Gratë e Biblës, mëkataret dhe engjëlloret
Eva e flakur prej Edeni-it Biblik. Me të ashtuquajturin Mëkat Origjinal merr fill një lëngatë e gjatë, që kalon nëpër librat e shenjtë dhe hyn e del duke u ulur shpesh këmbëkryq në realitetin tonë të përditshëm. Për shekuj me radhë “Bijat e Evës” kanë frymëzuar, ndriçuar dhe fuqizuar njerëzimin. Me besimin e tyre të pazbukuruar, gratë e Biblës vazhdojnë t’i mësojnë qytetërimit tonë si të jetojë një jetë të vërtetë dhe plot besim. Nuk ka rëndësi se cilës tradite fetare i përkasim, shumë gra moderne mund të gjejnë vetveten në historitë e tyre. Për herë të parë në historinë e artit pamor shqiptar, piktori Jorgaq Gogu çel ekspozitën me një cikël pikturash në vaj, ku prezanton për publikun këto gra, si modele dhe pika referimi, pasi jetët e tyre janë po aq kuptimplota sot sa edhe në kohën kur u shkruan. Në mënyrë të pashmangshme autori pasqyron edhe tiparet që zotëron shoqëria e asaj kohe ndaj grave dhe rolit të tyre.
Në këtë galeri personazhesh biblike nuk gjen stereotipe. Takohesh me nëna dhe bija, bashkëshorte dhe vejusha, mbretëresha, matriarkë, të varfra dhe të braktisura. Gra biblike trime dhe plot kurajë detyrohen të garojnë me zonja të paskrupullta. Disa janë timide; disa të drejtpërdrejta. Disa janë të famshme për bukurinë, urtësinë dhe hirin e tyre; të tjera për besimin, besnikërinë dhe guximin. Gratë biblike nuk janë personazhe plastike – në mes të turmës që nuk përfaqësojnë asgjë.
Megjithëse disa personazhe biblike femërore kanë qenë një subjekt i përsëritur në historinë e artit dhe figurat e tjera shfaqen me ndërprerje, të gjitha imazhet që na paraqet Gogu variojnë vazhdimisht jo vetëm sipas kuptimit të tij biblik, por shpalosin edhe perceptimin e tij historik dhe shoqëror. Tablotë e Evës na kujtojnë se gratë mund të jenë krijuese dhe shkatërruese. Historia e kësaj gruaje na më¬son t’i peshojmë me kujdes zgjedhjet tona, duke i kalitur dëshirat tona me urtësi.
Gra ndjellëse, dinake, por edhe të virtytshme e besnike
Kështu, nëpërmjet kategorisë së personazheve, si p.sh. Dalila, gruaja e Potifarit apo Salomeja, autori na risjell me ngjyra të forta temën e dominimit të gruas dhe nënshtrimit të burrit përmes veprimeve të tyre ndjellëse dhe dinake. Ndërsa Esteri në tablonë e Gogut na shfaqet si një grua plot imagjinatë dhe kurajoze, duke përcaktuar fatin e historisë së popullit të vet përmes veprimeve të saj të zgjuara dhe të guximshme. Me tablotë e vajzave të Lotit, Tamarës dhe Bathshebës, të vendosura në një brendi seksuale, piktori na kujton edhe njëherë fuqinë femërore për të tërhequr jo vetëm epshin e burrave të thjeshtë, por për të robëruar edhe mbretër të fuqishëm. Ndërkohë që modelin e femrës së virtytshme, të bindur dhe besnike, Gogu e ka paraqitur në veprën e Rebekës, Naomit, Ruthit dhe Miriamit. Kurse Sarah dhe Hagari përçojnë jo vetëm rivalitetin femëror, por edhe fillimet e një konflikti që vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndërmjet hebrejve dhe arabëve.
Veprimet apo mosveprimet, fjalët apo heshtja e këtyre grave janë për autorin edhe thelbi i suksesit të tyre, edhe pse disa syresh kanë mbetur anonime, ku edhe në tablotë e Gogut mund t’i gjesh vetëm me tituj, si p.sh. bijat e Lotit apo bashkëshortja e Potifarit. Besnikëria ndaj Krijuesit, përmbushja e drejtësisë dhe guximi në mes të vështirësive janë ato vepra që i bëjnë gratë e Biblës, pa emra dhe me emra, me të vërtetë të shquara dhe të denja për vëmendje deri në ditët tona. Heroinat biblike janë më të ndërlikuara, të fshehta, të papërsosura dhe të paparashikueshme, gjë që në fund të fundit i bën ato të jenë shumë më të vërteta. Gratë e Biblës nuk janë shenjtëruar apo sharë pa të drejtë. Ato, gjithashtu, u përleshën me të mirën dhe të keqen, vesin dhe virtytin, mëkatin dhe mëshirën. Gratë e portretizuara në tablotë e Gogut, pavarësisht imagjinatës që ka përdorur autori, janë personazhe të vërtetë, të cilave iu desh të ngadhënjenin mbi dobësi dhe të meta. Ato që ngul¬muan dhe nuk u dorëzuan kurrë, nderohen si shenjtore, ndërsa ato që kapitulluan në betejën për t’u përmirësuar – apo përfundimisht iu dorëzuan ligësisë – kujtohen si të padenja. Megjithëse historia laike mund të mos i njohë shumë nga këto gra, për autorin prania e tyre në Bibël është një shenjë se ato patën një kontribut në historinë hyjnore të shpëtimit –për mirë apo për keq. Femra është e tillë edhe pa qenë etnikisht shqiptare. Në shumicën e rasteve historitë e tyre tregojnë qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e grave. Dhe për shkak se ato janë njerëzore, guximi i tyre, sakrificat, përkushtimi, urtësia, besnikëria dhe besimi janë karakteristika që mund t’i aspirojë kushdo. Ekspozita ‘Bijat e Evës’ do të çelet më 9 mars në Muzeun Historik Kombëtar.