvani, 2001

11 tetor

“Shqipëria turistike”

“Kolonel Bunker”, nga Kujtim Çashku, 1996

12 tetor

Dokumentar promovues

“Gjeneral Gramafoni”, nga Viktor Gjika, Kinostudio “Shqipëria e re”, 1978

13 tetor

“Shqipëria turistike”

“Trishtimi i znj. Shnajder”, nga Pirro dhe Eno Milkani, 2008

14 tetor

Dokumentar promovues

“Shqiptari”, nga Johannes Naber, 2010

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›