E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet në pritë në derën e banesës 22-vjeçari

20/08/2010 Ngjarja në mesditë, pista kryesore ajo e vrasjes për hakmarrje. Viktima i dënuar për plagosje

SHKODER- Një i ri është vrarë me armë zjarri në një pritë para banesës së tij në qytetin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:45 në lagjen “Daniel Matlija”, kur shtetasi 22- vjeçar Elson Vukatana është qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë nga një person që është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Vrasja

Banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja, të tronditur nga të shtënat kanë dalë më pas jashtë për të parë se ç’kishte ngjarë dhe kanë gjetur të përgjakur para pallatit fqinjin e tyre, të riun Vukatana. Ndërkohë familjarët e lajmëruar nga fqinjët kanë konstatuar se ai ende po merrte frymë ndaj e kanë dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës. Pavarësisht ndihmës së shpejtë që iu dha në urgjencën e spitalit, shtetasi Vukatana humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë në trup nga disa plumba pistolete. Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dhe forcat e Policisë së Rendit, të cilat nuk kanë mundur të kapin autorin e larguar menjëherë pas krimit të kryer. Burimet policore shprehen se nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se shtetasi Vukatana është qëlluar nga afër. Në vendngjarje u gjetën 8 gëzhoja pistolete. Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona për t’i pyetur rreth ngjarjes dhe për të ndihmuar në identifikimin e autorit të krimit. Deri tani nuk është arritur asnjë rezultat konkret, përveç faktit se shtetasi Vukatana ishte duke u kthyer në banesën e tij kur është qëlluar me armë zjarri. Mendohet se vrasësi kishte qenë duke e pritur shtetasin Vukatana derisa të kthehej në shtëpi. Ndërkohë të njëjtat burime sqarojnë se po hetohet në dy pista kryesore. Pista e parë është vrasje për hakmarrje,e lidhur me një ngjarje të ndodhur në mars të vitit 2009, ku viktima Vukatana u akuzua për plagosje me thikë të një shtetasi, pas një grindjeje të çastit. Për këtë ngjarje, viktima e djeshme Elson Vukatana ka qenë i liruar me kusht nga gjykata a rrethit Shkodër, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje. Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me mundësinë e ndonjë grindje të viktimës me ndonjë shtetas tjetër që ka përfunduar me vrasje me armë zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›