E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i Transparencës, mënyra si mund të llogarisni pikët e marra

20/08/2010 Ankesat mund të dorëzohen online në adresën e internetit të Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit së bashku me pikët për çdo maturant ka dhënë dhe udhëzimin e Librit të Transparencës ku gjithsecili prej tyre mund të bëjë llogaritjet në rast se nuk është i bindur për vlerësimin që i është bërë. Sipas udhëzimit, ankesat mund të dorëzohen dhe online duke vizituar adresën e internetit të Ministrisë së Arsimit.

Udhëzimi i Librit të Transparencës

Libri i Transparencës është një element i rëndësishëm për transparencën e procesit të Maturës Shtetërore, për të gjithë kandidatët maturantë që dëshirojnë të studiojnë në IALP.

Edhe këtë vit, Libri i Transparencës plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të drejtë, që përshkon të gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe regjistrimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik.

Pas shpalljes në të gjitha shkollat e mesme të Republikës, të të gjithë rezultateve të provimeve të detyruara dhe të atyre me zgjedhje, në Librin e Transparencës, çdo kandidat maturant gjen të gjithë elementet përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, të provimeve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A2, për programet e studimit, që ofrojnë Universitetet Publike për vitin akademik 2010-2011.

Mbi bazën e elementeve të lartpërmendur në libër janë dhënë pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficientëve të përcaktuar nga MASH.

Libri i Transparencës do të përmbajë të dhënat e kandidatëve maturantë të çdo shkolle. Materiali për çdo shkollë do të shpërndahet në rrethin përkatës dhe do të shoqërohet edhe në formë elektronike në CD. Për çdo shkollë janë renditur vetëm maturantët e saj, të cilët kanë kaluar dy provimet e detyruara të Maturës Shtetërore dhe konkurrojnë për programet e studimit të zgjedhur prej tyre në 10 preferenca.

Nuk përfshihen në Librin e Transparencës, maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në një nga dy provimet e detyruara, pra janë vlerësuar me notën 4 (katër), si edhe ata maturantë që nuk kanë nota D1 dhe D2 kaluese të pasqyruara në bazën e të dhënave.

Secili kandidat maturant ka kutinë e tij ku në rreshtin e parë jepen: Numri rendor; numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore;

Në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 5 elementeve të Maturës Shtetërore, në bazë të të cilave llogariten pikët, pra janë arritjet që përbëjnë pjesën Meritë të kandidatit maturant, në parimin Meritë –Preferencë. Këto elemente janë dhënë me emërtesën përkatëse.

Më tej vijohet me Preferencat e kandidatit, të renditura ashtu si janë kërkuar prej tij në Formularin A2. Preferencat përmbajnë numrin e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit. Në krah jepen tre koeficientët për secilin program studimi sipas kësaj renditje:

I pari: Koeficienti i shkollës (KSH); I dyti: Koeficienti për provimin e parë me zgjedhje (KZ1);

I treti: Koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje (KZ2).

Në një listë të veçantë maturantët mund të gjejnë gjeneralitetet e tyre: Emri, Atësia, Mbiemri, Datëlindja, Profili i shkollës së mesme që kanë përfunduar dhe indeksi i profilit.

Llogaritja e pikëve të secilit prej kandidatëve bëhet në bazë të kombinimit të formulave të realizuara në një program kompjuterik për programet e studimit pa konkurs dhe për programet e studimit me konkurs. Ky kombinim formulash është shkruar për t’u zbatuar edhe në programin Excel. Në figurën e mëposhtme jepen dy raste të llogaritjes së pikëve, pa konkurs dhe me konkurs. Dallimi bëhet në kolonën O: vendoset 0 në rastin pa konkurs dhe vendoset 1 në rastin me konkurs. Duke vendosur vlerat e notave të shkallëzuara për të 5 elementet e Maturës Shtetërore, në qelizat përkatëse, sipas shpjegimeve të mësipërme, në qelizën ku është vendosur formula shfaqen pikët e llogaritura si në rastin pa konkurs, ashtu dhe në rastin me konkurs. Këtë formulë, bashkë me shpjegimet se çfarë përfaqëson secila qelizë e tabelës së mësipërme, do ta gjeni të shfaqur në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, www.mash.gov.al, në rubrikën APRIAL si dhe ne linkun Matura Shtetërore. Kështu secili mund ta marrë këtë skedar dhe të llogarisë pikët në kompjuterin e tij. Në të dhënat e maturantëve të veçantë mund të ketë preferenca bosh. Kjo do të thotë se maturanti: Nuk e ka zgjedhur atë preferencë, e ka mbushur me 000 në Formularin A2.

Në Librin e Transparencës për ata maturantë kandidatë që kanë dhënë provime me zgjedhje dhe kanë të pasqyruara të 5 elementet për llogaritjen e pikëve, për programet e studimit që janë me konkurse janë llogaritur vetëm pikët e maturës (duke marrë parasysh D1, D2, Mesatarja) dhe nuk janë marrë në konsideratë pikët e konkurseve meqenëse konkurset do zhvillohen më vonë. Për rrjedhojë ato nuk janë pikët përfundimtare për ato programe studimi sepse në fazën e shpërndarjes pikët për programet e studimit me konkurse do të llogariten siç edhe është shpjeguar më lart (me formulën për programet e studimit me konkurse). Për sa i përket atyre maturantëve kandidatë që nuk kanë të plotësuara të 5 elementët e Maturës Shtetërore në databazë (pra mungojnë provimet Z1 dhe Z2) pikët e tyre janë shënuar 0 për secilin program studimi të kërkuar. Ju rekomandojmë këtyre maturantëve të interesohen pranë shkollave të tyre dhe drejtorive arsimore dhe të bëjnë plotësimet e notave tek formulari i korrektimit të pasaktësive. Nëse në këtë kategori nxënësish përfshihen edhe ata që kanë kërkuar vetëm programe studimi me konkurse ata nuk kanë nevojë të plotësojnë notat e provimeve me zgjedhje. Pikët e tyre do të llogariten pasi të zhvillojnë konkurset përkatëse dhe pikët e konkurseve të pasqyrohen në databazë.

Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili mund të kontestojë për ndonjë pasaktësi në të dhënat që shikon, por për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga drejtoritë arsimore të rretheve.

Për programet e studimit pa konkurs, formula e llogaritjes së pikëve është: Pikë Matura =

D1 – është nota e shkallëzuar e provimit të parë të detyruar, Letërsi;

D2 – është nota e shkallëzuar e provimit të dytë të detyruar, Matematikë;

Z1 – është nota e shkallëzuar e provimit të parë me zgjedhje;

Z2 – është nota e shkallëzuar e provimit të dytë me zgjedhje;

MES – është nota mesatare e marrë nga Formulari A2;

KSH – është koeficienti i shkollës (i pari në treshen e koeficientëve)

KZ1, KZ2 – janë koeficientët e lëndëve me zgjedhje(i dyti dhe i treti në treshen e koeficientëve),

KD1 dhe KD2 – janë dy koeficientë të vendosur me Udhëzimin e Ministrit të Arsimit Nr. 12, datë 11.03.2008 për shkollat profesionale dhe social-kulturore

Për programet e studimit me konkurs, formula llogaritëse është:

Pikë Matura – janë pikët e llogaritura me formulën e mësipërme, ku Z1 dhe Z2 nuk merren parasysh për programet e studimit të Universitetit të sporteve të Tiranës, Edukim fizik dhe sporte Elbasan e Shkodër, si dhe për të gjitha programet e studimit të Akademisë së Arteve. Në këto raste Z1, Z2 ose KZ1, KZ2 plotësohen me 0 (zero). Për programet e studimit Arkitekturë (Tiranë) dhe Pedagogji e Specializuar (Vlorë) rezultatet e provimeve me zgjedhje Z1, Z2 merren në konsideratë.

Pikë Max Matura – janë pikët e llogaritura me formulën e mësipërme, por ku të tre notat D1, D2, MES, janë të barabarta me 10.

%Maturës – është përqindja që zënë pikët e Maturës në programet e studimit me konkurse.

Pikë Konkursi – janë pikët që ka fituar kandidati

Formulari që duhet të plotësoni për parregullsitë

Bashkë me Librin e Transparencës në formë elektronike, shpërndahet dhe Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, që lidhet me të dhënat personale dhe notën mesatare dhe nota e provimeve të detyruara (D1, D2) dhe atyre me zgjedhje (Z1, Z2) të çdo maturanti. Ky formular është përgatitur për të evidentuar korrigjimet e pasaktësive që duhen bërë për një maturant.

Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës.

Si duhet të plotësohet Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive.

Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për Rrethin, Bashkinë/Komunën, Shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numri me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash.

Në pjesën e dytë, në seksionin Si ishte, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: Emri, Atësia, Mbiemri, Datëlindja, Nota Mesatare (me shifra dhe me shkrim si në Formularin A2). Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës.

Në seksionin Si bëhet, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi: P.sh. nëse kërkohet ndryshim tek emri, tek rreshti Emri shkruhet si duhet emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: p.sh. edhe datëlindja edhe Nota Mesatare.

Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan Emrin, Mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës.

Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, Drejtori i Shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga Drejtori i DAR/ZA që gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular

Vëmë në dukje se të dhënat që kanë lidhje me notat D1, D2, Z1, Z2 konsultohen nga ana e specialistëve të APRIAL-it dhe AVA-s me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga drejtori i APRIAL-it.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›