E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i ditës: Kazinoja e Djallit

Libri: Kazinoja e Djallit

Autori: Vicky Ward

Përktheu: Erinda Malaj dhe Odeta Muharremaj

Shtëpia Botuese: Helga’s Secrets

Fillimi i krizës së fundit ekonomike botërore

Nga Alfred Cako

Prapaskenat dhe rënia e bankës “Lehman Brothers”, që shënuan dhe fillimin e krizës së fundit ekonomike botërore.

Pas shembjes së tregjeve financiare në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, si prelud i së ashtuquajturës “Depresioni i Madh”- ngjarje të cilat sollën në pushtet F. D. Roosvelt-in në SHBA dhe Hitlerin në Gjermani dhe shënuan fillimin e Luftës së Dytë Botërore - ngjarja më e hidhur në fushën e tregjeve dhe shërbimeve financiare në botë, do të shënohej me falimentimin e kompanisë “Lehman Brothers” dhe me krizën ekonomike botërore të vitit 2008-të. E themeluar së pari në Alabama, më 1850 nga tre vëllezërit Lehman, tre jahudinj të ardhur nga Bavaria, përkatësisht Henry, Emanuel dhe Mayer, me aktivitet fillestar në fushën e tregtisë së pambukut dhe produkteve të tij si dhe hekurudhave, kjo firmë do të ishte nga pionieret që do të kuotohej dhe do të luante në tregjet e letrave me vlerë, sidomos në “Wall Street” si dhe do të ishte sipërmarrësja e parë në tregun e të sigurtave të thesarit të SHBA-ve. Kjo firmë do të ishte nën kontrollin e kësaj familjeje deri në vitin 1969, vit kur patriarku i saj Robert nuk la trashëgimtarë. Rënia e kësaj kompanie nga brenda më 15 shtator 2008 shënoi fillimin e krizës së madhe të gjithanshme botërore ekonomiko-financiare, pasojat e së cilës nuk kanë reshtur ende së ndikuari negativisht në ekonominë botërore. Kjo firmë shërbimi financiar bankar dhe menaxhimi investimesh, së fundmi ishte një shumëkombëshe me qendër në Nju-Jork dhe degët e saj kryesore ishin në Londër dhe Tokio; në këtë moment ajo numëronte rreth 26200 punonjës. Falimentimi i “Lehman” do të shpallej zyrtarisht më 22 shtator nga një gjyqtar i Nju-Jorkut. Në lojë për të rikuperuar dhe për të blerë asetet e ngelura të “Lehman Brithers”, hynë dy gjigantë si “Barclay”- në zonën e Amerikës së Veriut, dhe kompania tjetër gjigante japoneze “Nomura Holding”, e cila bleu me franchise asetet e “Lehman”, të ndodhura në zonën e Azisë dhe Paqësorit. Bizneset e tjera të menaxhimit të investimit, përfshirë “Neuberger Berman”, u shitën në fillim të dhjetorit 2008, te kreditoret e “Lehman”, kurse 49% e aksioneve të zakonshme mbeti në firmë. Nga një raport i gjykatës, në mars të 2010, doli se raportet financiare katërmujore të “Lehman Brothers” kishin qenë të trukuar me mashtrim. Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë pas kuintave? Këto hollësi na i shpjegon ky libër i mrekullueshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›