Licencimi i bizneseve, në vend të parë mjedisi dhe tregtarët e barnave
Tregtarët e barnave kanë aplikuar nmë së shumti këtë vit për lejë në sportelet e Qendres Kombëtare të licensimit. Ja si ka ndryshuar aplikimet për leje në një sportel të vetëm
Qendra Kombëtare e Licencimit raporton për një trend rritës në lidhje me aplikimet që bizneset e ndryshme bëjnë për leje. institucioni në fjalë për këtë konkluzion bazohet në një raport krahasimor për periudhën 6 mujore të sja. Sipas raportit në fjalë, 6 mujori i parë i vitit 2011 numuron në total 2571 kërkesa për aplikim. Me një llogaritje të thjeshtë matematikore rezulton se ka një rritje prej 220 të numrit të kërkesave për aplikim gjatë vitit 2011 pasi në të njëjtën periudhë të një viti më parë numëroheshin 2351 kërkesa për aplikime për leje/ licenca. Ndërsa, janë 1665 leje/licenca aktive që Qendra Kombëtare e Licencimit ka lëshur për 6 mujorin e parë të 2011-ës, ndërsa për gjithë vitin 2010 kjo qendër numëron në total leje/ licenca aktive 3054. Sipas drejtuesëve të këtij institucioni ky trend rritës argumentohet me faktin e eksperiencës të konsoliduar të këtij institucioni dhe njohjen e QKL-së nga publiku në tërësi dhe vetë biznesi. Duke iu referuar raportit krahasimor, viti korrik- dhjetor 2009 - numëronte 1125 aplikime për leje/licenca, për vitin 2010 - numërohen 4798 aplikime në total që përkthehet në një trefishim të numrit të aplikimeve të vitit 2009. Sipas drejtuesëve të QKL-së, viti 2010 ka shënuar sukses në zbatimin e reformës rregullatore në fushën e licencimit dhe kjo për një sërë arsyesh si: thjështëzim në dokumentacion apo procedurë, thjeshtëzim në kohë dhe kosto si dhe më e rëndësishmja korrektësi në afatet e vendimarrjes. Kurse përsa i përket profileve të bizneseve që aplikojnë për këto leje/licenca, kryesojnë në Regjistrin Kombëtar të të dhënave mbi Lejet dhe Licencat kërkesat për leje mjedisore, të cilat pasohen nga kërkesat për tregtim me pakicë të banave (farmaci apo agjensi farmaceutike). Më pas vijojnë aktivitetet e ndryshme në fushnë e prodhimit dhe tregtimit të ushqimit. Megjithatë duke iu referuar raportit krahasimor 6 mujor, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes fakti se dhe aktivitetet e tjera që pasojnë në këtë listë përbëjnë një numër të konsiderueshëm aplikimesh për leje/licenca si në fushën e arsimit, etj.