QENDËR E KULTURAVE APO NJË KULTURË PA QENDËR
Të pretenduarit se je qendra e botës, qoftë për një komb, ashtu dhe për një njeri, bart në vetvete një sërë problemesh, ku ndër më kryesoret është iracionalizmi në shpjegimin e botës. Ka qenë një kohë që edhe ne, në mitologjinë e ideologjisë sunduese, mendonim se ishim qendra e botës. Vërtetë që, njeriu e merr një pozicion të tillë kur njeh botën, por afërmendsh atij i duhet medoemos të krahasojë “botën” e tij me botën e të tjerëve, përderisa kultura që në gjenezë të saj ka si tipar të qenësishëm marrëveshjen ndërnjerëzore dhe bashkëpunimin.
Edhe filozofitë, duke qenë se lindin nga bazamente të caktuara kulturore, përmbajnë në mënyrë të pashmangshme dallimet e kulturave nga vijnë. Mirëpo në filozofinë perëndimore, sidomos në atë moderne e bashkëkohore, ka ndodhur një ripërcaktim i mendimit të saj në përputhje me shkallën e njohjes së kulturave të tjera. Disa elementë të këtij rivlerësimi mund të shihen në kuptimin për të vërtetën, shqyrtimin nga ana filozofike e gjuhës dhe e komunikimit, si dhe ripërcaktimin e të drejtave të njerëzimit dhe i lirive.
Në këtë mënyrë, mendimi filozofik perëndimor ka ndikuar për të ofruar përvojën e proceseve të të menduarit jo më si një përvojë universale e botës, por si një pjesë e komunikimit të përbashkët kulturor. Por sa janë të gatshme kulturat e tjera të pranojnë mënyrën se si funksionon arsyeja perëndimore e mishëruar në filozofinë e saj? Dyshimi dhe frika se kemi të bëjmë me një ushtrim force nga njëra palë ndaj palës tjetër, të përligjur deri-diku nga e shkuara historike e kulturës perëndimore, i ka shtyrë dhe i shtyn filozofët në kërkim të rrugëve të reja të mendimit e krahasimit të kulturave dhe këmbimit të vlerave.
Sidoqoftë, një erë ndryshimi filloi të frynte në mendim, kur filozofët u njohën me burimet e kulturave të tjera. Ata ishin ndër të parët, përmendim për shembull Rusoin, që parashtruan idenë se po ato elementë që ne i konsiderojmë si shenja të madhështisë te kultura perëndimore, i gjejmë dhe në kultura të tjera. Madje, disa herë mizoritë e kulturës perëndimore, si shfarosja e vendasve në disa pjesë joeuropiane të botës, duke i quajtur barbarë, e kryer edhe në emër të “civilizimit perëndimor”, e vunë në dyshim tezën e superioritetit dhe nxitën tezën e dëshirës dhe interesit për të kuptuar këto kultura të tjera.
Ky hap përpara i filozofisë krahasuar me format e tjera të mendimit në Perëndim, si politika, ideologjia, ekonomia etj., lidhet me faktin se filozofia ishte e para që filloi të shihte me dyshim atë pjesë të dijeve dhe shkencës që po përdorej në teknologji. Dikur edhe filozofët kishin menduar bashkë me shkencëtarët se shkencat e natyrës ishin një formë e privilegjuar e mendimit dhe ofronte një të vërtetë më të sigurt se arti apo miti, duke i dhënë një vend të privilegjuar brenda kulturës perëndimore këtyre shkencave. Dhe meqë kërkimi i së vërtetës ishte konsideruar për shumë shekuj si një ndër objektet më të pëlqyeshme për filozofinë, shkenca si me thënë e përligji më tej këtë shpresë të filozofisë, për të pasqyruar saktë e pa turbullira subjektiviste realitetin. Dhe meqë këto shkenca u zhvilluan më së tepërmi në Perëndim u duk se kultura perëndimore do të ishte ajo që impononte vlerat e saj ndaj kulturave të tjera, falë dhe zbatimeve të kësaj shkence, edhe në teknologji.
Ndryshimi ndodhi kur filloi të rivlerësohej e të njihej më mirë filozofia e Lindjes së Largme dhe të Afërt. E injoruar prej kohësh në studimet universitare, filozofia e Lindjes e mishëruar deri-diku në fetë përkatëse, bëhet jo vetëm burim frymëzimi për Shopenhauerin, por ndryshon dhe rrjedhën e mendimit të një sërë filozofësh pas tij. Kultura indiane ishte për Shopenhauerin muza e metafizikës perëndimore. Kështu ai i mban Upanishadat, domethënë pjesën filozofike të Vedave, “si pjesa më e çmuar e kulturës botërore, që bëhet ngushëllimi i jetës së tij dhe i vdekjes”.
Për pasojë, shohim të shfaqet në pjesën më thelbësore të filozofisë së Shopenhauerit, çlirimi prej marrëdhënieve të qëllimta me botën. Edhe mungesa e dhunës (Ahimsa) si një ndër parimet më të rëndësishme të Jainismit shprehet sidomos në etikën e Shopenhauerit.
Një tjetër përvojë që i përcjell atij filozofia e Lindjes është se: Kur merremi me një çështje në filozofi, të gjitha çështjet e tjera të filozofisë tingëllojnë si kambanat njëherësh. Kjo do të thotë se filozofia, ashtu si dhe bota është gjithmonë një e tërë dhe nuk mund të veçosh një apo disa pyetje të saj, pa prekur shumë të tjerat njëherësh.
Ndërkohë, gjithnjë e më shumë përfaqësues të filozofisë filluan të bashkohen në idenë e tolerancës jo vetëm ndërmjet besimeve fetare, por dhe kulturave. Shfuqizimi i Perëndimit nga froni i të qenit qendër e kulturës erdhi jo vetëm nën ndikimin e mendimit filozofik, por filozofia perëndimore kultivoi farën e kritikës dhe të vetëkritikës ndaj zhvillimeve shoqërore të dhunshme e imponuese brenda kësaj kulture. Kjo ndodhi, prejse filozofia perëndimore, ndryshe nga mendimi shkencor e teknologjik, nuk kërkonte t’i sundonte më sendet, por t’i njihte ato ashtu siç janë në vetvete.
Në këtë drejtim ecën dhe Vitgenshtajni me filozofinë e tij të gjuhës, kur nxit idenë se të gjitha dallimet ndërmjet thelbit dhe shfaqjes, ose ndërmjet domosdoshmërisë dhe rastësisë, janë produkte artificiale, të cilat ndryshojnë sapo ne zgjedhim një përshkrim tjetër për ta, duke e zhvleftësuar idenë e një të vërtete të padiskutueshme edhe në fushën shkencore.
Kësisoj, diskutimin për çështjen se, cila kulturë e paraqet më së miri botën po zëvendësohej me propozime për një bashkëjetesë paqësore ndërmjet kulturave, dhe çdo diskutim për të zbuluar më tepër anën negative se pozitive te secila, tingëllon në mënyrë të mërzitshme e bajate.
Prandaj, pragmatisti Rorty ofron në fundin e shekullit XX një përfytyrim tjetër për bashkëveprimin e kulturave. Shoqëria demokratike, e cila i përket një kulture të hershme e të ashtuquajtur të lartë, sot nuk ka një qendër permanente, të vazhdueshme. Në vlerësimin “qendër e kulturës” është arritur nga pikënisje të ndryshme historike si për shembull, filozofia në Greqinë e Lashtë, feja në Mesjetë në Europën Perëndimore, arti në Rilindje dhe më pas shkenca në kohët moderne deri në fillimet e shekullit XX. Një shoqëri konsiderohej si qendër e kulturës, pikërisht mbi bazën e përparimit që kishte në fushat përkatëse, të cilat ndikuan pa dyshim edhe në fushat e tjera. Por në momentin që kjo qendër nuk e luante më rolin e saj shfaqej një qendër e re, e cila grumbullonte rreth vetes vlera të reja kulturore, shpesh të paraqitura si më të përparuarat e më të civilizuarat për kohën.
Historikisht, vitaliteti dhe liria që ka ofruar një kulturë ose shoqëri, është vënë herë pas here në pikëpyetje nga vënia në pikëpyetje e koncepteve të ndryshme të fushave kulturore, sidomos të asaj që konsiderohej si qendra e saj. Mjafton të përmendim faktin që në shekujt 17-18 u vu në pikëpyetje roli i kishës, i institucioneve e bindjeve fetare aq shumë sa që në shekullin e 19 nuk gjejmë më shkencëtarë si Paskali që përpiqej t’i bashkonte teoritë e tij shkencore me besimin te Zoti. Shkencëtarët e këtij shekulli nuk pyesnin fare, nëse teoritë e tyre ishin në përputhje a kundërshtim me teoritë e krishterimit, sepse feja nuk ishte më në qendër të kulturës, e rolin e saj e kishte marrë përsipër në kulturë, shkenca.
Në shekullin XIX, edhe filozofia mori pjesë në garën se cila do të ishte qendra e ardhshme e kulturës. Por pikëpamjet e kësaj filozofie nuk u bënë më të favorshme e më me ndikim se shkenca. Madje, në shekullin XX duket se këto mundësi u përkeqësuan, sepse dy degët kryesore të saj, metafizika dhe teoria e njohjes, u gjendën nën sulmin e dyfishtë të natyralizmit dhe historicizmit. Përpjekja e Huserlit për të zhvilluar filozofinë si një disiplinë shkencore, u provua si e pazonja për të mbijetuar, por nga ana tjetër metoda e tij fenomenologjike u përdor në filozofi dhe në shkencat shoqërore me sukses, e vazhdon të përdoret. Hajdegeri u përpoq të zhvillonte një filozofi me epiqendër subjektin, por që për shumë lexues mbeti e vagullt dhe e vështirë për t’u kuptuar.
Është për t’u çuditur që pas gjithë këtyre zhvillimeve, disa njerëz që e mbajnë veten brenda filozofisë vijojnë akoma të flasin në mënyrë anakronike për “shkencën e filozofisë”, në një kohë që ky përcaktim nuk përdoret me prej dekadash. Po cili mund të jetë fryti i dëshirës sonë njerëzore për të kërkuar kulturë qendrore? Duket lloji më i vlerësuar i kulturës do të jetë ajo kulturë që ndryshon vazhdimisht qendrën e vet, sipas kriterit se cili person apo grup personash ka ofruar diçka origjinale e të dobishme për shoqërinë.
Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, objekti i filozofisë ka ndryshuar aq shumë, saqë të bërit filozofi, është dukur kohët e fundit si antifilozofik. Kjo shfaqet si në antimetafizikën e Derrida-s, në teorinë kundërshkencore të Feuerabend-it, por dhe në përpjekjet për ta zëvendësuar filozofinë në tërësi me filozofinë e gjuhës te Vitgenshtajni. Megjithëse këto përpjekje janë përshkruar shpesh si përpjekje për të përgatitur fundin e filozofisë, ky është një interpretim i gabuar. Filozofia nuk mund të ketë një fund siç e pati feja, apo siç do ta ketë shkenca, për nga roli kryesor në kulturë, sepse nuk mund të ketë më një rol kryesor në kulturë, si më parë. Autorët e lartpërmendur kërkuan më tepër fundin e asaj filozofie që patën ëndërruar, Kanti, Hegeli e Huserli, domethënë të një filozofie që të merrte një rol kryesor në përcaktimin e rregullit të kulturës.
Kjo do të na ndihmonte pra që të gjitha fushat e kulturës të mos i shohim si autoritete të imponuara ndaj nesh, por si mjete ndihmëse për përshkrimin dhe riformulimin e unit tonë dhe të mjedisit që na rrethon. Gjithashtu këtij qëllimi do t’i ndihmonte edhe përpjekja për ta ndaluar artin e filozofinë, që të marrin përsipër rolin e qendrës së kulturës, gjë që më parë është bërë nga feja dhe nga shkenca, e që shpesh ka çuar në diskriminimin e kulturave të tjera ose të pjesëve të tjera brenda vetë kulturës.
Imazhi i sotëm që paraqet filozofia për kulturën, është ai i një kulture që do të hiqte dorë nga ideja se ajo duhej të ishte, ose një qendër, ose një klasifikim i qëndrueshëm i rezultateve të vërteta. Një kulturë e tillë duhet të shohë si qëllimin e saj më të rëndësishëm, jo të vërtetën në vetvete por lirinë, ku liria do të nënkuptonte parakushtin që lejon të ndodhnin zhvillime të vrullshme kulturore në komunitetin ndërkombëtar.
E di që kjo formë e të perceptuarit dhe zhvilluarit të kulturës mund të tingëllojë hë për hë si utopi për veshët e ndokujt, por a nuk dukeshin po kaq utopike idetë humaniste të Erazmit të Roterdamit pak shekuj më parë, shumë prej të cilave sot na duken më se të zakonshme? Kjo është një pjesë e ndihmesës së filozofisë në këtë ditë të saj, për afrimin dhe bashkëpunimin e kulturave.