Libri që shqetësoi Evropën

Natyrisht, nuk është plotësisht e vërtet thënia se kjo broshurë ngrehu në këmbë aq shumë njerëz, megjithëse nga ajo rrezaton njëlloj shprese e autorit se kjo gjë do të duhej të ndodhte, pa dyshim. Titulli origjinal i veprës është “Indignez Vous!” (Rebelohuni!), që gjithsesi aludon në hidhërim, inat dhe rebelim.
Stéphane Hessel këtë bestseller e shkroi në vitin e 93’të të jetës së tij, e cila mund të thuhet se ishte tejet interesante. Hessel u lind në vitin 1917, në Berlin, ndërsa më 1924 familja e tij u shpërngul në Paris. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore iku në Londër, dhe iu bashkua organizatës Franca e Lirë. U përfshi në Lëvizjen e Rezistencës, e pastaj me mision special u kthye në Francë, depërtoi deri në Paris, dhe atje ra në duar të Gestapo’s.
Si çifut që ishte, u dërgua në kampin Buchenwald dhe vetëm çuditërisht shpëtoi nga varja. Pas luftës shërbeu në diplomaci, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në New York, dhe merr pjesë në përpilimin e Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut.
Kur e boton vepër e tij jetësore, në aq pak fjalë, tashmë ishte 93-vjeçar, por kishte përplot ide gjeniale.
Hessel thotë për veten se ndodhet në etapën e fundit të rrugës. Fundin nuk e ka larg, por nuk dorëzohet, e konsideron fat mundësinë e përkujtimit të asaj që i shërbeu si bazë për e angazhimeve politike, e që ishte viti i parë i pasluftës në Lëvizjen e Rezistencës dhe programi që Këshilli Nacional i Rezistencës ia propozoi Francës së çliruar – një grumbull ky parimesh dhe vlerash mbi të cilat do të mbështetej demokracia moderne.
Këto parime dhe vlera, shkruan ai, sot janë më të nevojshme se kurrë më parë. “Detyrë e të gjithëve është që të jemi syçelë ndaj shoqërisë, ashtu që ajo të bëhet shoqëri me të cilën do të krenohemi: duhet thënë jo kësaj shoqërie të njerëzve pa letra (mendon në nënshtetësi), shoqërie të përndjekjes, të etiketimit të imigrantëve, dhe jo shoqërisë ku po e vejmë në pikëpyetje të drejtën për pension dhe rrjedhat e sigurimit social (sipas vlerësimeve sindikale, pensionet në Francë janë sa 75-80 përqind e të ardhurave), jo kësaj shoqërie ku më me rëndësi janë mediat në duar të pasanikëve, gjegjësisht, të reklamuesve të caktuar konkret”, thekson Hessel, mes tjerash.
Hessel përkujton edhe atë se motivi kryesor i Lëvizjes së Rezistencës ishte zemërimi. Prandaj, ai sot i porosit të gjithë që të gjejnë motivin personal për rebelim, për bashkëngjitje rrymës historike, siç e quan ai nevojën e përgjithshme për rebelim. Kjo rrymë rrjedhë kah drejtësia dhe liria më e madhe, por jo nga ajo e pakontrolluar - nga liria e dhelprës në kotec. “Të drejtat”, thekson ai, “që i parashikoi Deklaratat e Përgjithshme e vitit 1948, janë gjithëpërfshirëse. I dedikohen pa kushte secilës qenie njerëzore”. Prandaj edhe nuk habit që Stéphane Hessel gjithnjë shprehte pavarësinë e tij.
Në luftën e Gazës, edhe pse çifut, mbajti anën e palestinezëve që e pësuan nga forcat e fuqishme izraelite. Ndërsa, në kohën e çështjes së Algjerisë, edhe pse nënshtetas luajal francez, ishte në anën kundër kolonializmit. Gjithnjë në anën e të dobëtëve, gjithnjë për drejtësi, ndonjëherë të rinjve Hessel madje mund t’iu dukej edhe nga pak anarkik - atyre që kërkonin punë derisa në moshë të mesme, sepse e drejta e punës nuk është një çështje majtiste.
“Jeta im e gjatë më dha shumë arsye që të rebelohem”, thotë Hessel. Falë hegelizmit të tij, ai historinë e gjatë të njerëzimit e përshkruan si të kuptueshme. “Historia e shoqërisë përparon, dhe në fund e kemi shtetin demokratik, në formën ideale të tij”.
Por, ekziston edhe një pikëpamje tjetër.
Sa i përket angazhimit të Hessel në Gaza në anën e palestinezëve, ai nënvizon se nuk është për dhunën e Hamasit, me të cilën kjo organizatë përgjigjet ndaj sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, por kjo gjë mund të shpjegohet me dëshpërimin që mbretëron në Gazë.
“Pra, mund të thuhet edhe ajo se secila formë e terrorizmit paraqet një formë të dëshpërimit dhe të pashpresës, por edhe se ai është një term negativ. Kjo, sepse pashpresa paraqet mohimin e shpresës.
Dhuna, në fakt, ia kthen shpinën shpresës, andaj asaj duhet kundërvënë me shpresë, me shpresën në jodhunë. Për të ndodhur kjo, gjithçka duhet të bazohet në të drejtat e njeriut, shkelja e të cilave – pavarësisht nga ajo se kush është shkelësi – duhet të shkaktojë zemërimin e të gjithë drejtësi-dashësve, sepse rreth atyre të drejtave nuk ka negociim. Ky rebelim gjithsesi duhet të jetë paqësor. Duhet rebeluar edhe kundër të gjitha mjeteve të komunikimit masiv, të cilat rinisë moderne i propozojnë vetëm konsumimin masiv, urrejtjen ndaj të dobëtëve dhe ndaj kulturës përgjithësisht, amnezinë e përgjithshme dhe garën e tepruar kundër të gjithëve|, thekson Hessel në librin e tij, të cilin e përfundon me fjalinë: “Të krijosh do të thotë të rezistosh. Të rezistosh do të thotë të krijosh”.
Shumë nga parimet e libërthit të Hessel mund të tingëllojnë paska naive dhe tepër idealiste, por duhet pasur parasysh se autori erdhi në ato përfundime pikërisht në dekadën e tij të dhjetët jetës, dhe se e ndjeu për obligim që - me mendje të kthjellët – t’i bartë ato tutje.
Pra, që shpresën e tij t’ua bartë si ide udhëheqëse ndërtuesve të shekullit 21. Mbase ka diçka bindëse në këtë kondensim shpresash të këtij plaku, kur thirrja e tij “Rebelohuni!” arriti të shitet në miliona kopje.
(me shkurtime nga Tportal.hr)