Licencim, akreditim, rankim dhe spekulim
Është një realitet i pakundërshtueshëm tashmë, që aktualisht arsimi i lartë në vendin tonë përbëhet nga arsimi publik dhe ai privat, të cilët operojnë të pranuar nga shoqëria në tërësinë e saj dhe të ligjëruar nga strukturat shtetërore kompetente. Në websit-in e Ministrisë së Arsimit dhe të Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, figurojnë të licencuar deri më sot, 13 universitete publike dhe 38 universitete private. Bazuar në nenin 41 të Ligjit të arsimit në fuqi, licencimi i universiteteve kryhet me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të Ministrisë së Arsimit, e cila ka marrë paraprakisht mendimin e Këshillit të Akreditimit. Ky mekanizëm kontrolli është i vlefshëm edhe për universitetet private. Çdo institucion i arsimit të lartë, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë, i cili i jep të drejtën të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë. Pra, akreditimi është një proces që analizon cilësinë e një institucioni pas licencimit të tij. Së fundi, Ministria do të bëjë të mundur radhitjen e universiteteve sipas programeve të studimit, gjë që përbën një përpjekje serioze të këtij institucioni për diferencimin e programeve sipas kriterit të cilësisë.
Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se, prej vitesh tashmë qeveria shqiptare e ka konsideruar arsimin e lartë si prioritet strategjik dhe ka prezantuar disa reforma rrënjësore, si implementimi i Sistemit të Bolonjës, sistemin i Maturës Shtetërore, rritje e buxhetit për kërkimin shkencor, radhitjen e sipërpërmendur etj. Sigurisht, mbetet ende shumë të bërë, duke pasur parasysh kushtet ekonomike dhe politike në të cilat ndodhet vendi ynë, dinamizmin që duhet të kenë universitetet si institucione të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe kontributit për shoqërinë, si dhe parametrat e vendosura nga standardet ndërkombëtare në këtë fushë.
Por, cili është kontributi i vërtetë i arsimit privat në këtë reformë?
Mbi këtë çështje qarkullojnë komente dhe opinione të ndryshme. Dikush e cilëson ligjërimin e kaq shumë universiteteve private si një hap të dështuar, dikush tjetër e vlerëson si rruga e vetme e shpëtimit nga arsimi publik dhe favorizon parimin e konkurrencës; komentatorë të tjerë e krahasojnë me hapjen e supermarketeve në çdo cep (pa dashur të ofendoj pronarët e tyre me këtë citim), e dikush me foletë e dijes nga ku Shqipëria do të nxjerrë intelektualët që do të sfidojnë tregun ndërkombëtar.
Një gjë është e sigurt: kontributi i vërtetë i arsimit privat do të mund të shihet vetëm në një plan afatgjatë, vetëm kur të diplomuarit e sotëm të dalin në tregun e punës dhe të konkurrojnë mbi parimin e meritokracisë. Sigurisht, nuk mund t’ia lejoj vetes të humbas besimin se ajo ditë, ndonëse duket larg, do të vijë.
Për këtë arsye, do të doja të këshilloja kolegët e mi analistë, gazetarë, akademikë, intelektualë etj., që përpara se të përgjithësojnë në komentet dhe analizat e tyre “të gjitha” universitetet private, të kenë parasysh disa gjëra:
Në radhë të parë, të shkojnë të informohen në Ministrinë Arsimit dhe Agjencinë e Akreditimit mbi gjendjen juridike dhe faktike të secilit universitet objekt komenti, dhe nëse nuk janë të bindur për vërtetësinë e informacionit, të vizitojnë dhe të informohen rreth universiteteve pranë organeve drejtuese të tyre, dhe pse jo, studentëve.
Në radhë të dytë, të studiojnë tregun dhe kushtet në të cilat operojnë universitetet private, të cilat, që në hapjen e tyre kanë qenë shpeshherë objekt i skepticizmit dhe i mosbesimit nga ana e publikut të gjerë dhe mediave, duke arritur madje, deri në një lloj diskriminimi ndaj universiteteve publike.
Në të njëjtën kohë, dëshiroj të kujtoj kolegët të kujdesen për konfliktin e tyre të interesave gjatë kohës që mbrojnë ose denigrojnë një universitet.
Përgjithësimi i cilësisë së universiteteve dhe dyshimi që hedhin mbi vlefshmërinë e diplomave të tyre nuk dëmton vetëm imazhin e një institucioni dhe të njerëzve që punojnë dhe studiojnë atje, por dezinformon publikun e gjerë, të cilët marrin vendimin e gabuar për shkak të spekulimeve të këtyre të fundit, ul prestigjin dhe besimin ndaj organeve kompetente shtetërore të cilët “lejojnë” vazhdimin e veprimtarisë së këtyre universiteteve si dhe dëmton përpjekjet e përditshme të palodhura të institucioneve të caktuara të arsimit të privat për të tejkaluar paragjykimin dhe arritur standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pra, i sugjeroj kolegëve të mi, të jenë më konkret në opinionet, analizat dhe kritikat e tyre, t’i bazojnë ato në fakte dhe jo në thashetheme si dhe të kanalizojnë përpjekjet e tyre në kritika konstruktive dhe jo destruktive.