Libri më i fundit që kam lexuar
Si u bëra i padukshëm" i Konstantin Lekës, një model ku mjeshtëria e shkrimtarit është martuar me kulturën dhe kredencialet shkencore. Pastaj dhe një roman me aromë të lehtë e e të përmbajtur shqiptarizmi
Është një roman rreth 250 faqe, i karakterit fantastiko-shkencor. Unë nuk lexoj shumë letërsi të tillë. Edhe këtë libër me titull sado ngacmues, "Si u bëra i padukshëm", do ta kisha kapërcyer po të mos më tërhiqte emri i autorit: Konstantin M. Leka.
Autori është një personalitet i rëndësishëm, një lektor i shquar i arritjeve shkencore, pedagog në Universitetin e Tiranës, një bashkëpunëtor i njohur i programeve të televizionit shqiptar.
Njohjet e mia me autorin datojnë që nga vitet 50, kohë kur unë dhe ai, unë nxënës dhe ai pedagog, u gjendëm pranë e pranë në sallat e klasat mësimore të Politeknikumit, që sot mban emrin e Harry Fultzit. Zoti Leka për mua është një nga ata pak pedagogë që zakonisht nxënësit i ruajnë përjetë në këndin më të dashur të kujtesës së tyre.
E bëra këtë hyrje informative për të shkallëzuar më mirë, kënaqësitë që më dha libri: së pari përshkënditja e një njohje të vjetër, së dyti siguria e plotë se autoriteti shkencor në këtë libër do të ishte i palëkundur dhe së fundi befasia goditëse që mjeshtëria letrare e mësuesit tim të vjetër ishte sinqerisht e një niveli të papritur: kompozicioni i romanit i përsosur, karakteret të freskët e mjaft të skalitur, përshkrime të një bukurie të rrallë, gjuha e begatë dhe e kujdesshme që terminologjia shkencore të ishte e kapshme dhe rrëfimi aventuroz plot ritëm dhe nerv.
Autori jeton prej vitesh në vendlindjen e tij, në Trieste të Italisë dhe ashtu si dikur, në të ri të tij, endet akoma nëpër kërkimet e tij të dashura që e kanë rrëmbyer një jetë të tërë. Dhe kjo vepër është pjellë e kërkimeve të tij të parreshtura.
Pasioni i tij i pafashitur ka bërë që zoti Leka, në një moshë tashmë jo të re, të nxjerë nga duart një libër tepër rinor.
Subjekti i romanit është endur thjesht dhe bukur: një shkencëtar i ri që studjon vetitë e kristaleve, befas, vë re se kërkimet e tij kanë zgjuar interes te shkencëtarët tej kufijve të atdheut të tij të mbyllur. Së pari janë rusët që në nisje e ndihmojnë dhe pastaj befas e venë nën gjurmim.
Pastaj monitorët e sofistikuar perëndimorë, që gjurmojnë vetw rusët, arrijnë të shohin me vëmendje zbulimet e shkencëtarit nga ky vend i vogël, ku një detaj banal në lidhjet e rrjetit elektrik i ka dhënë dorë t'u afrohet ca zbulimeve joshëse për arritjen e padukshmërisë.
Shkencëtari i ri zbulon se po e ndjekin në mënyrë të shumfishtë: së pari Sigurimi i vëndit të tij të vogël me kufinj hermetikë, së dyti rusët e pastaj francezët dhe amerikanët.
Për një kohë të gjatë ai nuk e shpjegon dot këtë interes ndërkombëtar, pastaj kur e zbulon nyjen, i del zot kërkimeve dhe i përvishet pasionalisht konfliktit duke përdorur dhe armën e tij të re: aftësinë për t'u bërë i padukshëm.
Autori e shpie personazhin e tij në tërë kryeqendrat e botës: Moskë, Nju Jork, Paris, Romë. Detyrat e vështira që i jep personazhit të tij për zgjidhje janë nga më të bukurat dhe zgjidhjet janë nga më të suksesshmet.
Ushtrimet për zgjidhjen e situatave, arsyetimet e mënçura, rrjedha hetimore e bëjnë këtë libër një model të aksionit. Problemet e shumta që autori vë si barriera në rrugën e shkencëtarit të ri, e pasurojnë rrëfimin me ankth e monologje të brëndshme bindëse.
Njohja e imtë sado me vizitat e fantazisë së tij në metropolet e mëdha të rruzullit i ka dhënë dorë shkrimtarit të realizojë përshkrime të mahnitshme.
Përshkrimi i Moskës nga qielli, për shëmbull, është i një bukurie të rrallë. I tillë është dhe ndarja e rrotave të aeroplanit nga pista. Vetëm një njeri që ka përkëdhelur për 40 vjet ëndrrën e daljes jashtë shtetit mund të përshkruajë me ndjesi të tillë çastet e ngritjes së avionit nga aeroporti i atdheut të vet në udhëtimin e parë.
Ende pa mbyllur kapitullin e përshkrimeve, më duhet të them me kënaqësi të veçantë, se unë në leximet e mia kurrë nuk kam hasur më parë një përshkrim të gjallë e të ndezur, - ndërkohë elegant dhe të fismë - të një seance seksuale të heroit të romanit me gruan e re të shkencëtarit rus.
Dhe flasim gjithmonë për një libër me lëndë shkencore...
Shpesh librat e këtij lloji janë shkencërisht të përsosur, por të varfër nga cilësitë letrare, ose janë të bukur letrarisht por naive, të pasaktë e kryeunjur ndaj kërkesave shkencore.
"Si u bëra i padukshëm" është një model nga më të qëlluarit ku mjeshtëria e shkrimtarit është martuar me kulturën dhe kredencialet shkencore, për të gjeneruar këtë libër që me siguri do të bëjë rrugë të gjatë e do të meritojë një vend të nderuar në bibliotekat e lexuesve të etur e sidomos të të rinjve, në kokat e të cilëve zakonisht ëndrrat preferojnë të ngrenë foletë.
Pastaj romani ka dhe një tis të lehtë patriotizmi. Jo aq deklarativ dhe të afishuar, sa është bërë zakon ndër poemat e mëdha, por thjesht një aromë e lehtë e e përmbajtur shqiptarizmi.
Por ndërkohë izolimi dhe diktatura në vendin e tij i ka shërbyer autorit në forcimin e karatit të aventurës!
Duke i mbyllur këto shënime unë jam i ndërgjegjshëm se paraqita një libër që mendoj se do të pëlqehet mjaft.
Kjo siguri më vjen pa dyshim nga entuziazmi, mbase dhe nga kultura ime aproksimative shkencore. Në analizën fundore të romanit të bien në sy edhe elementë të papërsosmërisë, por unë jam personi më pa vend për t'i vënë këto në dukje.
Le të bëhet edhe ky pohim një element propagandimi për librin e mësuesit tim të dashur të shkollës së mesme, Konstandin Lekës.
Por propagandimi bazë është nënvizimi im se kjo vepër ka brenda saj katër elementë në shkallë sipërore: vlerën narrative, tharmin aventuror, vërtetësinë shkencore dhe të fundit, por jo më të paktën: këtu zbulimi shkencor është endur jo dokudo, por mbi një nga fushat më fantastike, më të ëndërruarat, më të dëshiruarat nga njerëzimi që në vitet e para të shfaqjes së tij mbi tokë, nevojën magjepsëse për t'u bërë i padukshëm.