E Shtunë, 31 Tetor 2026

Glover: Pajisja me karta, përgjegjësi e qeverisë

Shefja e Misionit të ODIHR-it për zgjedhjet, pranon publikisht se për emërimin e saj janë shprehur shqetësime nga ana e qeverisë


TIRANË- Shefja e Misionit të ODIHR-it në Tiranë, ambasadorja, Audrey Glover, ka deklaruar dje se është përgjegjësi e qeverisë pajisja e qytetarëve me karta identiteti.


"E kuptojmë që çështja e kartave të identitetit është një çështje shumë e debatueshme mes partive.


Është shumë e rëndësishme që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që qytetarët me të drejtën e votës dhe pa dokumente të tjera të posaçme, të pajisen me karta identiteti para 28 qershorit. Kjo ka rëndësi të padiskutueshme.


Është përgjegjësi e qeverisë, po si me të gjitha politikat, aplikimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve dhe gjithë partive politike. Vëzhguesit tanë afatgjatë po e ndjekin me vëmendje në terren këtë proces dhe në ekipin qendror kemi një ekspert që po merret posaçërisht me çështjen e listave të votimit dhe kartave të identitetit",- tha dje Glover, në një intervistë për "News 24".


Ambasadorja ka theksuar se është ende herët që të bëhet një vlerësim i të gjithë procesit, duke kujtuar se ky vlerësim do të jepet në raportet e ndërmjetme dhe në deklaratën e ODIHR-it mbi konstatimet paraprake, ditën pas zgjedhjeve.


Shefja e Misionit të ODIHR-it për zgjedhjet nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejte teksa u pyet nëse janë në rrezik zgjedhjet, për shkak të mospajisjes së qytetarëve me karta e, për pasojë, shtyrjen e zgjedhjeve.


Ajo theksoi se nuk ka përfunduar ende koha, por citoi të domosdoshëm faktin që, çdo qytetar me të drejtën e votës, duhet të ketë mundësinë të votojë. "Nuk besoj se ka përfunduar koha për pajisjen e qytetarëve me karta.


Ka ende kohë që qytetarët me të drejtë vote të marrin kartat, për të cilat kanë bërë aplikimin ose të aplikojnë. Por dua të theksoj edhe njëherë se është shume e rëndësishme që çdo qytetar me të drejtën e votës të ketë mundësinë të votojë",- tha ajo.


Raporti i vitit 1996


Ambasadorja Glover ka folur edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 1996. Madje, Glover ka pranuar publikisht se për emërimin e saj ka pasur shqetësime nga ana e qeverisë, edhe pse një fakt i tillë nuk u përfshi në raportin e ndërmjetëm të publikuar pak kohë më parë nga ODIHR-i. "Është e vërtetë që janë shprehur shqetësime për emërimin tim, për shkak të raportit të ODIHR-it që u bë publik kur unë isha në krye të ODIHR-it në Varshavë.


E kuptoj që jo të gjithëve u pëlqyen konkluzionet e paraqitura në atë raport, të cilat shprehnin konstatimet e atyre që ishin këtu në atë periudhë. Po 56 shtetet e OSBE-së i kanë dhënë ODIHR-it një mandat, që përfshin edhe nxjerrjen në pah të çështjeve të vështira dhe nganjëherë të sikletshme. Sidoqoftë, ai raport, që bën fjalë për 13 vjet më parë, nuk do të na ndikojë në asnjë lloj mënyre në vëzhgimin e zgjedhjeve të kësaj radhe.

Siç e kam thënë edhe më parë, jam këtu pa paragjykime dhe jam plotësisht e vendosur për t'i vëzhguar këto zgjedhje në mënyrë të paanshme dhe objektive, siç i vëzhgojmë të gjitha zgjedhjet. Veç kësaj, në këto 13 vjet, Shqipëria ka pasur zhvillime pozitive, që ne shpresojmë se do të konsolidohen në këto zgjedhje", -tha ajo.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›