Nis sot konferenca mbi standardin
Ndërkohë që konferenca shkencore: “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike çel punimet sot në Durrës, 40 gjuhëtarë dhe shkrimtarë të njohur kanë nënshkruar një letër drejtuar opinionit publik kundër kësaj konference. Duke e quajtur një konferencë me prapavijë politike, ku diskutimet gjuhësore rrahin të përligjin motivet jashtëgjuhësore për rishikimin e gjuhës standarde shqipe, nënshkruesit kanë renditur shtatë arsye përmes të cilave synojnë të tregojnë të vërtetat që pretendojnë ndaj kësaj konference dhe ndaj debatit për standardin e gjuhës shqipe. Prof. dr. Shaban Demiraj, prof. dr. Kristo Frashëri, Dritëro Agolli, prof. dr. Ali Dhrimo, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Remzi Përnaska, prof. dr. Jorgo Bulo, Teodor Laço, prof. dr. Nasho Jorgaqi, prof. dr. Eshref Ymeri, prof. dr. Ali Xhiku, prof. dr. Luan Omari, prof. dr. Arben Puto, prof. dr. Eduard Sulstarova, prof. dr. Muzafer Korkuti, Pëllumb Xhufi etj, janë disa nga nënshkruesit e kësaj letre që i drejtohet opinionit publik. “Në këtë tubim, që mbahet në një hotel turistik në Durrës, marrin pjesë vetëm ata që janë përzgjedhur nga një komision i posaçëm i kësaj Qendre. Kështu, për herë të parë, mbahet një konferencë e mbyllur për specialistët e interesuar. Në një varg shkrimesh e bisedash në televizion, që i kanë paraprirë kësaj konference, po përhapen një numër të pavërtetash rreth gjuhës standarde shqipe. Duke ia skuqur kësaj biografinë, si një mbeturinë e fundit e regjimit komunist, persona dhe rrethe të caktuara, të paçliruar nga mendësitë e vjetra, synojnë të sheshojnë politikisht dhe ideologjikisht rrugën për të ndërmarrë politikat e tyre ‘të guximshme’ për përmirësimin e standardit, në të vërtetë për t’i ndërruar shkallë-shkallë bazën e sotme dialektore, për të krijuar një të ashtuquajtur neostandard. Diskutimet thjesht gjuhësore të zhvilluara në këtë frymë rrahin të përligjin motivet jashtëgjuhësore për rishikimin e gjuhës standarde shqipe”, - thuhet që në fillim të kësaj letre. Ndërkohë, konferenca e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike do të nisë sot që në orën 9.00 të mëngjesit, sipas një programi të përcaktuar. Pas përshëndetjes së drejtorit të QSA-së, Ardian Marashi, i cili do të flasë për shqipen në etapën e sotme: sfidat e gjuhës dhe të gjuhëtarëve, seanca e parë do të nisë me një historik të formimit të standardit. Seanca e dytë do t’i kushtohet problemeve gramatikore ku gjuhëtarët trajtojnë disa nëntema, do të diskutohet mbi problemet e drejtshkrimit dhe pasurimit të standardit, marrëdhëniet e standardit me dialektet dhe normën leksikore, standardi dhe norma letrare në shkollë, letërsi dhe media etj. Mesditën e së premtes do të mbahet një takim përmbyllës, ku do të nxirren edhe përfundimet e konferencës. Ndërkohë, të tjerë gjuhëtarë që nuk janë të pranishëm në këtë konferencë nuk e shohin atë të rëndësishme për zhvillimet e gjuhës. “Kundërshtimet dhe kontestimet ndaj standardit po sundohen nga një politizim i skajshëm që shkon ndonjëherë deri atje, saqë qëndrimi ndaj gjuhës standarde të vlerësohet si qëndrim ndaj demokracisë: kush mbron standardin e sotëm, është kundër demokracisë; kush e kritikon dhe kërkon ndryshime, rishikime, rindërtime etj., me një fjalë një standard të ri ose neostandard, është me demokracinë! Kjo është një reminishencë e së kaluarës, kur qëndrimet ndaj çështjesh të ndryshme trajtoheshin si “guri i provës” që ndante armiqtë e partisë e të popullit nga ata që ishin me partinë dhe me popullin”, - thuhet në letër. Gjuhëtarët, shkrimtarët dhe intelektualët kërkojnë që të ketë një kërkesë në rritje për zbatimin e normës letrare dhe jo konferenca të tilla shkencore. “Mendojmë se diskutimet për përmirësimin e standardit duhet të dalin si pasojë e natyrshme nga veprimtaria praktike për vepra themelore të standardit, në radhë të parë për një fjalor të ri të madh të gjuhës shqipe dhe për një gramatikë të re akademike, që të përshkruajë më me hollësi dhe të trajtojë në nivelin e gjuhësisë së sotme, strukturën gramatikore të gjuhës shqipe. Këto diskutime duhet të përgatiten me kujdes, jo në mënyrë të përshpejtuar dhe si nisma të njëanshme, po me bashkëpunim institucional, sidomos të departamenteve të gjuhës në universitetet dhe në institutet albanologjike, duke krijuar kushte për një pjesëmarrje të frytshme të studiuesve që merren drejtpërdrejt me probleme të gjuhës së sotme shqipe e të normës letrare. Me këtë rast i bëjmë thirrje shkollës kombëtare që të vijojë traditën e saj të ndritur në fushën e mësimit të gjuhës shqipe, me gjithë trysnitë e disa personave që shprehin qëndrime prapavajtëse e të politizuara ndaj shqipes letrare. U bëjmë thirrje të gjithëve që e çmojnë vlerën dhe rëndësinë e një gjuhe letrare të njësuar për mbarë kombin shqiptar, që të mos lejojnë të cenohet e të dëmtohet kjo vlerë e lartë kulturore kombëtare!” - përfundon letra. Reagimi përmes një letre të hapur i 40 gjuhëtarëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, i bashkohet reagimit që patën që në krye të herës disa gjuhëtarë kosovarë, të cilët refuzuan të marrin pjesë në konferencën shkencore të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike. Nga ana tjetër, drejtorit i QSA-së, në prononcimet e tij mbi këtë çështje ka theksuar vazhdimisht se kjo nuk është një konferencë ku do të nxirren përfundime. “Sigurisht që mendimet mbi temën që do të trajtojë konferenca janë të ndryshme, ka frikëra, dyshime, por studiuesit duhet të merren me problemet aktuale të gjuhës. Kjo konferencë synon pikërisht të krijojë kushtet për të ulur në një tryezë për diskutim edhe palët që kanë opinione të kundërta, sepse kështu mund të vihen në pah problemet, të diskutohet se si do veprohet dhe çfarë rruge do ndiqet”, - ka thënë Marashi. Debati mbi standardin pritet të vazhdojë në konferencën që do të mbahet për tri ditë në Durrës.